Ushtria shqiptare 105-vjeçare

556
Safet RAMOLLI

Një hyrje e imponuar
Hera-herës, sidomos në emisionet informative të mëngjesit, përballemi edhe me pohime të kategorisë: “Përse ushtarakët të trajtohen me pension suplementar kur ata nuk kanë bërë ndonjë luftë”, dhe të tjera të ngjashme me këtë artikulim. Personalisht ndihem i keqardhur, sidomos kur këto “rrufe” lëshohen nga goja e një femre, nënë, qoftë ajo ose jo. Dhe ja përse shkurtimisht: Ndarja shoqërore e punës, në çdo sistem shoqëror, e ka më se të domosdoshme edhe fragmentin “Shërbim në forcat e armatosura, në ato të rendit publik, në shërbimin informativ, në sigurinë e personaliteteve shtetërore dhe objekteve shtetërore të rëndësisë së veçantë, në shërbimin e sigurisë së burgjeve” etj. etj., të gjitha së toku të formalizuara në togfjalëshin “Instrumente në shërbim të sigurisë kombëtare”, një imperativ i domosdoshëm dhe i përhershëm. Madje, kjo strukturë, (në se mund të shprehemi plotësisht kështu) kryen një veprimtari në shërbim të komunitetit dhe të shtetit, në kushte mjaft të diferencuara, krahasuar me nënndarjet e tjera të punës. Ajo nuk ka orar të përcaktuar rregullisht (ushtaraku niset për në punë, por nuk mund të shprehet se kur do të kthehet, sepse mjaft herë i ndodh që të qëndrojë në detyrë për arsye pune). Ushtaraku është i detyruar të pranojë mjaft sakrifica, (deri edhe në dhënien e jetës), ndërkohë që kjo nuk u kërkohet normalisht të tjerëve. Ai, në përgjithësi, është i privuar të përmbushë mjaft detyrime familjare dhe shoqërore, sepse natyra e punës “e mbërthen” brenda vendit të punës. Ka edhe një problem, që ka lidhje me çështjen shoqërore apo psikike: Kush është prind e ka të qartë fare mirë, se çfarë probleme lindin në edukimin dhe mbajtjen “në trasenë shoqërore” të një 19-25 vjeçari, ndërkohë që ushtaraku punon me disa të tillë njëkohësisht. Për ushtarakët kanë edhe një problem, që duhet marrë në konsideratë dhe që duhet pranuar pa asnjë ekuivok: Gjykoj se për një femër ushtarake ka disa vështirësi të punuarit në një mjedis mashkullor dhe në mjedise të veçuara. Lidhur me pohimin, ndoshta të nxituar, se ushtarakët nuk kanë kryer ndonjë luftë, personalisht do të pohoja me bindje, se ushtarakët moralisht dhe psikologjikisht kanë përballuar disa të tilla: Ata kanë qenë të detyruar, jo për hobi, të qëndrojnë me ditë të tëra, jo pranë familjes, por në repartin ushtarak larg familjeve; në situatat konkrete, mbas vitit 1992, ata marrin pjesë në misione ndërkombëtare jashtë vendit në vende me rrezikshmëri të lartë për jetën e tyre. Në këtë kuadër vendi ynë ka një të rënë, disa të plagosur apo të stresuar deri në probleme psikike. Nëse kjo nënndarje shoqërore e punës, qoftë në sistemin monopartiak apo edhe në atë pluralist që po jetojmë, do të ishte “e preferuar”, byroistët apo shtetarët e lartë (atëherë) dhe liderët e partive politike dhe shtetarët e lartë tani, do t’i kishin “orientuar” fëmijët e tyre drejt kësaj sfere të ndarjes shoqërore të punës dhe jo në ato të inxhinierisë, ekonomisë, financës, jurisprudencës, diplomacisë etj. Ka edhe shumë çështje të tjera, të cilat mund të trajtohen në një diskurs tjetër. Përfundimisht, unë pohoj, se një nga vendimet e qeverisë, që bashkëshortet e ushtarakëve, mbas humbjes së tyre, të përfitojnë gjysmën e pensionit suplementar ushtarak, është më se i drejtë. Gjithkush, por sidomos femrat shqiptare, duhet të jenë më të ndjeshëm ndaj atyre kapelave të ushtarakëve të rënë në detyrë apo për shkak të saj, që ekspozohen hera-herës, sidomos kur e kërkon morali politik, edhe pse pohohet që politika është “e përdalë”. Për ta përfunduar këtë “Hyrje të detyruar”, po sjell në vëmendjen e çdo qytetari, se gjatë datës 1-3 dhjetor 2017 janë pikërisht ushtarakët (të gjithë ata nën uniformë) që përballen me vështirësitë e motit të keq, kur natyra “na ndëshkon” me reshje shiu të disa muajve në 2-3 ditë, ndërkohë që ne të tjerët ndjekim me shqetësim emisionet informative. Në një takim të kryeministrit E. Rama, diku në brigjet e Vjosës, ishte edhe një ushtarake. Nuk kishte “krehur” flokët, por në kokë mbante kapele ushtarake, ndërkohë që në ndonjë televizion transmetohej emisioni se si të paraqitemi më dukshëm. Dhe tashmë le të vijojmë me çështjen e kryeshkrimit.
Ushtria Shqiptare më e hershme nga Shteti Shqiptar
Ushtria Shqiptare në rrugëkalimin 105 vjeçar, ka bashkëshoqëruar krah për krah zhvillimet në tërësi në Shqipëri. Në raport me komunitetin në tërësi përbëjnë një grup shoqëror specifik, me interesa të përbashkëta. Janë bashkim njerëzish, me profesion të njëjtë a të ngjashëm, të organizuar në mënyrë të posaçme, por edhe të armatosur, për t’i shërbyer bashkësisë. Kanë lindur që në fillesat e organizimit shtetëror. Historikisht janë përbërë nga armë dhe shërbime të ndryshme, të integruara në qëllim të përbashkët për çështjen kombëtare. Kanë punuar në kushte të vështira dhe të privuara nga mjaft të drejta, janë përballur me sakrifica, që shpesh u kanë kushtuar edhe jetën. Por si absurd të skajshëm, politika e ka gjykuar dhe vlerësuar në mënyrë të pa përgjegjshme nga këndvështrime ideologjike të skajshme, herë-herë fyes dhe ofendues. Gjithsesi është pranuar si datë krijimi 4 dhjetor 1912, që kushtëzohet nga shpallja e pavarësisë më 28 nëntor dhe krijimin e Qeverisë së Përkohshme nën kryesimin e Ismail Qemali. Përgjatë historisë së ekzistencës së paraardhësve tanë, kanë qënë të pranishme në sasi dhe cilësi të ndryshme forca të armatosura, me mision: mbrojtjen e tërësisë territoriale. Ilirët, kanë pasur të organizuar një forcë të armatosur. Atë e gjejmë prezent që në shek. IV p.e.r, kompletohej me qytetarë të aftë për të përballuar veprime luftarake. Në shek. XV-të, për gati 25 vjet drejtoi Skënderbeu, i cili krijoi një forcë të armatosur të përhershme mjaft të fuqishme për kohën, por që kur rreziku ishte eminent, gjithë shtetasit e aftë, mobilizoheshin dhe organizoheshin në reparte ushtarake ose në çeta. Prandaj edhe u mundësua që Gjergj Kastrioti Skënderbeu, doli fitimtar në përballjet me forcat osmane në 23 beteja, duke pësuar vetëm 2 humbje. Në periudhën e Pashallëqeve dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, FA-të, marrin pamje më të plotë, misioni i tyre bëhet edhe më i qartë. Shekulli i XIX shërben si kufi ndarës midis periudhës së pashallëqeve dhe fillimin e periudhës së re e emërtuar metaforikisht: “Rilindja Kombëtare Shqiptare”, e cila nga studiues shqiptarë, por jo vetëm, është çmuar si periudhë historike, kur ndjenja kombëtare ishte në lulëzim dhe jeta ishte në ecje vijë përpjetë. Në qytetet kryesore si Shkodra, Peja, Prizreni e Janina qeverisin pashallarë shqiptarë edhe me të drejtë trashëgimie, ashtu sikurse patën lulëzim të mirë edhe FA-të. Gjatë sundimit otoman, vendi ynë udhëtoi krahas dhe në një trase me fqinjët, por disi më të paracaktuar. Në vitet 1832; 1859; 1878 “Çështja Lindore” përfshihet nga tri kriza, evoluim ky që i dha Lëvizjes Kombëtare Shqiptare brenda dhe jashtë territorit dimension më të qartë politik: në prill 1878, në Janinë, në një mbledhje të personaliteteve nën drejtimin e Avdyl Frashërit, iu kërkua Portës së Lartë njohja dhe shpallja e autonomisë së territoreve shqiptare të bashkuar në një elajet të administruar nga nëpunës vendas, ku gjuha e administratës dhe e shkollës të ishte shqipja; më 10 korrik 1878 u krijua Organizata Nacionaliste e Lidhjes së Prizrenit (L.SH.P) me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të katër vilajeteve dhe nga tre besimet fetare, me nismën e Avdyl Frashërit. Ajo, posë të tjerash, krijoi edhe Ushtrinë Kombëtare me rreth 50.000 luftëtarë, vullnetarë dhe atdhetarë këta të ardhur nga i gjithë vendi. 

Shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912, krijoi kushte të reja për të ngritur e mëkëmbur Shtetin Shqiptar me gjithë institucionet dhe hallkat e domosdoshme. Prandaj edhe u shënua një hap cilësor për organizimin dhe konsolidimin e FA-ve. Më 4 dhjetor 1912, bëhet publike, krijimi i Kabinetit Qeveritar. Krahas institucioneve të tjera, konstituoi edhe Ministrinë e Luftës, prandaj kjo datë është vlerësuar si Data e Krijimit të Forcave të Armatosura. Në krye të saj u përzgjodh gjeneral Mehmet Pashë Dërralla. Në të pastajmen, më 1913, kreu i Shtetit Shqiptar, realizoi organizimin e xhandarmërisë dhe një bërthamë ushtarake për t`u bërë ballë sulmeve të andartëve grekë. Forca e armatosur përbëhej nga 4.000-5.000 vetë, si mbrojtëse e parë ushtarake për qeverinë e re. Në këtë sipërmarrje kishin ndihmuar edhe ushtarakë të ardhur nga Evropa, sidomos një trupë oficerësh holandezë nën drejtimin e gjeneral De Vor (De Weer). Në përbërje të ushtrisë ishin disa batalione vullnetarësh në krahinat e Vlorës, Kurveleshit, Kolonjës, Skraparit, Elbasanit. Por zhvillimi i dy Luftërave Ballkanike dhe i Luftës I Botërore, ndikuan drejtpërdrejt në dobësimin deri në shpërbërje të FA-ve. Megjithatë, më 1914-1920 realizohet diçka në organizimin e FA-ve: më 1919 Qeveria e Përkohshme e Durrësit grumbulloi disa oficerë, që i vuri nën komandën e Ismail H. Kuçit. Ai formoi një trupë xhandarmërie “… për të mbajtë qetësi”, – shprehen dokumentet e kohës. Kongresi Kombëtar i Lushnjës (janar 1920), i ngjashëm me atë të Vlorës më 1912, kompozoi një qeveri me patriotë në zë dhe të dijshëm. Në krye u vendos Sulejman Delvina, burrë shteti i mirëfilltë, bashkëpunëtor i I. Qemalit. Ky shtet u njoh nga ndërkombëtarët si Shteti Modern Shqiptar. Kjo qeveri organizoi një ushtri kryesisht prej vullnetarësh e atdhetarësh të komanduar prej B. Currit, që kishte në dispozicion një resurs të kufizuar forcash ushtarake, me gati 3.200 xhandarë, 1.200 këmbësorë, 600 trupa xheniere, por që gjithsesi, të komanduar nga oficerë italianë, francezë, austro-hungarezë dhe turq. Në vitet 1921-1924, qeveritë e shumta, të përkrahura, sipas preferencave të drejtuesve nga Italia apo Jugosllavia, krijuan ushtri të kufizuar në numër, por ka edhe forca nën kontrollin e kryetarëve të fiseve si B. Curri, E. Isufi, e të tjerë, të cilët në ndonjë rast u kundërviheshin edhe forcave qeveritare. Në qershor 1924 pati zhvillime të pazakonta. Vendi u përfshi nga lëvizje të armatosura, që palët politike i kanë emërtuar “Revolucioni Demokratik i Qershorit 1924”, apo “Revolucion i armatosur regresiv”. Kabineti qeveritar i Fan S. Nolit, në lëmin e forcave të armatosura, në përgjithësi, ruajti ndërtimin organizativ dhe përbërjen e ushtrisë së mëparshme, e cila rezultoi pas gjashtë muajsh jo efektive. Në fund të dhjetorit, 1924 krijohet kabineti qeveritar nën kryesimin e Ahmet Zogut, qeveri që u deklarua se, në vitet 1912-1924 ushtria “kishte kaluar caqe, në të cilët mbizotëroi elementi i një tërësie të shpartalluar vullnetarësh”. Më 7 janar 1925, koloneli A. Zogu, krijoi një kabinet qeveritar në të cilin thirri personalitetet më të preferuara prej tij. Vetë fillimisht u quajt kryeministër, më vonë president. Programi i qeverisë përfshinte: suprimimin e Ministrisë së Luftës; shpërndarjen e ushtrisë ekzistuese dhe ngritjen e një xhandarmërie të fortë. FA-të u organizuan mbi bazën e sistemit të Milicisë në përmasat me rreth 3.000 veta, si dhe duke pasur asistencën e organizatorëve të huaj si p.sh. kolonelët Mirach e Stirling, gjenerali Percy, (i pari austriak, dy të tjerët anglezë S. R), e mjaft të tjerë. Në Statutin e Republikës Shqiptare legjitimohej, që kryetari i Republikës të ishte edhe komandant i përgjithshëm i Fuqive Armate. Asistenca e specialistëve të huaj mbetet prezent deri më 1938. Ndërkohë FA-të marrin pamje e përmbajtje më të plotë: kompletohen me bazë ligjore të huajtur nga perëndimi, me resurse njerëzore që stërviten sipas përvojës perëndimore, trajtohen financiarisht dhe moralisht në nivele të kënaqshme. Komponentë përbërës të tyre ishin dy: Ushtria Kombëtare dhe Xhandarmëria, ashtu si komandimi i tyre ishte unik. Më 24 qershor 1928 u muar Ligji i Parë Organik i Ushtrisë dhe Xhandarmërisë, si bazë për organizimin dhe funksionimin e tyre. Komanda Eprore e Fuqive Armate ishte nën drejtimin e Kryetarit të Republikës, dhe për mbajtjen e trupave ushtarake, konsumohej gati 48,03% e buxhetit të shtetit. Por, në çastin tragjik, më 7 prill 1939, forcat ushtarake rezultuan të paafta, të paorganizuara mirë dhe të komanduara jo profesionalisht.

Forcat e Armatosura në Sistemin Monopartiak (1941-1990)
Pushtimi i vendit shtroi përpara forcave përparimtare detyrën imediate për organizimin e luftës çlirimtare. Gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, u krijua gradualisht një forcë e armatosur, që mori mbi shpinë barrën e rëndë për çlirimin e vendit nga pushtuesit. Rritja shkallë-shkallë e Ushtrisë Nacional- Çlirimtare Shqiptare (UNÇSH) kaloi në tre faza kryesore: nëntor 1941-korrik 1943, ku si forcë e armatosur konsiderohen grupet dhe njësitet e vogla guerilje, mandej çetat dhe batalionet e rregullta partizane, si dhe çetat dhe batalionet vullnetare territoriale të vetëmbrojtjes të popullit. Përbëhej afërsisht nga 10.000 luftëtarë, të inkuadruar në 22 batalione dhe në një numër më të madh çetash në zonat e lira dhe të pushtuara. Mandej korrik 1943-maj 1944, është krijuar Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH. U krijuan formacione të mëdha ushtarake: Brigadat Sulmuese, Grupet Partizane, Shtabi i Zonës së I Operative, dhe Shtabet e Qarqeve. Në fund të saj forcat e armatosura u emërtuan Ushtri e Rregullt me gati 35.000 luftëtarë të organizuar në 9 Brigada Sulmuese, në 10 Grupe Partizane, dhe në 14 Batalione të Veçuar; kishte edhe Batalione Vullnetare Territoriale, Njësi Guerilje në qytete e krahina. Së fundi, maj – nëntor 1944, UNÇSH kaloi në shkallën më të lartë, u shndërruar tërësisht në Ushtri të Rregullt; u krijua Komanda e Përgjithshme, u kalua në formacione të mëdha ushtarake, operative dhe operativo-strategjike, në Divizione dhe të Korparmata. U organizuan edhe e 16 Brigada S. të reja, e gjithë ushtria inkuadrohet në 8 Divizione dhe 3 Korparmata, me gjithsej gati 70.000 luftëtarë e luftëtare. Nga shumica e pjesëmarrësve në luftë, por edhe nga Misionet Ushtarake të Anglisë, dhe jo vetëm, pranohet se Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare u udhëhoq nga Partia Komuniste Shqiptare, e cila, për fat të keq, më vonë e degradoi misionin çlirimtar dhe demokratik duke vendosur një regjim totalitar. Historia e Ballkanit dhe e Evropës pohon qartazi se në Shqipëri ishte prezent një forcë e armatosur, e cila edhe u ndihmua nga anglo-amerikanët me armatim e veshmbathje, e cila bënte pjesë në Koalicionin Antifashist Botëror të udhëhequr nga tre të Mëdhenjtë e Kohës: Ruzvelt, Çurçill dhe Stalin. Më 10 korrik 1945, UNÇSH u quajt Ushtria Kombëtare Shqiptare, më vonë Ushtria Popullore, më vonë edhe “socialiste”. Deri më 1983 ishin organizuar në 7 Korpuse dhe 2 Grupime Operativo-Strategjike. Në shkurt 1983 u bë riorganizimi i Forcave të Armatosura, dhe njësia më e madhe ushtarake ishte Divizioni (u krijuan 22 Divizione S R). Në vitin 1986 u krijua hallka e Komandave të Drejtimeve Operative (ishin tre të tilla, S.R, të cilat drejtonin disa divizione. Gjatë pranisë së Shtetit Komunist, forcat e armatosura plotësuan detyrat e ngarkuara, çka nuk do të thotë kurrsesi, se, mijëra shtetas që shërbyen në to, kanë edhe përgjegjësinë dhe detyrimet e padrejtësive, që bënë drejtuesit e vendit. Kontributi i çmuar që luftëtarët e lirisë dhanë, deri duke bërë sakrifica sublime, nuk mund të mohohet nga askush. Ata meritojnë mirënjohje dhe respekt për vullnetin dhe gatishmërinë që treguan për t’i dalë zot Vatanit. 

Forcat e Armatosura në Shoqërinë Pluraliste
Pas vitit 1990, edhe FA-të po integrohen hap pas hapi në shoqërinë pluraliste. Kjo periudhë është e njohur për lexuesin, sepse evoluimin e tyre, e ka përjetuar hap pas hapi, dikush drejtpërdrejt dhe të tjerët indirekt. Por përafrimi me simotrat e Perëndimit, ka nxjerrë mjaft probleme, të cilat po kapërcehen, jo vetëm me vështirësi por edhe me “dhembje” për efektivat ushtarakë dhe familjet e tyre. Forcat e Armatosura janë përballur me mjaft probleme të panjohura më përpara, rrjedhimisht edhe të vështira. Kryesorja ndër to mbetet e ashtuquajtura “reformë”, e cila ka mbajtur në gjendje ankthi personelin e shërbimit ushtarak dhe familjet e tyre. Politika shpesh herë ka gatuar “çorbën e prishur” jo vetëm për vetveten, por për gjithë mjedisin. Kjo sepse, sa herë që në parlamentin shqiptar ka ndryshuar raporti i forcave, po aq herë, por edhe më shumë, ministrat e mbrojtjes kanë “gatuar” nga një “reformë”, pasojat negative të të cilave i kanë mbajtur mbi supe ushtarakët dhe familjet e tyre. Janë qindra kuadro me vlera, të paragjykuar politikisht, që janë zëvendësuar me të tjerë “të vlerësuar” të përshtatshëm për të realizuar progres. Janë sajuar struktura e nënstruktura, të ideuara qëllimisht për të mënjanuar kuadrot e aftë, janë bërë deri edhe emërime në detyrë jashtë kritereve të përcaktuara duke ndërhyrë arbitrarisht deri në kompetencat e kreut të shtetit. Problem shqetësues ka rezultuar administrimi i pronave të ushtrisë, ai i administrimit të armatimit e municionit, i shërbimit inteligjent, e mjaft të tjera. Objektet ushtarake të nxjerra jashtë funksionit, nuk u kanë shërbyer ushtarakëve për strehim a çështje të tjera, por janë dhënë në përdorim apo nxjerrë në shitje të dyshimta. Ka pasur edhe akuza për keqpërdorimin e shërbimit inteligjent të ushtrisë apo për abuzime me armatimin dhe municionin luftarak, deri në shitje armatimi në shërbim të regjimeve militariste ose në vatra të nxehta; për prodhim të armatimit dhe municionit jo në përshtatje me detyrimet e anëtarësimit në NATO, për blerje armatimi “të kripur, për financim të pamjaftueshëm të FA-ve, etj. FA-të janë para detyrimit, që të kenë qartësinë e misionit në kushtet e reja, të armatosen me armë dhe pajisje bashkëkohore, të aftësohen profesionalisht për të përballuar detyrat me dinjitet si brenda vendit e jashtë, në kuadrin e bashkëveprimit me forcat e NATO-s, ku edhe bëjnë pjesë. Duhet pranuar dhe pohuar se FA-të, nga koha në kohë, po hedhin hapa të sigurt për t’u integruar denjësisht me simotrat e tyre dhe për të kontribuar me profesionalizëm deri edhe në misione ndërkombëtare, ashtu si në problemet e brendshme, p.sh. gjatë “tekave të natyrës” janë përballur me vështirësi të konsiderueshme, të cilat i kanë kapërcyer, jo vetëm me ndjenjën e patriotizmit, por edhe me profesionalizëm. Për gjithçka efektivat nën uniformë meritojnë respektin dhe urimet më të mira!