Tek Kryemali i Bektashinjve, aty ku falet njerëzia

1185
Nga Bashkim KOÇI

Sa herë që jam ngjitur tek Mali i Shenjtë, në Tomorr, nuk di pse brenda meje, në shpirt e ndërgjegje më shfaqen vitet kur njerëzisë, të të gjitha besimeve, iu ndalua të vinin e të faleshin, të kryenin disa rite të trashëguara nga brezi në brez për Abaz Aliun dhe malin Baba. Por kur në këto ditë gushti shikon mizëri njerëzish, të ardhur jo vetëm nga e gjithë Shqipëria, por nga çdo cep i globit, më vjen ndërmend një shprehje filozofike e Niçes ku thotë se “shpirti rritet e forca shtohet si pasojë e një plage”. Besoj se edhe me këta dhjetëra mijë besimtarë që shikoj këtu, bektashinj e myslimanë, ortodoksë e katolikë “si pasojë e një plage” ka ndodhur një ripërtëritje e pazakontë shpirtërore dhe forca e besimit i ka bërë me krahë për t’u ngjitur aty ku toka puthet me qiellin, ku mosha e shtresave të dëborës në honet e thepisura, janë vërsnike me atë të të shënjtit Tomor.

Dashuri e respekt, ashtu siç e meritojnë besimtarët
Në Tomor, saktësisht në qafën e Kulmakut, aty ku është ngritur teqeja e famshme nga Dervish Iljazi, ka një numër të pafund vizitorësh. Të pafund. Është si në atë thënien për milingonat punëtore: ca venë e ca vijnë, ca vijnë e ca ikin. Në Ditët e Tomorit ardhur rreth 100 mijë makina dhe më shumë se 30 mijë pelegrinë. Si dhe pse kështu? Sheshi përqark teqesë, vendi ku gjendet Gjurma e Abaz Aliut, Çuka në majë të Tomorit, e gjithë ajo shpatull mali është pushtuar nga besimtarë të cilët, siç thonë më të vjetrit, janë ngjitur deri aty për të pastruar shpirtrat dhe për të marrë urata e bekime për një jetë të pastër, njerëzore, si ajo e Abaz Aliut dhe klerikëve bektashinj që kanë shërbyer në këtë teqe. Zalo Qato, sekretar i Gjyshatës së Skraparit, ka rreth dy muaj që qëndron aty në teqe për t’u përgatitur sa më mirë për pritjen e pelegrinëve. Ai na tregon një mjedis ku janë bërë investime modeste, i cili tani e për çdo vit do të shërbejë si treg për kurbanët. Kujtojmë se të gjithë besimtarët që vinë nga qytetet apo nga jashtë vendit kurbanët i blejnë aty, duke “prenotuar” edhe për veprimet e tjera siç janë therja e kurbanit, grumbullimi gjakut, pjekja në hell etj. -Nuk është vetëm tregu i kurbanëve, vijon të na informojë Zaloja. Këtë vit arritëm të përgatisim një rrjet të mrekullueshëm me çezma nga do të furnizohen me ujë të rrjedhshëm të gjithë pelegrinët, pa përjashtim. Edhe mjediset e tjera, aq të nevojshme për të pasur higjienë e pastërti, besoj se mundëm t’i kemi në nivel të admirueshëm. Të gjithë këta që shikon, mijërat e besimtarëve, për ne të zotët e shtëpisë janë miq. Do t’i presim e përcjellim me bujari, dashuri e respekt, ashtu siç e kërkon zakoni.

Fjalë zemre, nga Haxhi Dede Edmond Brahimaj 
Shikoj njerëz nga të gjitha kategoritë: vajza, djem, të moshuar, nga fshati dhe qyteti, nga Evropa e Amerika, nga të gjithë kontinentet. Për një çast njeriu hutohet dhe e para pyetje që i vjen ndërmend, që diktohet për t’ia bërë vetes, është: nga kanë mbirë, ç’i shtyn këta njerëz që të ngjiten deri këtu në këtë vapë përvëluese të gushtit? Por një njeri i vëmendshëm e kupton, e merr vesh se të gjithë, pa përjashtim, kanë marrë rrugën për në Tomor, aty në Qafën e Kulmakut, të shtyrë nga një forcë e brendshme, nga një dëshirë a pasion që ka për shtysë atë që buron brenda një shpirti të pastër, për të qenë ballëpërballë, për ta prekur me dorë, për t’iu betuar a lutur Atij që ata e konsiderojnë të shenjtë, baba Tomorin. Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj gjen rastin që me fjalë zemre, të cilat ofrojnë dashuri e mirënjohje, i uron e bekon të gjithë, bektashinjtë, muslimanët, ortodoksë e katolikë, që të mund të kenë marrë nga udhëtimi deri në Tomor besimin se jeta do t’u bëhet ashtu si i janë lutur baba Tomorit dhe Abas Aliut. Ky rit tradicional, sipas Kryegjyshit Botëror Edmond Brahimaj, me numër në rritje të pelegrinëve nga viti në vit, e ka kthyer këtë vend të shenjtë në një qendër të rëndësishme të fjalës, kërkimit të mëshirës dhe afrimit të shpirtrave tanë me Krijuesin, në një vend ku ne paqëtohemi me veten, me njëri-tjetrin dhe marrim më shumë shpresë e dashuri për paqe e mirësi. Në këtë përballje me besimtarët Kryegjyshit Botëror iu desh të gjente vlerësimet më të larta për Abas Aliun, shenjtorin e bërë njësh me malin e Tomorit. Emri dhe vepra e Abaz Aliut, sipas Tij, i kanë falur këtij Kryemali të shqiptarëve, jo vetëm shenjtërinë e historisë, por edhe vlera të jetës që kemi jetuar dhe jetojmë. Pavarësisht legjendave shekullore që tregohen për Të, Ai vetë është një realitet i mrekullueshëm i burrërisë përpara frikës, i jetës përpara vdekjes, i pastërtisë shpirtërore përballë shpurës së jezidëve. Ne ndjehemi krenarë, tha Kryegjyshi Botëror, je pse i kujtojmë këta shenjtorë, Malin Baba dhe Abaz Aliun, por sepse çdo ditë e jona, çdo hap I yni është një bashkim natyror dhe unik me shpirtërat e tyre. Duke dashur Shqipërinë, duke dashur familjen, duke mëkuar vëllazërinë tonë tradicionale, ne u afrohemi sa më shumë vlerave njerëzore, tipareve të mrekullueshme të profetëve tanë.

Besim i lashtë, në breza njerëzish
Pelegrinazhi në Tomor nuk është i sotëm. I përket një historie të lashtë. Në fillim ka qenë kult pagan. Shekuj më vonë aty shkonin të krishterët, të cilët në ditët e fundit të muajit gusht festonin Shën Mërinë. Ndërkohë bektashinjtë nderonin tyrben e që legjenda ia atribuonte Abaz Aliut. Po ç’thotë kjo legjendë? Abaz Aliu erdhi nga Arabia mbi një kalë të bardhë dhe shpëtoi rajonin nga barbarët. Pasi qëndroi 5 ditë në malin Tomor, ai vajti të jetonte në malin Olimp. Çdo vit, për 5 ditë radhazi, ai kthehej në Malin Tomor. Pra pelegrinazhi i Tomorit mbart në vetvete një histori të hershme. Njerëzia, bektashinjtë në mënyrë të veçantë, i kanë kthyer këto ditë si të shenjta, ditë nga ku marrin forcë shpirtërore për të bërë më të mirën. E, meqë po përmendim sesa i lashtë është besimi për malin e shenjtë të Tomorit, po sjellim diçka nga kujtimet e Eqrem Bej Vlorës i cili plot 111 vjet më parë, pra në vitin 1906, ka përshkruar e sjellë besnikërisht, ashtu si e ka parë me sytë e tij, mekamin e Abaz Aliut në Çukën e Tomorit. “U futëm në të me ndjenja të përziera, duke qenë se në zonën rreth e përqark ajo nderohet nga të gjitha besimet. Bëhet fjalë për një mur rrethor, ndërtuar me gurë të mëdhenj të latuar dhe pa llaç, me një derë të ngushtë në anën juglindore dhe që quhet mekam e në arabisht ka kuptimin vend, vend pelegrinazhi.” Eqrem Bej Vlora qëndron edhe në detaje të tjera dhe sjell fakte nga më mbresëlënëset për malin e shenjtë të Tomorit, por kur bëjmë krahasim me ditët e sotme, me datën 22 gusht të vitit 2017, gjërat kanë ndryshuar, kanë evoluar dhe na shfaqen pamje krejt të tjera. Fjala vjen, në Çukën e Tomorit nuk kemi më atë mekamin e vjetër, të ndërtuar në vitin e largët 1880, të gërryer e të sakatuar nga agjentët atmosferikë, por një mekam krejt tjetër, të ripërtërirë e madhështor, e ku aty pranë qëndron i tretur në bronz flamurtari Abaz Ali. Një adhurues e Abaz Aliut, i cili vjen çdo vit në Tomor, më befasoi dhe ndërkohë më diktoi ta dëgjoja me vëmendje për çka dinte rreth teqesë së Kulmakut dhe klerikëve bektashinj që kanë shërbyer në këtë teqe. Lufta e ka emrin dhe paska ardhur nga Tirana ditën e hënë, më 20 gusht. Më thotë se origjinën e familjes e ka nga Bargullasi, fshat i besimit bektashi në rrëzë të Tomorit. Kur merr rrugën për në teqenë e Kulmakut, e cila kthehet në të majtë të Pronovikut, lagje e qytetit të Poliçanit, medoemos kalon në krah të Bargullasit. Madje të shfaqen shumë bukur edhe Bogova, Novaj, Nishova dhe të gjithë fshatrat përtej lumit Osum që i përkasin malësisë së Skraparit, Beratit e Përmetit. Nga disa pozicione të asaj rruge gjapërushe, të japin ndjesinë e çlodhjes për shkak të gjelbërimit të harbuar që e mbulon masivin e pafund, aq sat ë ha syri. -Pa hë, më thuaj?- ngacmoj besimtarin bektashi Lufta Kondi. – Abaz Aliu ishte një botë e tërë virtytesh dhe meritash-më thotë si të më jepte një leksion për temën që diskutohej. Ai ishte i biri i Imam Aliut, modelit të përsosmërisë njerëzore. E ke dëgjuar ti këtë? Tjetër. Abaz Aliu gjithçka të njerëzishme e trashëgoi nga babai i tij, Imam Aliu dhe u bë në sy të myslimanëve mëshirim i virtyteve më të larta morale si trimëria, besimi, përbuzja, durimi, besnikëria ndaj fesë, kombit. Jo pa meritë, vijonte të fliste bashkëfolësi Lufta, ai thirret edhe Martir, Ujëprurësi, Porta e nevojtarëve, Flamurtar, Rob i sinqertë, Kryetrim, Ambasador i Zotit, Durimtar etj. I ke dëgjuar ti këto çka po të them? E pash me admirim këtë besimtar të ditur. Ai kishte informacion të bollshëm dhe, mesa kuptova, atë ça kishte mësuar rreth shenjtërisë të malit Baba, Abaz Aliut dhe teqesë famëmadhe të Kulmakut, përpiqej t’ua shpiegonte pelegrinëve që kishin dijeni të kufizuara.

Rilindësi i fundit i bektashinjve
Teqeja e Kulmakut është ripërtërirë, ka marrë hijen e vendit të shenjtë. Aty, siç edhe e dimë, kanë shërbyer klerikë me emër, figura të larta të bektashizmit si dervish Iljazi, baba Meleq Shëmbërdhenji, Baba Ali Tomori, dy dervishët Meleq e Medi Qato, Baba Shaban Dervishi, Dervish Hekurani e Besnik Fekushi etj. Por sido që i përmendim me respekt e mirënjohje emrat e këtyre shërbëtorëve shembullorë të bektashizmës, na duhet që të qëndrojmë tek Ai që i dha dritë, tek Ai që mori barrën e rëndë për të ripërtërirë e çuar në vendin që meritonte sekti Bektashian, që i dha frymë nga fryma e tij, tek Baba Reshat Bardhi. Kontributin e tij, Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj, e ka në një mendim të koncentruar “…Ai e ngriti besimin bektashi në lartësinë e besimit të vet historik, në ato lartësi që përmend edhe Naim Frashëri me rilindësit e tjerë shqiptarë”. Baba Reshat Bardhin, si në çdo gusht, “ e gjetëm” aty, në Teqenë e Kulmakut, mes besimtarëve. Trupi i hirësisë së Tij është derdhur në bronz, ashtu si ai i Abaz Aliut në Çukën e Tomorit. Të duket sikur i përshëndet të gjithë, sikur i bekon e u jep urata, sikur jep e merr me të gjallët si atëherë kur ngjitej në çdo fund gushti për të festuar bashkë me ta. Pelegrinët i shkojnë pranë, i falen dhe mundohen të fiksojnë një fotografi në krah të tij. Një ithtar i Baba Reshatit, i cili betohet për të si të ishte shenjtë, mundi të më tregonte një mrekulli, nga ato që realizonte me mistikën e tij vetëm Baba Reshati. Mrekullia ishte realizuar duke shpëtuar nga vdekja një vajzë, për të cilën mjekë të sprovuar ia kishin hequr shpresën për të jetuar. Nëse e do të plotë këtë histori, këmbëngul bashkëbiseduesi, mund ta gjesh të shkruar tek revista jonë “Urtësia”. Nuk tentova të kërkoja hollësira të tjera sepse edhe për mua kjo gjë ishte e vërtetë dhe ka ndodhur me mbesën e një bektashiu nga qyteti i Krujës, Skënder Dedja. Baba Reshati qëndron në mjedisin nga mund të shihet nga të gjithë besimtarët bektashinj, brenda sinoreve të teqesë. Sapo përballemi me shtatoren, ndaj të cilës është treguar kujdes për ta mirëmbajtur, shikojmë një grumbull pelegrinësh. Ata, me sa duket, kanë ardhur nga larg, sepse shikoj që tregojnë interes, kërkojnë hollësira rreth jetës dhe veprimtarisë të këtij kleriku të lartë bektashi. Nuri Çuni, sekretar në Kryegjyshatë, por edhe kompetent për të treguar rreth jetës të Baba Reshat Bardhit, sjell disa detaje që tregojnë se sa i lidhur, se sa merak e ka pasur ai ripërtëritjen, ringjalljen e teqesë së Kulamakut, të mekamit të Abaz Aliut dhe të kontributit të shenjtorit Dervish Iljaz. Sipas tij, pelegrinazhi i fundit i Baba Reshatit paska qenë gushti i vitit 2010. Gëzonte dhe i qeshte fytyra, thotë Nuriu. Madje paska kënduar këngën: 

Engjëll që m’u qase pranë
Nga i madhi zot
Pse më rrëfen Qerrbelanë?
A do të derdh lot?
Në këtë ditë të bekuar morëm vësh se busti në bronz i Baba Reshatit është ngritur në gusht të vitit 2012. Ka plot 5 vjet. Është vendi që të mund të kujtojmë punën plot pasion të skulptorit Arben Bajo dhe emrat e sponsorizuesve me zemër të artë bektashinjsh, Fadil Kapllani e Nikolin Qato.

Kurbani, riti kryesor i kësaj feste
Në këtë udhëtim të bukur dhe me plot të papritura kam si shoqërues Vasil Memën, besimtar ortodoks, por që ka ardhur këtu në Tomor enkas nga qyteti bregdetar, nga Durrësi. Ai ngre supet dhe bën të habiturin kur shikon mijëra bagëti të therura (dhen, qingja e desh) e diku, tutje në një pllajë, mijëra të tjera që presin të bëhen kurban në emër të këtij besimi të vjetër sa s’mbahet mend. -Nëse duhet të shkosh në festën e Abaz Aliut, në malin e Tomorit, kjo nuk mund të ketë kuptim pa flijimin e kurbanit – shpiegon Zalo Qato, bektashi i thekur dhe që ka disa vjet që merret me organizimin e pritjes së pelegrinëve si përfaqësues i Gjyshatës së Skraparit. Ortodoksi Vasil ndjehet ngushtë ngaqë nuk është i përgatitur të bëjë një gjë të tillë, por ndërkohë bëhet sy e vesh për të mësuar diçka më shumë për këtë rit të lashtë të bërjes së kurbanit. Ai mësoi se një veçori tjetër e kësaj feste është edhe lyerja e ballit të pelegrinit me gjakun e kurbanit të flijuar për nder të klerikut për të cilin është taksur. Por nuk mbarojnë këtu ritet e kësaj feste, e cila zgjat pesë ditë. Sipas besimtarëve të këtij sekti, marrja e qirinjve të shkrirë, si dhe dheut, i cili ndodhet në vendin ku prehen klerikët bektashinj, sjell mbarësi. Por këtë të fundit, sipas besimtarëve, e bën edhe hedhja e lekëve dhe e sendeve të tjera në varrin e klerikut, siç është ai i Dervish Iljazit, apo edhe te varri i personit nga ka marrë emrin kjo festë, Abaz Aliut. Aty, pak më poshtë pllajës së mbuluar me bar të zhuritur nga vapa e zgjatur, shikojmë një enë të madhe mbushur me gjak. Është gjak kurbanesh. Njerëzit mezi presin të bëjë këtë ritual, pra të lyejnë ballin, të vendosin atje një pikë gjaku. Gjithandej sheh kasapë që therin kurbanet pambarim, por edhe gjak që derdhet nga trupi i ngrohtë i deles, gjak aq domethënës e që justifikon këtë ngjarje të shënuar fetare. Dy-tre pelegrinë, të cilët sapo kanë zbritur nga lartësia 2416 metra mbi nivelin e detit, nga vendi ku ndodhet mekami i Abaz Aliut, tregojnë paksa entuziastë se atje në majë “na u duk vetja sikur fluturonim, na u duk sikur e gjithë Shqipëria ishte përpara syve tanë”. Vizitorët thonë se kur erret, pra në orët e vona të mbrëmjes, shquhet edhe Brindizi i Italisë. Lëre pastaj ç’të shikon syri në rrezen që të mund të kapë shikimi si portin e Durrësit, kodrinat e Sulovës, malet e Elbasanit e të Tiranës, të Shpatit, Gurin e Prerë e deri tek Çuka e Frëngut në lartësitë e Ostrovicës. Shkurt hesapi, Çuka e Abas Aliut të çmall, por edhe të lë gojë hapur për pozicionin që ka, si e përzgjedhura nga zoti. Ja, bash këtu, në Tomor, tek mali Baba, tek Abaz Aliu, tek i shenjti Dervish Iljaz dhe shpirtndrituri Baba Reshat Bardhi, emrat e të cilëve janë njehsuar me besimin bektashi, vijnë pelegrinë nga i gjithë vendi për të festuar nga 20 deri në 25 gusht të çdo vit. Ashtu siç po festojnë edhe sot, gushtin e vitit 2017.
Sigal