Skandal në Universitetin e Durrësit, rektori mban peng 2 muaj dekanin

746
Një tjetër skandal zbardhet në arsimin e lartë publik shqiptar. Dekani i Fakultetit të Shkencave Politiko–Juridike në Universitetin e Durrësit Elmas Leci është “ndëshkuar” për 2 muaj rresht nga Rektori i këtij universiteti Mit’hat Mema, duke e detyruar të qëndronte në një zyrë me kushte jo normale. Dekani Elmaz Leci mbahej i izoluar në zyrën e tij dhe nuk lejohej që të dilte me urdhër të Rektorit. Ky është skandali i zbuluar ditën e djeshme gjatë një kontrolli të papritur nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ku ka zbuluar Dekanin të lënë “peng” në zyrën e tij. Madje ekziston dhe një procesverbal që dekani Leci firmoste çdo ditë për prezencën e tij në punë 8 orë pa lëvizur. Ai firmoste hyrjen dhe daljen nga zyra dhe ky procesverbal më pas i kalonte Rektorit Mit’hat Mema. Ndërkohë Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se kjo situatë ishte krijuar për shkak se Rektori ka kërkuar që ta shkarkojë Dekanin, por kjo bëhet vetëm me urdhër të Ministres. Madje Rektori Mema i ka dorëzuar një kërkesë MAS për shkarkimin e tij. Në përgjigjen e saj, MAS ka refuzuar kërkesën e bërë. Sipas Lecit, ky lloj ndëshkimi nga ana e rektorit ka ardhur, pasi e ka denoncuar për korrupsion dhe nepotizëm. Gazeta “Telegraf” publikon letrën e hapur që dekani Leci i ka dërguar ministres së Arsimit Nikolla ku denoncon shkeljen e ligjit nga ana e rektorit Mema.
Zonja Ministre! 
Më ndjeni për shqetësimin e përsëritur, por rrethanat janë të tilla që më detyrojnë t’ju drejtohem rishtazi: Me shkresën tuaj Nr. 9050 / 4 datë 17.02.2015, drejtuar rektorit të UAMD., është kërkuar marrja e masave të nevojshme për krijimin e kushteve që unë të vijoj të ushtroj detyrën e Dekanit te FSHPJ në UAMD. Në vend që të zbatojë ligjin, i kallëzuari rektor tenton të manipulojë ministren e Arsimit me shkresën nr. 268/1 datë 18.02.2015, duke e justifikuar moszbatimin e urdhërimit administrativ të shkallës më të lartë në rrugë hierarkike dhe të shkeljes së ligjit duke kryer edhe vepër penale me faktin se përderisa paditësi (unë kallëzuesi) ka paraqitur edhe kërkesë padi në gjykatën administrative dhe çështja është në gjykim, pezullimi mbetet derisa të zgjidhet çështja gjyqësore. Përmbajtja e kësaj shkrese e cila i bashkëlidhet këtij kallëzimi është një nonsens juridik. Është e vërtetë që nga unë si kallëzues është paraqitur në kërkesë padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë me të paditur të kallëzuarin në cilësinë e rektorit të UAMD. Por ngritja e ndërgjyqësisë nga ana ime nuk mund te përligjë, pretendimet justifikuese në këtë shkresë për moszbatimin e akteve ligjore nga ana e tij, pasi:- Akti administrativ i një organi më të ulët nuk ka të drejtë të ndryshojë ligjin ose aktin juridik të një organi më të lartë. Jemi në rastin e rezervës ligjore absolute) pasi në administratën publike vepron parimi i hierarkisë sipas të cilit, aktet e organeve më të ulëta, mund të anulohen ose ndryshohen nga organet më të larta. Në këtë vështrim akti e ka humbur fuqinë e tij juridike si rrjedhoje e shfuqizimit të tij nga akti tjetër administrativ i një organi më të lartë, që është i detyrueshëm të zbatohet nga organet me të ulëta. Kur akti pushon fuqinë e tij juridike, ai nuk sjell më pasoja juridike dhe për rrjedhoje akti i pushuar në këtë rast, konsiderohet inegzistent dhe për rrjedhoje i pazbatueshëm. Në nenin 131 të K. Pr. Administrative parashikohen rastet kur akti administrativ behet i paekzekutueshëm. 
a. Aktet administrative, efekti i të cilave është pezulluar.
b. Aktet kundër të cilave është bere një ankim me efekt vezullues.
c. Aktet të cilat hyjnë në fuqi vetëm pasi miratohen nga një organ administrativ i ndryshëm nga ai që i ka nxjerrë.
Së dyti, kjo ndërgjyqësi është ngritur nga unë ankuesi në cilësinë e paditësit pasi rektori i UAMD–së, nuk po zbaton urdhërimin hierarkik në fjalë, pra pas përfundimit të procedimit administrativ nga titullari i ministrisë i cili e ka shfuqizuar aktin. 
Së treti, urdhër/vendimi i nxjerrë nga rektori për zëvendësimin tim, është nxjerrë në kundërshtim me ligjin sa për rrethanat e përmendura më sipër ashtu edhe për faktin se, bazuar ne dispozitën e nenit 64 të ligjit për Arsimin e lartë, deri në realizmin e zgjedhjeve komandohet në detyrën e dekanit njëri nga zëvendësit e tij. 
Së katërti, fakti që rektori i UAMD–së ka bere kallëzim penal ndaj meje, për rrethanat që ju jeni tashmë në dijeni dhe keni mbajtur qëndrim zyrtar, në aspektin ligjor nuk sjell asnjë pasojë juridike në ushtrimin e detyrës së dekanit nga ana ime. 
Z. Ministre! Më veprimet ose mosveprimet e sipërme të kryera ndaj meje në ushtrimin e detyrës si dekan i zgjedhur i FSHPJ, rektori i UAMD-së, ka konsumuar plotësisht elementet e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës“ parashikuar nga neni 248 i K. Penal. Ato janë kryer me dashje, në kundërshtim me ligjin dhe në mos përmbushje të rregullt të detyrës në funksionin publik të rektorit, e që kanë sjellë cenimin e interesit tim personal dhe të atij publik pasi unë jam penguar ne ushtrimin e funksionit të dekanit si i zgjedhur në bazë të ligjit për Arsimin e Lartë në R. Shqipërisë. Për këtë i jam drejtuar me kallëzim penal edhe prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, një kopje të së cilës e keni bashkëlidhur. Ndjekja e rrugës gjyqësore, krahas ankimit administrativ, për të kërkuar rivendosjen e një te drejte, është një e drejtë e imja si i cenuar drejtpërdrejtë . Edhe kallëzimi penal i bërë nga unë, është në ushtrim të kësaj te drejte. Por me anën e këtij ankimi, kërkoj që rektori i UAMD–së për moszbatimin e urdhërimit tuaj dhe shkeljet e rënda të ligjit të ndëshkohet edhe administrativisht, me mjetet e hapësirën ligjore që ju keni në dispozicion. Si mundet që në vitin 2015, një funksionar publik të shkelë në mënyre kaq të hapet dhe arrogante ligjin, siç ka vepruar e vepron rektori në fjale? Mbetem me besimin se do të zbatoni ligjin, siç edhe keni vepruar gjithmonë.
Elmaz LECI
Dekan, Fakulteti Shkencave Politiko–Juridike, Universiteti “Aleksandër MOISIU” Durrës
Sigal