Shkatërrohet ‘celula’ e korrupsionit në Zyrat e Regjistrimit të Pasurisë në Durrës

1329
Sigal

Pas raportit të KLSH, shkarkohen 20 zyrtarë, tre në ndjekje penale, gati arrestimet

Raporti KLSH dhe Auditit të Brendshëm të DPZRPP, i ka dhënë mundësi organeve kompetente dhe kreut të Ministrisë së Drejtësisë të shkatërrojë celulën e korrupsionit në ZRPP e Durrësit. Janë 20 zyrtarë, duke nisur nga sportelet, regjistrues dhe juristë, që janë shkarkuar nga detyra pas raportit KLSH dhe rekomandimeve për masat penale dhe administrative. Ndërkohë ish-kryeregjistruesi Bedri Luku , dhe dy juristët Kleona Gjyzeli dhe Devis Qano kanë shkuar në ndjekje penale, për të cilët rëndojnë disa akuza si shpërdorimi detyrës, konstatimi i qindra e qindra mbivendosjeve të pronave, dhe abuzimi me vendimet e gjykatave dhe ligjin 7501. Burime zyrtare nga ZRPP e Durrësit i thanë “Telegraf” se “pas një beteje 9 mujore është shkatërruar celula e korrupsionit e cila kishte afro një dekadë që  kishte ngritur strukturat e veta në godinën e kësaj hipoteke dhe ato paralele me institucionet e tjera të vendit, duke krijuar një mal me dosje problematike, shkelje ligjore, shpërdorim të detyrës dhe abuzime të tjera”. Tashmë ZRPP mbetet një derë e hapur për qytetarët e Durrësit- u shpreh drejtori i ri i saj Jurgis Çyrbja. Pas zbulimit të skandaleve duket se në javën e dytë të janarit 2015, pritet të zbarkojë në ZRPP e Durrësit edhe Auditi i Brendshëm, për të evidentuar dëmet financiare të shkaktuara nga celula e korrupsionit, e lidhur me segmente të politikës. Sipas të njëjtave burime mësohet se “tashmë Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin, mbushjen e dosjeve penale ndaj ish-kryeregjistruesit dhe dy juristëve, duke mos përjashtuar edhe marrjen nën hetim të 20 zyrtarëve të shkarkuar. Skandalet me pronat e Durrësit prekin shumicën e  të gjitha trojeve dhe objekteve të ngritura në zonat bregdetare, të cilat gjenden në duelin e gjatë mes proceseve gjyqësore civile dhe penale”. Palë janë ish-pronarët e vjetër durrsakë dhe ata të rinj, ku pjesa dërrmuese janë edhe deputetë, ish-ministra e ministra aktualë, politikanë etj. KLSH ka zbuluar skandale me regjistrimin e pronave në Lalëz, Ishëm, Kallm, plazhin e Durrësit, Rrushkull, Xhafzotaj, Shijak, Rrashbull, Currila, kodra e Vilës së Zogut etj. Kontrollorët kanë zbuluar emra deputetësh dhe politikanësh, që kanë zhvatur pronat e durrsakëve duke përdorur celulën e korrupsionit, duke regjistruar prona që prej 15 vitesh gjenden në procese gjyqësore, duke mos pasur një vendim të prerë e përfundimtar. Gjithashtu duke e interpretuar me dashje gabimisht ligjin 7501, juristët e ZRPP Durrës, kanë dhënë “OK” për regjistrimin e trojeve me problem, si ato të ish-NB-ve etj. Ajo ç’ ka KLSH dhe Auditi i Brendshëm ka zbuluar dhe pritet të zbulojë në ZRPP e Durrësit, përbën ndoshta një nga skandalet më të padëgjuara që kanë ndodhur me pronat në Shqipëri. Prej një viti drejtori i ri Çyrbja është përballur dhe po përballet me segmentet dhe presionet e celulës së korrupsionit, e cila vepronte dhe drejtonte deri tani me metodat e saj gjithë procedurat e regjistrimit të paligjshëm të pronave. Falë angazhimit të tij, sot kjo zyrë hipotekore, është spastruar nga çibanët e zinj, që ishin bërë tmerri qytetarëve dhe ish-pronarëve durrsakë. Duke u mbyllur derën sekserëve dhe kodoshëve të deputetëve dhe politikanëve, që ishin bërë si të shtëpisë në ZRPP e Durrësit, ai u ka hapur derën hallexhinjve dhe atyre që prej vitesh e kishin ëndërr të takonin drejtorin e këtij institucioni apo të zgjidhnin problemin e pronave të grabitura me vulën e shtetit.

Hipoteka e Durrësit, streha e të korruptuarve

Hipoteka e Durrësit historikisht mbahet mend dhe kujtohet nga qytetarët e Durrësit, si streha e të korruptuarve, si vendi ku bëheshin pazare me miliona, ku mbusheshin dosje dhe falsifikoheshin tapi pronash. Hipoteka e Durrësit ka qenë skuta ku mblidheshin deputetë dhe sekserët e tyre, dhe ujdisnin me forma dhe metoda të paligjshme regjistrimin e pronave të grabitura nga pronarët e vjetër. Hipoteka e Durrësit ka qenë qoshja ku sekserët derdhnin milionat dhe luanin me fatet e pronarëve dhe jetët e tyre. Mbi 3 mijë dosje me problem ka trashëguar stafi i ri i ZRPP nga paraardhësit e 10 viteve të fundit, të cilat duhet të hetohen dhe penalizojnë cilindo që ka futur duart, ka grisur dhe ka hipotekuar mijëra metra katrore troje në bregdet. Hipoteka e Durrësit  ishte kthyer në vend bixhozi ku luhej me fatet e ish-pronarëve dhe qytetarëve, ndërsa sot ka ardhur koha të përgjigjen ata që shkaktuan këtë gjëmë dhe katrahurë në institucionin e shtetit, duke abuzuar me ligjet e shtetit. Nga 1 dhjetori 2014, Prokuroria e Durrësit ka bllokuar dhe vazhdon të bllokojë dosjet e paligjshme, ndërsa pritet marrja në ndjekje penale dhe arrestimi i 20 personave që ka rekomanduar KLSH dhe Auditi Brendshëm i MD.

Tefik Osmani