Intervistë me Erjon Kristo, prezantues i emisionit televiziv “Bardhë e Zi”: Ligji për të ndaluar dekriminalizimin e Parlamentit, një shaka e mesnatës
Megjithëse politikanët e të gjithë spektrit politik në Shqipëri janë të “palodhur”, teksa flasin 24 orë në ditë, edhe pse e dinë që as militantët e tyre nuk u besojnë më ngaqë në ligjëratat e tyre nuk preket nervi i realitetit që jeton populli ynë. Vetëm sarkazma mund të përballet me pangjyrësinë e politikës tonë, që edhe kur premton se do të kriminalizojë parlamentin nga kriminelët që u dha vetë mandatin e deputetit, të duket se është një shaka e …mesnatës. Erjon Kristo, pedagog dhe aktivist i Shoqërisë Civile, prezantuesi i emisionit televiziv “ Bardhë e Zi” te TvSCAN, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon atë që gjithë shqiptarët jetojnë, por nuk guxojnë të reagojnë: “Politika jonë nuk ka ngjyrë. Ne vuajmë ende për ujë e bukë.
– Zoti Kristo, politika jonë në këto 23 vjet, përse ende ka mbetur në bardhë e zi dhe nuk ka ngjyra të tjera?
– Duhet pasur kujdes me këtë term. Zoti vetë ka krijuar mrekulli me këto dy ngjyra në natyrë. Le të kujtojmë zebrën, dalmatët, orkat, pinguinët, pëllumbat, etj. Politika shqiptare s’ka ngjyrë fare. Prandaj, jeta jonë s’ka ngjyra fare. Ne ende vuajmë për ujë e drita.
– Kush e ka privilegjin e së bardhës dhe cilët eklipsohen në të zezë nga kjo politikë?
– Privilegji funksionon sipas asaj shprehjes popullore: Në ato maja rripa-rripa… Kush është sipër, sheh vetëm diell. Kush është poshtë, sheh vetëm natë. Po ata vetë nuk mërziten nga kjo. Vetëm shtyjnë ditët sa të ndërrojë radha.
– Çfarë rotacioni u bë në 23 qershor 2013?
– Në 23 qershor u bë ai rotacion që është bërë dhe me parë, shumë herë gjatë një çerek shekulli tranzicion. Pra, vuuuuu e në vend.
– Sa e majtë është treguar kjo maxhorancë e së majtës politike?
– Është treguar kaq e majtë, sa ndryshoi dhe ngjyrën, nga rozë në mavi. Për të tjerat, s’ka lidhje fare me të majtën. Po, kur them fare, nënkuptoj fare-fare. Ndjesë, përveç propagandës.
– Nëse keni pyetur ndokënd, a është rilindur nga qeverisja e tanishme shpresa e tij për një jetesë më të mirë, shpresa për një të nesërme më të mirë të familjes së tij, për një administratë publike me një tjetër sjellje në shërbim ndaj qytetarëve, apo një shtet që ka një politikë më njerëzore sociale, çfarë përgjigje keni marrë?
– Kjo pyetje për mua është shumë e thjeshtë. Mua njerëzit më shkruajnë përditë. S’kam nevojë t’i pyes fare. Ata e kanë hapur gojën mirë. Ngjarjet e fundit në Vlorë, ideja e panikut, e dyndjes, e ikjes, e ilustron më së miri llojin e shpresës.
– Cilët janë ata që u “rilindën” me qeverisjen e tanishme?
– Askush nuk u rilind, përveç disa bulevardeve qytetëse. Rilindje do të ishte: një politikë më humane, një politikë më konsensuale, një reformë e vërtetë e gjyqësorit, e politikës vetë dhe e sistemit të votimit. Këto nuk kanë ndodhur, prandaj jemi në kufijtë e normalitetit shqiptar.
– Çfarë ndjesie ju ngacmojnë thëniet në kor të maxhorancës, edhe të opozitës, kur ngjiren se do të luftojnë korrupsionin edhe të zyrtarëve të lartë, kur ende një dosje akuze nuk ka mbërritur në ….gjykatë?
– Për të qenë të saktë kanë mbërritur në gjykata me dhjetëra dosje të korrupsionit. Po ende janë shumë pak, në raport më atë masakër që ka ndodhur. Këtë masakër e ka parashtruar shumica e sotme, që tundte dheun dje. Po sot, i ka ngecur zëri në grykë. Korrupsioni është një këngë shumë e bukur, për të mos u kënduar.
– A jemi ne, qytetarët të përgjegjshëm, kur japim votat për të njëjtët politikanë, për të njëjtat politika, që kurrë nuk përmbushin pritshmërinë tonë?
– Tradhtinë e madhe ndaj Shqipërisë nuk e kanë bërë politikanët tanë hajdutë profesionistë. Tradhtinë e madhe e kanë bërë vuajtësit: populli. Populli është bashkautor i fatit të tij mjeran, përderisa shet votat me thasë mielli.
– Atëherë, a kemi atë të drejtë që atyre politikanëve të cilëve u mirëbesojmë besnikërisht votën tonë, t’u kërkojmë paskëtaj, përse na zhgënjejnë?
– Aktualisht jo. Në të vërtetë, duhet.
– Ju, çfarë ndjesie ju lind, kur dëgjoni me të madhe, nga çdo maxhorancë, që “do të ndërmarrim reforma të thella…”?
– HAHAHAHAH, i fus një të qeshur të paparë. Është një shprehje që thotë: po më gënjeve një herë të lumtë, po më gënjeve për herë të dytë, është faji im. HAHHAHA Po për herë të 10?
– Përse te ne shteti nuk ka asnjë vazhdimësi me rotacionin e pushtetit ekzekutiv, por edhe atë legjislativ?
– Vazhdimësia të prish punë. Viti zero është më i lehtë.
– Përse politika jonë përherë është një ndeshje futbolli, që kërkon gjithnjë një arbitër ndërkombëtar që të flasin midis tyre, qoftë edhe “mirëdita”?
– Janë si ata fëmijët e llastuar. Nuk ngopen duke vjedhur vetë dhe kanë nevojë për dikë që të garantojë vjedhjet e tyre. Edhe ndërkombëtarët ndonjëherë u japin një besim të papërligjur. E mira do ishte të mos i ulnin në asnjë tryezë, derisa të heqin morrat nga koka.
– A mund të quhet demokraci mirëfunksionale kjo e jona, apo të pretendojmë se do ta arrijmë, kur populli voton listën e kryetarëve të partive e jo përfaqësuesin e tij në Parlament?
– Quaje çfarë të duash, po gjynah të ofendosh një term kaq të respektuar. Kishte më shumë demokraci në kohën e diktaturës.
– Derisa edhe Kryetari i Parlamentit pranoi që do të dekriminalizojë Parlamentin, cila është ndjesia juaj: Përse u lejuan kriminelët të futen në Parlament?
– Për t’i përdorur. HAHAHA-AH!. Politika nuk mund të mos i përdorë dhe t’i flakë si limonë të shtrydhur. Në Shqipëri nuk ka kuptim fjala “i fortë”.
– A besoni se p/ligji që përgatitet për të “parandaluar” kriminelët në Parlament, do të na vaksinojë politikën dhe ne qytetarëve, këtej e tutje?
– Është një shaka mesnate.
– Kush vret më shumë?
– “Më shumë vrasin intelektualët që s’flasin”.
– A do t’i përgjigjeni ftesës së kryeministrit Rama që t’i drejtoni pyetje, për të marrë përgjigjen Live?
– Jo! Ai nuk i ka qejf vërejtjet!
Reformat e thella të maxhorancës: HAHAHAHA-AH!
– Ju, çfarë ndjesie ju lind, kur dëgjoni me të madhe, nga çdo maxhorancë, që “do të ndërmarrim reforma të thella…”?
– HAHAHAHA- AH, i fus një të qeshur të paparë. Është një shprehje që thotë: po më gënjeve një herë të lumtë, po më gënjeve për herë të dytë, është faji im. HAHHAHA Po për herë të 10?
– Faleminderit!
Jakup B. GJOÇA