Selman Meziu/ Dhembshuria për të gjelbërtën

534
Nuk dëshiroja të më mbërthenin me pranga. As të vetëquhem Don Kishoti i Mançes. Ndoshta edhe një i tillë duhet. Por i veshur me pigmentin e gjelbërt. Se vetëm kështu ndihem i qetë, i qeshur, gjakftohtë… I dashuruar fort pas pyllit, luleve, barit, korijeve… I pastër në shpirt. Pa paragjykime, të botës meskine. Pa tingëllimat e mprehta të monedhave metalike. Pa mendësitë e kubeve të hardallosura të politikës. Pa skllavëri të shpirtit, mendjes, trupit. Sa herë hedh një ide. Sa herë mundohem të ndërtoj qelizat e rritjes pranverore. Më vrasin. Më përvëlojnë pamëshirshëm, membranën qelizore të klorofilës së mendimit. Dua që ajo të formohet. Kuptohet. Nën rrezet e diellit. Nën dritën e ngrohtësinë e tij. E ashtu të shumohen qelizat. Të ngjyrosen me të gjelbërën qetësuese. Jetëformuesen e algave e deri tek arneni shekullor i Livadhit të Qeshkës. Kështu të rriten gjethet shumëformëshe. Aparati i përsosur biologjik, klorofil formues. Të zgjaten degët, shumë degëzash e mijëra sythe të përgatiten për nesër. 
Kështu trupi i rrapit, pishës, ahut do të hidhte shtat. Do të bëhesh më i dobishëm. Më mikpritës për dallëndyshet mysafire e ketrin banor të përjetshëm. Ndaj harxhoj mjaft kohë. Shpenzoj energji shumë vatshe. Ndjej lodhje. Këto jo për t’i hedhur vetes parfume. As për t’u paraqitur i zgjuar, i bukur, i….. Dhe jo kurrë s’dua të ndeshem me të burgosur. Të jem i dhunshëm. Dhe kurrën e kurrës t’i vras me shpatën e mprehtë. Megjithatë, unë dua të jetoj. Në bashkësi. Në vetëveprim e lëvizje. Në mënyra të ndryshme. Me ide të shumta. Duke biseduar e lëshuar pe njëri – tjetrit. Për të kuptuar në thellësi e gjerësi. Botën shpirtërore. Artin e profesionit. Ekologjinë e ndërgjegjes. Për të psikologjisur, të vogëlin, fshatarakun, profesorin, pylltarin inxhinier, teknikun e pyllit. Për t’u edukuar me luftën për të drejtën time, e jo vetëm. Për të gjetur kufirin ku mbaron liria ime. Ku fillon detyrimi i juaj. Ku nis e etshme dija. Po padia deri ku i ka shtrirë metastazat? Këtu krijohet nyja e Aleksandrit të Madh. Nuk dua të përdor shpatën e çuditshme të tij. Jo, kurrë! Dua të bëj drurët të flasin. Era të formoje bashkë me to muzikën. Ajo të shëron të ledhaton. Kështu dua unë, të bind tjetrin. Me butësi. Me maturi. Duke diskutuar për shumë shtigje. Që të bashkohemi në një. Tek kauza e së blertës. Ta duam e të luftojmë për ta fituar, unë morthonomaku i gjelbërt dhe ti në majën e piramidës së shkencës. Njëlloj. Natyrën. Ndërsa bariu, që me lëvoren e lëngëzueme të frashërit, arrës, të ndërtoi borizanin. 
E ky me oshtima luginash plotë jetë, të përcjell mesazhin: Të shpëtojmë pyjet nga grabitësit pa diplomën e silvikulturës. Të shpëtojmë pylltarët nga helmimi ideologjik, politik, përdhunimi profesional! Por qënka e vështirë. Mjaft e koklavitur. Kokëfortë. E pabesë. Kryeneçe. Me mijëra hendeqe. Me pak suksese. Nuk më dëgjojnë. Nuk më bashkohen. Më hutohen. Nevrikosen. Shahen e bërtasin, çirren në mes tyre dhe….largohen pa adresë, drejtim. Heshtin. Thurin plane ogurzezë. Nuk ndjejnë se pisha e prerë loton ar, fiku lëshon pika qumështi ndërsa arrës e shtogut i hynë ujët e shiut në palcë. Dhe ma kalbëzojnë qetësisht. Por me plot dhimbje gjallese. E ne, disa pylltarë tretemi nga dhimbja. Nga mjerimi. Dikujt i ther në shpirt. Por s’bëzan. Tjetri qesh me botën e vetë që po i rrëshqet. Me katastrofën natyrore që erdhi. Kuptohet e parapërgatitur. Njerëzit veç shanin, qanin me lot dhimbjeje. Nevrikoseshin. Kurse politikanët më kot tani kërkojnë të arnojnë fajet, me fasha fajsie. Me llafollogji. Projekte banale. Premtime. Demagogji. Fitime kolosale qe i derdhin në ujvarën e tyre të jetës luksoze. Ky është fundi tragjik, i trinomit njeri- natyrë – pylltar. Po mua kush më shpëton? Heshtja. Tërheqja pa kushte. Lëshimi i vetes, në shtratin e vdekjes. Apo të tërhiqem në skutat e errëta të mjeranëve. Mund të fshihem edhe në mes turmave të të pafajshmëve. Mund të ha e të bëj qejf. Kuptohet. Barku e qafa më majmen vetvetiu. Të flas vesh më vesh. 
Të konsumoj birrën, të bëhem qejfli i rakisë dhe thelbit të hudhrës. Kështu idetë fiken. Mendimi vyshket si kurora e ahut gjigand, sharruar prej dorës muskuloze të njeriut, në mesin e qershorit. Sigurisht. Dalë ngadalë, thahemi. Na coptojnë. Diku mizorisht na përdorin. Si t’iu vijë përdoresh. Syreshëve. Të pamunduarëve. Të paditurëve. Ato që në jetë dëshirojnë një vezë sot e kurrë e asnjëherë një pulë mot. Kështu bëhem, mbetem e pagëzohem viktimë. Por vallë çfarë lloje viktime? Luftë atomike, biologjike… Apo pabesish e xhelatësh politik e të pa besë. Ashtu si Anteu që forcën e merrte nga toka, edhe mua ma dhuron me plote dëshirë pylli. Eshtë forca e natyrës që e mbanë: një gjallesë të shëndetshme e bukuri mahnitshme. Ura biologjike, tokë hapësirë ajrore. Gjithmonë në përsosje. Në zhvillim të vashdueshëm kolektiviteti. Në bashkësi e unitet me qeniet me shpirt një qelizor e deri tek likenet e kaprollin, gjelin e egër e ariun trup madhe e babaxhanë. Mjedis pastër si askush.
Oksigjen formues. Pastrues të pisëlleqeve. Filtrues të ajrit. Tërheqës të bletëve. Dashurues të njeriut që i rri pranë pyllit. Ku i japin njëri – tjetrit në vazhdimësi. Pamjen madhështore e burrërore. Ushqehen e bashkëpunojnë reciprokisht. Duke e kuptuar kështu shtresën biologjike pyll, unë, pylltari dëshiroj e jam si ai. Por jo vetëm unë, por me dhjetëra e mijëra. Të rinj. Të moshuar. Të aposionuar. Rindërtues të modeleve të strukturës qelizore të kambiumit. Vëzhgues e eksperimentues të dukurive bio-ekologjike, fitopatologjike, fotosintezës, apo ndërtimit qelizor të gojëzave ku kryejnë avullimin e marrin frymë. Unë pylltari me status 40 vjeçar, ti me moshë rinore, i sapo diplomuar: nuk duhet të biem viktimë. Nuk duhet të jemi aventurierë. Duhet të mbrohemi nga fletët e mullirit të sistemeve politike, të konjukturave, të mendësive flluska sapuni. Ne të jemi të qetë e plotë objektivitet. Kështu do të mundim matrapazët e pjesëve te trupit tonë pyll, gështenjë, dushqe, ahe. Do të qeverisim me shkencë, kulturë profesionale, çdo copë dru, çdo fidan, çdo pëllëmbe livadh apo secilën kafshë do ta ruajmë ushqejmë e mbrojmë. Prirja jonë duhet të jetë të duam malësorin. Ta këshillojme e t’i jemi pranë. Për ta ndihmuar dhe bashkëpunuar. Për të jetuar në harmoni me pyllin, njeriun, mjedisin rrethues. Kështu duan apo nuk duan disa, ne nuk jemi Don Kishotër aventurierë. Kush nuk bindet e nuk pranon, pse nuk hesht ose… Këshilla e mirë të shëron. Mjedisi i gjelbërt të çlodh, të ushqen, të jep punë të… Të argëton. Kurrë nuk të tradhton edhe në luftrat e përgjakshme të mbron. E atëhere unë nuk do të jem asnjë lloji viktime. Por marthonomak i gjelbërt, në sjellje, veprime, punime përkujdesëse e respekt për pyllin e gjithçka përreth por edhe i ngjizur me njeriun.
Sigal