Rritet çmimi i karburanteve. Ja sa do të paguani

198
Prej 3 ditësh tashmë, të gjithë drejtuesit e automjeteve kanë vënë re një rritje të çmimit të karburanteve (naftë dhe benzinë) me të paktën 5 lekë/litër. Konkretisht, nëse deri të premten një litër naftë shitej me rreth 168 lekë/litër, tashmë ajo është rritur në 173 lekë/litër. Ndërsa benzina ka lëvizuar nga 169 lekë/litër në 174 lekë për një litër.
Ndërkohë, disa të tjera që pretendojnë për karburante më cilësore e kanë rritur çmimin deri në 179 lekë për një litër.
Kjo rritje e çmimit të karburanteve ka ardhur si rezultat i me faktin që në tregun ndërkombëtar janë rritur çmimet e naftës bruto. Në rast se në 21 qershor të këtij viti në bursat ndërkombëtare një fuçi naftë amerikane (WTI – West Texas Intermediate) arriti një minimum prej 42.52 dollarësh, ditën e premte kjo shifër ishte në nivelin e 54.9 dollarëve për fuçi, me një rritje prej 29 %.
Dhe duke qenë se në vendin tonë, mbi karburantet e importuara rëndojnë një sërë taksash, kjo ka bërë që çmimi në treg të ndryshojë duke pësuar rritje.
Kjo, duke filluar nga taksa doganore, akciza, etj. Kurse kompanitë tregtare të pakicës shtojnë nga ana e tyre edhe një kosto tjetër, që ka të bëjë me shpenzimet e tyre për punonjësit, taksat vendore dhe qendrore, etj, për të arritur, nga 146 lekë për litër, që blihej nafta të premten tek shumica, në 173-178 lekë për litër tek klienti fundor.
Për këtë arsye, Shqipëria vijon të mbetet një nga vendet në rajon dhe Europë, me çmimin më të lartë të karburanteve.