Qeveria: Rishikimi i koncesionit me rrezik! SGS ka ekskluzivitetin e kolaudimit të makinave

154

 Deputetët kërkojnë kryerjen e kontrollit teknik nga distributorët ligjor të automjeteve

Kompania SGS ka ekskluzivitetin e kolaudimit të makinave në vend, gjë që nënkupton edhe kushtin kryesor të kësaj marrëveshje koncesionare nga ana e kompanisë zvicerane. Ky pohim ka ardhur nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto gjatë diskutimit në Kuvend për ndryshimet në Kodin Rrugor. Në përgjigje të propozimit të disa deputetëve për kryerjen e kontrollit teknik të automjeteve nga distributorët ligjor të automjeteve, ministri Haxhinasto informoi se “përpara se të ndërhyjmë në kontratën e këtij koncensionari duhet të shikojmë zbatimin e kontratës që kemi me këtë kompani, pasi kompania ka ekskluzivitetin e këtij shërbimi”. Kjo marrëveshje koncesionare në thelb është e paligjshme, pasi që në nisje të saj ka shkelur hapur Ligjin e Konkurrencës.

 Kur do të liberalizohen kolaudimet?

Edhe pse në vitin e dytë të qeverisjes së saj, qeveria nuk po gjen forcën për të anuluar koncensionet e dhëna nga qeveria “Berisha”. Dhënia me koncesion e kolaudimit të automjeteve kompanisë zvicerane “SGS Automotive Albania” në vitin 2009, i hoqi përfitime prej miliona eurosh sektorit publik, nëse ky shërbim do të administrohej nga shteti, siç në fakt rezulton të jetë në shumë shtete të tjera. Kolaudimi, është një proces kontrolli i përvitshëm që në bazë të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë është i detyrueshëm një herë në vit për çdo automjet që është i regjistruar në vendin tonë. Por, ky shërbim njihet si një nga monopolet më korruptive, më arbitrare dhe më rrënuese për shqiptarët. Skema e ryshfetit dhe e korrupsionit, që shkreton ekonominë e mijërave familjeve, tashmë është e njohur për të gjithë. Miliona euro shkojnë për llogari të kompanisë që ka shërbimin monopol, falë lidhjeve klienteliste me qeverinë e kaluar, por, mesa duket edhe me elementë të pushtetit aktual. Thuhet se disa kompani kanë shprehur interesin për të ofruar këtë shërbim, porse, kushti në marrëveshjen e koncesionit për të pasur ekskluzivitetin e këtij shërbim e lë të qetë kompaninë monopol. Që nga viti 2009 ky shërbim ka pjellë vetëm problematika, kryesisht në tarifa dhe shërbim, për drejtuesit e automjeteve, të cilët me të drejtë (falë edhe komunikimit me jashtë) bëjnë krahasime me vendet e tjera. Ata kërkojnë që kolaudimin ta bëjnë në firmën së cilës i përket automjeti i tyre, derisa edhe firmat kryesore të automjeteve kanë përfaqësuesit e tyre në vendin tonë. Por me atë çka pohoi dje ministri Haxhinasto në Kuvend kjo duket thuajse e pamundur.

 Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës

Duke u nisur nga këto problematika si dhe nga kërkesa e Komisionit të Ekonomisë për hetim të disa prej koncesioneve, Autoriteti i Konkurrencës ka hetuar veprimtarinë e kompanisë koncesionare. Nga hetimi i këtij aktiviteti, Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës në qershor të këtij viti, që të merren masa sa i përket kontrollit teknik të mjeteve. Autoriteti jep një sërë sugjerimesh në vendimin e tij, duke shkuar deri te liberalizmi i shërbimit. Konkurrenca në vendim ndalet në dy zgjidhje që mund t’i shërbejnë përmirësimit të shërbimit për qytetarët: I pari është që në rast se koncesioni do t’i mbetet një kompanie, të sigurohet që të ketë më shumë pika për qytete të mëdha si Tirana, në mënyrë që të shmanget edhe radha. Por edhe pse si mundësi, kjo është në kundërshtim me linjën që sugjeron Konkurrenca për të mos pasur monopole. Kështu që si sugjerim i dytë vjen edhe mundësia e liberalizmit të shërbimit, duke lënë kështu kompani të tjera të bëhen pjesë e tregut.

Rama: Kolaudimi i makinave, jo më monopol

 Në janar të këtij viti, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi liberalizimin e sistemit të kolaudimit të automjeteve, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e anulimit të koncesionit në këtë drejtim, të cilin e cilësoi si një sistem korruptiv. Rritja e standardit teknik të automjeteve është një tjetër masë për sigurinë rrugore, ka deklaruar kryeministri Rama.

“Ministria e Transportit ka qenë e qartë për t’u thënë qytetarëve që mbajnë radhë për të kolauduar automjetet dhe i paguajnë kohë e shumë para, jo vetëm nga buxheti i shtetit dhe xhepi i tyre, një koncesioni korruptiv, arbitrar. Ky është koncesion në shqyrtim. Do të bëhet anulimi apo relativizimi i këtyre koncesioneve monopol. Por ky nuk është proces që bëhet partizançe, por kërkon ekspertizë ligjore. Në fund të këtij procesi ne do të vendosim se çfarë do të bëjmë, ose do ta relativizojmë sistemin ose do e liberalizojmë atë”, ka thënë Rama gjatë një takimi kombëtar për sigurinë rrugore.