Qeveria kthen tunelet e Enverit

332
Zbulohet vendimi që ngarkon Ministrinë e Mbrojtjes të kryejë procedurat e rehabilitimit dhe restaurimit të katit nëntokësor të kryeministrisë
Qeveria ka miratuar një vendim të posaçëm për të rehabilituar katin nëntokësor të godinës së kryeministrisë. “Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes, që, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, si autoritet kontraktor, të kryejë procedurat përzgjedhëse të operatorit ekonomik dhe negociatat për kontratë të klasifikuar, për realizimin e projektit ‘Rehabilitimi dhe restaurimi i katit nëntokësor të Kryeministrisë’”, thuhet në vendim. Gjithashtu, ky vendim ngarkon për zbatim Ministrinë e Mbrojtjes, Kryeministrinë, Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Qeveria nuk ka bërë të ditur detaje të tjera rreth projektit, ndërsa dy objekte të rëndësishme në Tiranë tashmë janë hapur për publikun. Bëhet fjalë për bunkerin nën Ministrinë e Brendshme dhe një godinë disakatëshe në periferi të Tiranës. Sipas rrëfimeve të ish-zyrtarëve të regjimit komunist, duke filluar që nga zona e ish-bllokut dhe deri pranë Malit të Dajtit shtrihet një rrjet i gjerë tunelesh, i ndërtuar për të garantuar sigurinë e udhëheqësve më të lartë të shtetit. Rrjeti i tuneleve raportohet, se fillon që nga Garda e Republikës dhe shtrihet në zonën e ish-Bllokut dhe deri në qendër. Po ashtu ka një rrjet tjetër që shkon drejt Malit të Dajtit, ndërsa përflitet se ka degëzime për në zonën e Kërrabës. Të gjitha këto rrjete përmblidhen në një vend, që ndodhet pranë qendrës së Tiranës. Mes Ministrisë së Transporteve dhe Teatrit Kombëtar ndodhet nën tokë një bunker gjigant me shumë zyra, ku në raste sulmi bërthamor administrata do të strehohej aty për të vijuar punën. Kjo pjesë tashmë është hapur për publikun. Në sajë të tuneleve ka një lidhje nëntokësore mes institucioneve kryesore të vendit, duke filluar që nga Kryeministria, Kuvendi, Presidenca, madje dhe disa institucione të partnerëve ndërkombëtarë, si ambasada apo misione të tjera. Pjesa më e madhe e këtyre tuneleve vijojnë të jenë në gjendje të mirë. Gjithashtu për publikun janë hapur edhe disa godina që më parë përdoreshin nga institucionet shtetërore. Një prej tyre është edhe një godinë në qendër të Tiranës, e përdorur nga Sigurimi i Shtetit. E quajtur si “Gjethja”, godina ka shërbyer për shumë vite si një qendër e përgjimeve telefonike.