Pse Kuvendi duhet të shqyrtojë çdo raport auditimi performance të KLSH-së

438
Nga Dorel BALLIU
Auditimet e performancës në Institucionin shqiptar Suprem të Auditimit (SAI), prej 5 vjetësh, janë kthyer jo vetëm në përçues të “frymës së performancës” tek entet publike, por edhe në domosdoshmëri. Duke pasur si objekt auditimin e zbatimit të politikave qeveritare apo reformave te ndryshme nën “filtrin” e parimeve të ekonomicitetit, eficiensës dhe efektivitetit, ato krijojnë urën lidhëse midis institucioneve shtetërore dhe ndërgjegjes kolektive si vlerësuese e tyre. Bëhet, kështu, fokal informimi i plotë dhe i paanshëm i taksapaguesve shqiptarë rreth politikave të ndjekura nga Administrata, rreth veprimtarisë, proceseve dhe programeve që ajo planifikon e ndërmerr. Impakti që KLSH ka, mund të kontribuojë në përdorimin më të mirë të burimeve dhe shërbimeve publike, me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve. Por cili është institucioni me të cilin KLSH nevojitet të ketë bashkëpunimin më të ngushtë dhe të frytshëm? Informacionet objektive dhe të mbështetura në fakte, sa i përket mënyrës ekonomike, eficente dhe efektive të përdorimit të këtyre burimeve nga ana e Qeverisë, duhet t’i sigurojnë taksapaguesit se Buxheti i Shtetit është shpenzuar në mënyrë të ligjshme dhe të përgjegjshme. Institucioni që miraton dhe autorizon Buxhetin është pikërisht Parlamenti, roli “watchdog” i të cilit kryhet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. SAI-t dhe Parlamentet janë aktorët kryesorë që “kërkojnë llogari” mbi përdorimin e fondeve e të pronës publike nga ana e Qeverisë. Parlamenti nuk mund të ketë kapacitetin dhe ekspertizën të kontrollojë vetë këto burime, por mbështetet në raportet objektive, profesionale dhe vlerë-shtuese të Institucionit Suprem të Auditimit. Në kontekstin shqiptar, me gjithë bashkëpunimin e mirë brenda kuadrit ligjor ekzistues, sferat e aktivitetit të këtyre institucioneve, njëri ligjvënës dhe tjetri i pavarur e kontrollues i zbatimit të ligjeve e politikave, takohen vetëm në disa raste. Do të nevojitet raporti për zbatimin e Buxhetit të Shtetit, mendimi për raportin e KM për shpenzimet financiare të vitit pararendës, raporti vjetor i veprimtarisë së KLSH-së, si dhe informacioni për rezultatet e raporteve sa herë që Parlamenti e vlerëson të nevojshme, që këto institucione të nxisin shkëndijën e bashkëpunimit. Megjithatë, praktikat e mira kanë treguar se një bashkëpunim “me kohë të plotë”, i vazhdueshëm dhe cilësor, shpie drejt një marrëdhënieje më efektive, e për pasojë, drejt standardeve më të mira qeverisëse dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve. Mënyra më e mirë për arritjen e këtij bashkëpunimi KLSH – Kuvend, përdorimin nga ky i fundit të punës audituese dhe llogaridhënien nga ana e Qeverisë do të ish caktimi i kësaj detyre një komisioni parlamentar. Ose më saktë, një nën/komisioni. Shembuj të parlamenteve evropiane tregojnë se si këtë punë mund ta zhvillojë një komision i projektuar për Buxhetin apo Ekonominë. Jo më larg se Kosova, na shfaqet shembulli i përkryer i kësaj simbioze funksionale SAI – Parlament, i cili ka Komisionin për Mbikëqyrje Financiare dedikuar raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Më konkretisht, çështja shqiptare do të përkthehej në një Nënkomision për Auditimin e Jashtëm Publik në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Ideja nuk përbën, as mit sizifian me angazhim mbinjerëzor, as projekt futuristik. Rezoluta e Kuvendit për vlerësimin e veprimtarisë së KLSH-së për vitin 2015 e parashikon qartë mundësinë e këtij nën/komisioni parlamentar për të monitoruar në mënyrë sistematike aktivitetin e KLSH-së dhe zbatimin e rekomandimeve. Përpos kësaj, mbetet vetëm “vullneti legjislativ” për vënien në jetë dhe funksionimin e tij. Krejt natyrshëm mund të lindë pyetja përse fokusimi kryesisht tek auditimi i performancës. Auditimi i reformave, i “temave të nxehta”, i atyre që kanë jehonë të thellë në opinionin publik, auditimi i politikave të ndjekura nga institucionet qeveritare apo i performancës së një enti publik përbëjnë instrumente për identifikimin e përmirësimeve që duhet të kryhen dhe ngritjen e zërit nga ana e Ligjvënësit. Ata kthehen në pasqyrë të gjendjes aktuale në vend, të certifikuara nga një raport i paanshëm dhe profesional i 6 muaj pune, kaluar nëpër filtra të shumëfishtë kontrolli të brendshëm dhe miratuar nga një institucion i pavarur dhe kushtetues. Një përfaqësues i zgjedhur nga populli nuk do t’ishte veçse i kënaqur të diskutonte mbi një raport të gatshëm tashmë, duke drejtuar gishtin drejt fajtorëve; një komisioni parlamentar do t’i rritte cilësinë e punës dhe autoritetin midis sivëllezërve të vet; ndërsa një ekzekutiv do të mund të konsolidonte pozitën e tij duke pranuar e zbatuar rekomandimet e caktuara nga KLSH. Auditimet e perfomancës bartin një kulturë të re të procesit auditues në vendin tonë. Performanca buxhetore rreshtohet përkrah asaj institucionale si objekt auditimi, për të vënë nën lupë përdorimin e shpenzimeve publike. Megjithëkëtë, plagët emergjente në sistemin e qeverisjes publike dhe dëmet që i shkaktohen Buxhetit të Shtetit nuk përjashtojnë që Kuvendi të shqyrtojë edhe raportet e auditimeve financiare. Në këtë prizëm, marrëdhënia e Kontrollit të Lartë të Shtetit me Parlamentin do të prodhonte një precedent të ri për mirëqeverisjen. Rendja drejt familjes së madhe evropiane, shoqëruar me luftën kundër korrupsionit, forcimin e shtetit ligjor dhe reformën në drejtësi, nënkupton një funksionim sa më të frytshëm të pushteteve dhe institucioneve. Jemi të sigurt dhe të ndërgjegjshëm se bashkëpunimi KLSH – Kuvend me anë të krijimit të një Nën/komisioni parlamentar për Shqyrtimin e Raporteve të Auditimit, në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, do të shërbejë si një perpetuum mobile i debatit politik dhe llogaridhënies, me qëllimin e vetëm e të epërm: përmirësimin e vazhdueshëm e pa kompromis të jetës së qytetarëve shqiptarë. 

Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit