Projekti i autostradës së Vlorës është i devijuar, për interesa klienteliste

1386
Sigal

Zbardhet e vërteta e konfliktit të shpronësimit të banorëve në rrugën “Kushtrimi”, në Vlorë

Banorët e lagjes “Kushtrimi” vazhdojnë të protestojnë kundër qeverisë për shpronësimet e truallit dhe të shtëpive të tyre, në atë zonë ku do të kalojë rruga që lidh autostradën Vlorë-Fier me rrugën Transballkanike, pasi, sipas tyre, çmimi i truallit që u shpronësohet është një çmim qesharak, i krahasuar me vlerën reale të çmimit të tregut. Por ka edhe nga ata banorë që nuk e kanë në pronësi, apo të legalizuar shtëpinë, dhe shteti u jep thërrime për dëmshpërblim. Dje ministrja Gjermeni publikoi edhe mënyrën e shpërblimit që do bëjë qeveria, duke përsëritur ato që ishin bërë publike, duke shpërfillë krejtësisht kërkesat e banorëve. Madje, dje INUK-u, për të demonstruar forcën, dërgoi në Vlorë gjithë makineritë e rënda, të cilat do të shembin shtëpitë, por, edhe pse kishte deklaruar që prishja do të fillonte që dje, INUK-u, për të qetësuar sadopak gjendjen, deklaroi që shembjet e shtëpive do të fillojnë të shtunën, duke u dhënë kohë banorëve të lirojnë banesat e tyre.

Projekti i devijuar për interesa klienteliste

Gazeta “Telegraf” duke u bazuar në dokumente ligjore, dëshmon se segmenti që do lidhë autostradën Fier-Vlorë me rrugën Transballkanike, është një devijim i projektit të mëparshëm. Nëse nuk do të ishte devijuar për interesa klienteliste, projekti i autostradës me hyrje në Vlorë, sot, shteti do të paguante më pak kosto për shpronësimet e më pak probleme sociale. Plani rregullues i Vlorës, i miratuar në vitin 1996, ka përcaktuar saktë se ku duhet të kalojë autostrada. Është një projekt i hartuar që në vitin 1988, së bashku me projektin e BYPASS dhe tunelin që do të çante mes për mes Llogaranë, me qëllim shkurtimin e rrugës për në bregdetin e Jugut. Zona ku do kalonte autostrada, e vendosur në planin rregullues të vitit 1996, nuk ka ndryshuar as në vitin 2005, kur është miratuar një tjetër plan rregullues për qytetin e Vlorës. Ditët e fundit, kur ka nisur dhe konflikti qeveri-banorë për shpronësimet në vendin ku autostrada bashkohet me rrugën Transballkanike, ka nxjerrë në pah devijimin e autostradës.

Kush e ka devijuar autostradën nga plani rregullues i 1996-ës, që është në fuqi?

Banorët, pretendojnë se ata kanë ndërtuar aty sepse e dinin që nuk i kapte asnjë plan rruge dhe vonë kanë mësuar se vija e autostradës ishte ndërruar dhe për pasojë kalonte në shtëpitë e tyre. Pas daljes në dritë të planit rregullues, pyetja që formulohet natyrshëm është se kush e ka devijuar autostradën nga miratimi ligjor në 1996-ën, plan rregullues i cili është ende në fuqi? Përgjigjen duhet ta japin institucionet përkatëse, të cilat duhet të bëjnë publike se mbi çfarë plani apo projekti janë mbështetur ata që kanë devijuar autostradën, devijim i cili po shkakton kaq shumë konflikti midis banorëve të Vlorës dhe qeverisë.