Prof. Edmond Panariti: Siguria ushqimore nis ndërgjegjësimi i prodhuesve, tregtarëve e konsumatorit, garantohet nga AKU

850
Kontrolli efikas e i pa tolerueshëm për sigurinë ushqimore në prodhim dhe tregje vendi e importi, por edhe të produkteve që dalin nga Shqipëria nga “portat” kufitare-doganore, po duket qartazi që është detyrë dhe detyrim prioritar për Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit, me definicion vendosjen e standardeve të vendeve të BE, me objeksion kryesor mbrojtjen e konsumatorit që është dhe bëhet pjesë e tregut shqiptar. Në trajtesën që Gazeta “Telegraf” po i bënë prej disa ditësh temës së tregjeve dhe prodhimit ushqimor në Shqipëri është angazhuar me prononcimin e tij edhe Ministri i Bujqësisë e Ushqimit, Prof. Dr. Edmond Panariti, i cili ka bërë një pasqyrë të punës së bërë në dy vitet e fundit prej Ministrisë që ai drejton dhe prej institucionit shtetëror të specializuar AKU në drejtim të garantimit të sigurisë ushqimore, të problematikës dhe projekteve për standardizimin e tregjeve dhe prodhimit ushqimor, sidomos për ushtrimin e kontrollit sistematik e të imët të çdo produkti ushqimor e lëndë të para ushqimore që futen apo kalojnë nga importi në territorin, industrinë dhe tregun shqiptar! 
– Zoti Ministër, Gazeta “Telegraf” po publikon një monitorim që kemi realizuar në tregun ushqimor, në vlerësimin Tuaj, cila është situata aktuale e këtij sektori në Shqipëri? 
Situata e sigurisë ushqimore në vend të ne përmirësim të qëndrueshëm. Kjo dëshmohet edhe nga fakti, se numri i rasteve me infeksione dhe toksinfeksioneve popullate me prejardhje ushqimore, kohët e fundit është në rënie të madhe. 
– Ministria që ju drejtoni, prej dy vitesh po zbaton një strategji të re e konkrete progresive, në strukturimin dhe funksionimin e tregut ushqimor, cilat janë disa nga drejtimet kryesore?
Strategjia jonë e re e sigurisë ushqimore, mbështetet në parimin nga ferma në tavolinë i cili bazohet tek parandalimi i ndotjes së prodhimeve ushqimore dhe jo thjesht tek zbulimi dhe eliminimi i prodhimeve të ndotura. Kontrolli i treguesve të sigurisë dhe cilësisë të ushqimeve fillon aty ky nis prodhimi, pra që në arë, në sera, në stalla, pemishte, zgjoj bletësh. Kontrollohen rigorozisht dhe cilësia dhe sasia e inputeve bujqësore të përdorura në procesin e prodhimit. Ndalohen ato plehra kimike, insekticide, fungicide, rodenticide te cilat nuk janë të regjistruara dhe te miratuara nga Bashkimi Europian. Janë në kontroll rigoroz të gjithë lëndët shtesë që përdor industria agro-ushqimore shqiptare në procesin e prodhimit, si psh., ngjyruesit, aromatizuesit, konservuesit, përmirësuesit e shijes etj. Pavarësisht se janë të lejuara me ligj ne e dekurajojmë përdorimin e tyre dhe nxitim dhe promovojmë prodhimet bujqësore dhe ushqimore bio.
– Siç dihet, tregu shqiptar furnizohet nga prodhimi vendas dhe i importit, si është menaxhuar ky treg dhe a ka vend për forcim kontrolli në vazhdim? 
Shqipëria këtë vit për herë të parë ka ngushtuar ndjeshëm raportin negativ midis importeve dhe eksporteve bujqësore nga 1:& ne 1: 4,8 Kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe i detyrohet kryesisht rritjes se ndjeshme të eksporteve bujqësore në masën 54% në shkallë kombëtare, ndërsa për zëra të veçante si perimet e freskëta kemi pasur dyfishim të eksporteve. Ne kontrollojmë rigorozisht të gjitha prodhimet bujqësore të cilat importohen nga vende që janë jashtë Bashkimit Europian, ku dhe rreziku është më i madh, për shkak të mungesës së sistemit të gjurmimit të origjinës. Rrjeti prej 9 laboratorësh të kontrollit ushqimor rajonal, një dhuratë e Bashkimit Europian është garanti i kontrollit të treguesve të cilësisë dhe të sigurisë të ushqimit.
– Aktualisht, në zbatim të politikave të kontrollit ushqimor, Shqipëria ka tregje me standarde si në vendet e BE, çfarë projektesh ka ministria për të kompletuar këtë fizionomi tregjesh në shkallë vendi?
Tregjet ushqimore të qyteteve ndërtohen dhe kontrollohen nga bashkitë. Ministria përcakton kriteret dhe standarde teknike dhe higjeno-sanitare të tyre. Përgjegjësi direkte, Ministria ka për pikat e mëdha të grumbullimit të prodhimeve bujqësore, të cilat po shtohen në mënyrë te jashtëzakonshme edhe me ndihmën dhe përkrahjen tonë direkte si dhe, për ndërtimin dhe mbikëqyrjen e tregjeve të bagëtive dhe të thertoreve. 5 projekte të mëdha të financuara nga ministria dhe donatorë të rëndësishme priten të fillojnë vitin që vjen dhe do të ndryshojnë rrënjësisht situatën infrastrukturore dhe atë higjieno-sanitare në pikat e grumbullimit të prodhimeve bujqësore, tregjet e kafshëve etj.
– Prej ministrisë janë financuar projekte për ferma, fabrika, aktivitet përpunues agro-ushqimor dhe sektorë që kanë lidhje me prodhimin ushqimor për popullatën, mund të na thoni diçka konkrete?
Mënyra më e mençur dhe më e efektshme për të ndihmuar zhvillimin e bujqësisë është të investosh në pika grumbullimi, magazina frigoriferike, sera, fabrika përpunimi dhe linja teknologjike paketimi. Ndikimi i tyre tek fermerët është shumë herë më i madh sesa të shpërndash para individualisht në formë asistence sociale. Të kuptohemi nuk jam kundër asistencës sociale përkundrazi shteti duhet të rritë paratë për shtresat e varfra në nevojë, por kjo nuk bëhet me paratë e bujqësisë të cilat duhet të shkojnë për nxitje prodhimi, përpunimi dhe eksporti. Këtë tip financimi kemi zbatuar masivisht këtë vit dhe prandaj patëm këtë kërcim historik të prodhimit vendas. Nje bujqësi që nuk eksporton është një bujqësi që nuk zhvillohet.
– Kur flasim për treg dhe prodhim importi, kemi parasysh kontrollin në kufi, cili është bashkëpunimi me vendet që nisin dhe presin produkte ushqimore në aktivitetin import-eksport? 
Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë me vendet fqinjë dhe me gjerë dhe nuk aplikon diskriminim ndaj prodhimeve të importit. Por ne kemi reaguar me forcë ndaj çdo diskriminimi që u është bërë prodhimeve tona nënë pretekstin e aplikimit të marrëveshjeve fitosanitare.
– Në dy vitet e fundit është rinovuar baza ligjore për kontrollin dhe sigurinë ushqimore, a mendoni se është e plotë?
Baza ligjore në fushën e ushqimit është në përditësim të vazhdueshëm. Aty transpozohen në kohë reale, të gjitha direktivat e BE në fushën e sigurisë dhe cilësisë së ushqimit.
– Ç’mund të na thoni për implementimin e përvojave të tregut dhe prodhimit ushqimor të vendeve të BE, sa bashkëpunim keni me institucionet ndërkombëtare të tregut dhe ushqimit? 
Modeli i tregjeve ushqimore, si dhe i gjithë sistemi i prodhimit, përpunimit, shpërndarjes dhe tregtimit të prodhimeve bujqësore ndjek Matricën Europiane, si dhe i referohet edhe standardeve të përcaktuara në kodeksin ushqimor të FAO-s Ne jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me BE dhe FAO-n si dhe AUTORITETIN Europian të Ushqimit në këtë drejtim.
– Është fakt, që tregu në Shqipëri ka ndryshuar, sa kontribut kanë institucionet e tjerë lokal e qendror ligj-kontrolluese e ligj-zbatuese në këtë ndryshim? 
Ky ndryshim është thjesht produkti i një sinkronie dhe sintonie të pushtetit qendror dhe atij vendor. Përndryshe sfida do te ishte e humbur që në start.
– Cili është vlerësimi juaj për veprimtarinë e AKU në këtë standard të ri që është vendosur në prodhimin dhe tregjet ushqimore?
AKU, ka transformuar sistemin e mbikëqyrjes dhe të kontrollit të sigurisë ushqimore, nga një mekanizëm statik, horizontal dhe konstatues në një sistem cilësisht të ri dinamik, vertikal, gjurmues dhe parandalues. Ky sistem ofron garanci për siguri të niveleve europiane të ushqimit tonë të përditshëm.
Sigal