Prof. Dr. Ago Nezha merr sot titullin “Nderi i Qarkut të Vlorës”

597
Sigal

Këshilli i Qarkut të Vlorës nderon sot Prof. Dr. Ago Nezhën. Këshilli ka marrë vendimin për t’i akorduar titullin “Personalitet i shquar i qarkut” me motivacionin për kontribute si publicist, krijues e veprimtar kulturor si kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria. Ceremonia do të organizohet sot në orën 10:00 në Pallatin e Kulturës Labëria. I pyetur nga “Telegraf”, se si ndihet dhe çfarë do të thotë për të ky titull, Prof. Dr. Ago Nezha shprehet: “Sigurisht që kam një ndjesi të veçantë, sepse këtë titull e marr në vendin tim që për mua është si Meka, sepse këtu kam nisur startin tim, që nga mësimet e para në Dukat e mandej edhe disa vjet i angazhuar me punë, punë e cila më pas më mbajti pak larg qytetit tim. Për mua është kënaqësi e veçantë, sepse këtë titull ma jep qyteti im, pasi unë kam marr edhe titull më të madh se ky që është “Mjeshtër i madh”, por ndjesia që kam nuk mund të krahasohet me nderin që më bën Vlora. Vlora është origjina ime, është nostalgjia për vendin, ku kam kaluar fëmijërinë dhe kjo më bën përgjegjës dhe krenar. Është një përjetim i veçantë nga pikëpamja e ndjenjave, sepse më vë në një detyrim sa moral aq edhe shoqëror. Këtë vlerësim Këshilli i Qarkut e bënë, sepse Vlora është vendi, ku ka nisur e gjithë veprimtaria ime. Labëria është një vend me vlera të mëdha atdhetare, patriotike, të mikpritjes e bujarisë. Labëria është një minierë e madhe dhe ka shumë njerëz të shquar që kanë shkruar e kontribuuar për të. Mjaftojmë të kujtojmë këtu thëniet e korifenjve të letrave shqipe si Noli, i cili thoshte “Kur lëngon Shqipëria zgjohet Labëria”. Por një shembull tjetër është ajo e klerikut Shtjefën Gjeçovit, i cili si peshkop luftoi kundër Italisë fashiste. Kështu në një letër nisur që nga Vlora ai i shkruante kryepeshkopit të Shkodrës “Hirësi kur të vij në Shkodër do t’ju bëj të flisni labçe”. Madje një thënie Labërie e papërsëritshme është edhe kjo që “Vlonjati për Shqipërinë shet shtëpinë, fal pasurinë dhe jep fëmijën”. Por edhe rilindësi i kohës së sotme, akademiku kosovarë Prof. Dr. Rexhep Qosja njëherazi edhe kryetar nderi i shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria në kuvendin e tretë të Labërisë në Vlorë në përshëndetjen e tij ka thënë që: “Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë”. Këto shprehje nuk janë thënë nga njerëz që janë labë, por këto përbëjnë një standard dhe qëndresë për Vlorën që dhe mua më rriti me krenari si birin e këtij vendi”,- tha Prof. Dr. Ago Nezha.