Sigal

Gjatë darkës zyrtare pas ceremonisë solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në respekt të traditës shqiptare, ngriti disa dolli për Princin e Monakos, Lartësisë së Tij të Përndritur, Albert II.

Presidenti Meta, pasi vlerësoi mesazhet e rëndësishme të kësaj vizite, ngriti tre dolli për nder të Princit të Monakos, Lartësisë së Tij të Përndritur, Albert II dhe miqësisë mes vendeve tona.

Ja fjalimi i plote i Metes:
“Unë vij nga një qytet i jugut të Shqipërisë, që quhet Skrapar, i famshëm për rafting dhe kanionet e mrekullueshme, ku dollia është një institucion dhe njerëzit e përdorin atë për të treguar respekt dhe për të nderuar miqtë. Për këtë arsye, e shfrytëzoj këtë rast për të ngritur disa dolli këtë mbrëmje.

Dollia e parë është për Lartësinë Tuaj dhe delegacionin Tuaj. Ju na nderoni shumë me vizitën tuaj në Shqipëri.

Dollinë e dytë e ngre për vendin Tuaj dhe i uroj Monakos dhe popullit monegask sa më shumë progres e prosperitet nën udhëheqjen Tuaj.

Të tretën, ia kushtoj miqësisë mes dy vendeve tona, për të cilat jam i sigurt se pas kësaj vizite do të forcohen dhe intensifikohen më tej. Dhe së fundmi, ngre një dolli për Ju, për Princeshën Charlene dhe për fëmijët tuaj binjakë, Princesha Gabriella dhe Princi Trashëgimtar Jacque. Ju uroj të gjithëve një jetë të gjatë dhe të lumtur. Gëzuar!”, – tha Presidenti Meta.