Policët e DSHTRR, si gjobëvënësit e Haxhi Qamilit

79
Uniformat e Drejtorisë e Shërbimeve të Transportit Rrugor, janë kthyer në gjobëvënës private, duke mos lënë në asnjë rast që tu kalojnë automjetet e rënda , të ngarkuara ose jo me mallra, pa u marrë bakshishin. Ata janë uniformat e shtetit, por që realisht janë kthyer në “taksambledhës” për xhepat e tyre. Pothuajse në të gjitha akset rrugore nacionale dhe kryesisht në autostradat Elbasan-Durrës dhe Durrës-Tiranë, ky fenomen kaq negativ korruptiv, mbetet shumë i përhapur. Porthuajse çdo 1 km do të shikosh uniformat e DSHTRR dhe njerëzit që mbajnë veshur ato uniforma që vetëm ligjin dhe rregulloret nuk zbatojnë. Çdo automjet i rëndë apo i tonazheve të lehta, që posedohen nga firma, kompani, biznese, ose persona të tjerë, do të ndalohet nga uniformat gri të DSHTRR, në mbikalime dhe nënkalime, në hyrje në mes dhe dalje autostradash, me pretendimin se do të “kontrollojmë dokumentacionin e makinës”. E ndërsa shoferi zgjatet dhe merr qesen ose dosjen me dokumentat e makinës, uniforma gri e DSHTRR, nis dhe i hakërrohet, duke nxjerrë pretentime pas pretendimesh, ende pa hapur dosjen e mbushur me dokumentat e makinës për t’i treguar gjithçka ligjore. 

Peripecitë e shoferëve

Një shofer që punon në një firmë private në Elbasan ka deklaruar për “Telegraf” se “përpara 3 ditësh, tek udhëtoja me kamionin e firmës, të ngarkuar me mall me destinacion Tiranën, por duke zgjedhur aksin rrugor Elbasan-Durrës, jam ndaluar 4 herë, një herë në Papër, në Plepa, një herë në Maminas dhe një herë tek kthesa e Kamzës, duke më gjobitur dhe duke më marrë edhe rryshfet policët e DSHTRR, nuk hanin pykë fare, kërkuan dosjen e dokumentave ja dhashë, pastaj më nxorrën kleçka pa asnjë arsye dhe në fund më thanë … ke ndonjë kafe për ne, dhe kjo ndodhi plot 4 herë”. Shoferi i kamionit tha se “në rast se dal me emrin tim e pësoj më keq, por e vërteta është se ata në një aks rrugor ndahen sikur ta kenë bërë me fjalë, dhe kërkojnë vetëm para nën dorë”. Një tjetër rast është edhe ai i një burri rreth të 60-tave i cili u ndalua në Maminas dhe nga uniformat e DSHTRR iu kërkua se “përse nuk je autovinç ti, por je vetëm vetëshkarkues, do të gjobitesh më thanë dhe nuk më lanë të iki derisa u dhashë kafenë, kjo është skandaloze. Janë bërë më keq se ata të Qarkullimit Rrugor, madje këta të fundit tani nuk marrin sepse kanë frikë, kurse ata me uniforma gri as nuk u trembet syri fare”.

Rastet korruptive
Këto raste dhe dhjetra raste të tjera që ndodhin çdo ditë në rrugët kombëtare dhe autostradat e vendit, mjaftojnë për të treguar se korrupsioni ka marrë përmasa alarmante dhe po shtrihet nga zyrat e shtetit tek uniformat që kanë mbushur rrugët e vendit. Detyra ligjore e uniformave të DSHTRR ka qenë dhe mbetet kontrolli i dokumentacionit zyrtar të çdo automjeti që kryen transport mallrash, duke nisur nga furgonët dhe deri tek kamionët e tonazheve të rëndë dhe kurrsesi zhvatja e parave me dhunën verbale e cila u bëhet hapur shoferëve të punësuar nga firmat dhe bizneset. Shoferët shprehen se “nuk guxojmë të udhëtojmë në akset nacionale se na mbytën me gjoba të cilat nuk janë të justifikuara ligjërisht pasi ka nga ata punonjës të DSHTRR që nuk njohin as ligj dhe as rregullore, por na nxinë jetën duke na marrë edhe para nën dorë dhe guxo mos u jep, pasi të vonojnë, gjobitin dhe bllokojnë automjetin”. Drejtoritë e DSHTRR-ve duhet urgjentisht të marrin masa radikale dhe të ndalin vrullin e korrupsionit të uniformave të tyre, pasi ata shpesh shprehen se “lëri dokumentat, ke gjë për ne”. Ndoshta kaq do të mjaftonte për të menduar dhe thirrur me të madhe se “policët gri të DSHTRR e paskan taktikë pune dhe paskan edhe OK e shefave, kur marrin para nën dorë nga shoferët e mjeteve të rënda të transportit”. 
Tentakulat e korrupsionit
Tentakulat e korrupsionit natyrisht nuk kanë lënë pa prekur edhe këto drejtori që prej vitesh mbeten të përfolura për korrupsionin e shtrirë në gjithë strukturat e tyre. Dëshmitarët okularë të cilët janë ndodhur ndoshta edhe rastësisht pranë vendeve ku uniformat gri të DSHTRR kryejnë gjoja kontrollet, treguan se “paratë e zhvatura ndahen, të voglat në xhepa, kurse të mëdhatë në çantën e punës”, skena këto aspak të denja për unoformat e shtetit, që duhet të njohin dhe e kanë detyrim të zbatojnë vetëm ligjin.