Plazhi kthehet në zonën e këmbimit të euros

1310
Sigal

Mijëra dhoma hotelesh, pallatesh e vilash, të cilat janë prenotuar të jepen me qira gjatë këtij sezoni veror në plazhin e Durrësit, janë vlerësuar me euro. Meqenëse 90 për qind e kapaciteteve  akomoduese të plazhit zihen nga pushues kosovarë dhe maqedonas, në vendet e të cilëve punohet me euro, pronarët e plazhit kanë parapëlqyer që këtë sezon veror pagesat t’ i bëjnë me euro. Janë pikërisht eurot e kosovarëve ato që kanë mbajtur të stabilizuar vlerën e lekut në këtë periudhë, pasi emigrantët tanë kanë ardhur me pakicë deri më sot. Gjatë ditëve të para të muajit qershor, ka pasur një rritje të numrit të pushuesve në plazhin e Durrësit. Nga të dhënat operative të grumbulluara nga pronarët e hoteleve, pallateve dhe të vilave të plazhit, mësohet se janë zënë rreth 70 për qind e dhomave në vijën bregdetare, Ura e Dajlanit–Shkëmbi i Kavajës. Rreth 90 për qind e pushuesve janë kosovarë dhe shqiptarë të Maqedonisë. Por, ndryshe nga vitet e shkuara kur të gjitha pagesat kryheshin me lekë, këtë sezon një pjesë e tyre realizohet me euro. Kështu, një dhomë hoteli apo pallati kushton nga 15 euro deri 20 euro në ditë. Ndërsa, një dhomë në banesat e ulëta përtej rrugës, kushton nga 10 euro deri 12 euro në ditë. Pagesat janë kryer në monedhën europiane. Ndërkohë që, pushuesit shkëmbejnë eurot me lekun tonë te kambistët për shpenzimet e ushqimit e për të tjera shpenzime në pjesën e brendshme të qytetit.

Pushuesit

Por ndërkohë, remitancat e emigrantëve tanë janë në nivele të ulëta në krahasim me vitet e kaluara, por edhe ata që kanë ardhur për të kaluar pushimet, nuk kanë ndikuar në tregun e shkëmbimit të valutës, sikurse ndodh me kosovarët dhe me shqiptarët e Maqedonisë, të cilët po i shpenzojnë eurot e pushimeve në plazhet e Durrësit. Pushuesit nga Kosova e Maqedonia tregojnë, se do të kishin pranuar që të paguanin me euro edhe për ushqimin, por nëpër lokale e restorante e shkëmbejnë monedhën europiane me hile, pasi e ulin vlerën e saj reale në mënyrë të ndjeshme. Shkaku që pronarët e hoteleve të plazhit po punojnë me euro lidhet me pasigurinë që ata kanë për perspektivën fare të afërt të lekut.