“Peshkatarët e Perlave” hap sezonin e Teatrit të Operës

789
Inva Mula e Ramona Tullumani do të interpretojnë rolin e Lejlës në veprën e famshme të Bizesë
Opera “Peshkatarët e Perlave” e kompozitorit Georges Bizet, me libret të Michel Carre dhe Eugene Cormon vjen këtë fundjavë premierë për publikun shqiptar për tre net në skenën e Pallatit të Kongreseve. Me këtë shfaqje, Teatri i Operës dhe Baletit çel edhe sezonin artistik. Sopranoja e njohur Inva Mula, dy vite pasi vuri në skenë operën “Pagliacci”, rikthehet si regjisore, por dhe si protagoniste në shfaqjen operistike, që mban emrin e kompozitorit Georges Bizet. Kasti i artistëve përmban emra të njohur të skenës operistike shqiptare, por dhe të huaj, ku spikasin soprano Ramona Tullumani dhe baritoni Armando Likaj. Në këtë premierë sopranoja Mula vjen, jo vetëm si regjisore, por dhe me rol në skenë. Personazhi i Lejlës do të interpretohet nga sopranot Inva Mula, Ramona Tullumani dhe Simona Karafili. 

Opera do të shfaqet për publikun në datat 22, 24 dhe 25 shtator dhe dirigjent është francezi Zherar Akoka. Në vitin 1990 kur kjo vepër operistike u vu në skenë me regji nga Nikolin Gurakuqi, rolin e Lejlës e interpretoi Inva Mula. Më pas ky produksion u vu dhe disa herë të tjera në opera. Për herë të parë “Peshkatarët e Perlave” u ngjit në skenën e TKOBAP në mars të vitit 1964. Me regji të Luigj Gurakuqit dhe nën dirigjimin nga Mustafa Krantja, kjo shfaqje u realizua me dekor dhe kostumografi nga Shaban Toptani. Mjeshtrat e skenës operistike shqiptare, që interpretuan në këtë vepër ishin Nina Mula, Ksanthipi Mullisi në rolin e Lejlës, Zihni Berati, Gaqo Çako, Maliq Herri në rolin e Nadirit, Avni Mula, Ramiz Kovaçi, Hysen Kurti në rolin e Zurga, Lukë Kaçaj, Koço Timko në rolin e Nurabadit. Kjo vepër është një nga më përfaqësueset e repertorit operistik botëror, i cili ruhet sot në fondin e jashtëzakonshëm të historisë së vënieve në skenën e TKOBAP. 

Vepra operistike “Peshkatarët e Perlave” është me tre akte. Ajo u dha për publikun francez më 30 shtator 1863. Opera tregon historinë e dy burrave, miqësia e përjetshme e të cilëve kërcënohet nga një grua. Ngjarja rivjen kësisoj nga kohët e lashta në ishullin e Ceilon. Dilema e “Peshkatarët e Perlave” është konflikti në mes të dashurisë laike dhe betimit të saj të shenjtë si një priftëreshë. Sinopsi i kësaj vepre operistike, nga më të famshmet dhe më të debatuarat e asaj kohe dhe krijimi nga Bize e ngritën në kult këtë kryevepër. Në kohën e premierës, kompozitori i operës “Peshkatarët e Perlave” Bize ishte vetëm 25 vjeç. Vepra operistike “Peshkatarët e Perlave” tashmë bën pjesë në fondin e artë të veprave operistike.
Sigal