Përgatitet 24 qeli për VIP-at e politikës

550
Sigal

Pritet arrestimi i anëtarëve të Bordit të BSH, tregtarë të mëdhenj të pijeve e naftës, ish-drejtues të Shëndetësisë e CEZ, 6 kryekomunarë e 3 kryebashkiakë të zonave bregdetare, të akuzuarit e “21 Janarit”, ish-ministri Imami dhe ish-kryepolici Burgaj

Skandali më i fundit i vjedhjes së parave duket se, jo vetëm ka hapur oreksin e prokurorëve, por edhe ka bërë që politikanët, tenderuesit dhe të paprekshmit e politikës të djersiten, kur kujtojnë qelitë e burgut dhe prangat që janë bërë gati për ta. Një pjesë e qytetarëve e quajnë mrekulli dhe çuditërisht, kanë filluar t’i cilësojnë njerëzit e ligjit ose më saktë, për të qenë të drejtpërdrejtë, prokurorin që urdhëroi arrestimin e Fullanit, si hero. Po çfarë heroi është një prokuror, kur për ‘të, më minimalja është respektimi i ligjit, shqyrtimi, hetimi dhe përgatitja e akuzës për abuzuesit apo shkelësit e ligjit. Pra në fund të fundit ky prokuror bëri detyrën, të cilën duhet ta bëjnë të gjithë prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore në Shqipëri. Kjo nuk do të thotë se, ky prokuror nuk meriton vlerësime, por duhet pranuar fakti se një pjesë e mirë e këtyre prokurorëve ishin kthyer në pazarxhinj dhe sot, që po funksionon ligji dhe vetë shteti ne na duket çudi. Madje, në kohën kur Edi Rama ishte në opozitë njerëzit e drejtësisë (gjykata, prokurorë), i cilësoi në ligjëratë të drejtë si koorporatë e biznesmenëve të shtetit. Populli thotë “më mirë vonë se sa kurrë”, ndaj këto iniciativa të nisura nga Prokuroria duhen përshëndetur pavarësisht se, brenda këtyre vendimeve prokurori –gjykatë ka hije dyshimi dhe lidhje të shkurtra, që nuk është koha dhe momenti i kësaj analize. Dje, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla deklaroi se është gati lista me arrestime të reja dhe se kjo listë, do shtrihet në pushtetet qendrore, lokale, të sotëm dhe të djeshëm.

Bordi i Bankës Qendrore të Shqipërisë

Pas arrestimit të anëtarit dhe njëkohësisht kreut të Bordit, Ardian Fullani një tjetër anëtar Ardian Civici ka dhënë dje dorëheqjen. Kjo dorëheqje pritet sot të shoqërohet sipas disa burimeve edhe nga Ermelinda Meksi, pa dyshim, e vetmja anëtare me integritet në këtë Bord dhe që kërkoi dorëheqjen e Fullanit që ditët e para. Nëse ligjërohet largimi i saj, atëherë bie Bordi i Bankës së Shqipërisë pasi 2 anëtarë mungonin prej kohësh, një u arrestua, një dha dorëheqje, një pritet ta japë sot dhe me 5 anëtarë mangët, nga 9 që janë gjithsej. Ky Bord ka rënë dhe nuk mund të marrë asnjë vendim pasi ligji e kërkon, që vendimet të merren me shumicë. Ndoshta pas kësaj, Prokuroria pritet të nisë arrestimet e tre anëtarëve të Bordit pasi është njohur edhe me procesverbalin e mbledhjes së Bordit para tre javësh.

Hipotekat, doganat dhe tatimet

Pas hetimeve intensive të Krimit Ekonomik dhe Antikontrabandës pritet arrestimi i disa tregtarëve të fuqishëm të karburanteve dhe pijeve alkoolike. Që të dyja këto mallra janë me akcizë dhe flitet për shifra marramendëse të kontrabandës, pasi nga vendet e origjinës kanë ardhur dokumentet origjinale. Shifra, sipas hetimeve arrin në mbi 320 milionë euro në vit.

Shëndetësia, Transportet dhe Energjetika

Tenderat e ilaçeve, marrja e jashtëligjshme dhe në kundërshtim të plotë me vendimet e qeverisë do të bëjë që drejtuesit më të lartë politikë të kësaj ministrie, të përballen me dhomat e izolimit. Milionat e harxhuara gjatë këtij viti për dezinfektimin e mushkonjave dhe historitë tronditëse të avionit të dezinfektimit janë prova të pakundërshtueshme për t’i hedhur prangat titullarit përgjegjës të abuzimeve me paratë e shqiptarëve. Nga kjo përgjegjësi nuk përjashtohet, edhe ministri Haxhinasto, i cili pavarësisht shout me kompanitë e ndërtimit, do t’i duhet të japë llogari për ndryshimet e preventivave për tenderat e bëra para dy vitesh. Fshehja e sigurisë së ofertës në vlerën e 80 milionë eurove në privatizimin e Albpetrol-it, ku Haxhinasto ishte ministër dhe Kryetar i Entit të Prokurimit nuk do ta shpëtojë dot nga burgu për shpërdorim detyre. Shuma që Haxhinasto, si ministër i shkaktoi shtetit është gati 11 herë më e madhe se sa vjedhja në Bankën e Fullanit. Superskandali dhe pazaret me dhënien e 90 milionë eurove kompanisë çeke të CEZ-it pa bërë auditimin dhe pa hapur kontratën, të cilën kjo kompani e shkeli dhe madje, shiti në Europën Perëndimore dhe Lindore miliona euro lëndë të parë, të mara nga ish- kompania shqiptare KESH, si kabull elektrik, kabina dhe transformatorë. Ndoshta Gjiknuri do jetë njeriu që do të paguajë padiskutim faturat e fshehura të CEZ-it dhe kontratën që nuk u zbatua asnjë ditë…

Pushteti lokal

Janë plotë 6 kryetarë komunash të zonave turistike që pritet të arrestohen nga dita në ditë si dhe 3 kryetarë bashkish, ku njëri është i qyteti të madh dhe që i përket socialistëve. Një pjesë e mirë e tyre janë gjetur me shkelje nga KLSH-ja dhe një pjesë nga denoncimet e qytetarëve.

Ministri i Mbrojtjes dhe ish-Drejtori i Policisë Shtetit

Abuzimet me karburantet në ministrinë e Imamit si dhe përdorimi i milionave për fushatë elektorale, duket se do jetë telashi i radhës për ish-ministrin e Mbrojtjes. Ndërsa moszbatimi i urdhër-arresteve të Prokurorisë nga Hysni Burgaj për vrasjet e 21 Janarit, duket se do të jetë shkaku i arrestimit të këtij të fundit, aq më tepër që edhe vetë Komiteti për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe Amnisti Internacional ka kërkuar përgjegjësi dhe gjykim ndaj kësaj ngjarje që është e paprecedentë për një vend që dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Përfundimisht, janë plotë 24 arreste që priten nga dita në ditë të nisin nga ekzekutimet, duke treguar se, kërkesa e Merkelit për një drejtësi të pavarur nuk do të vonojë. Nëse dosjet e këtyre arrestimeve do mbeten në sirtar, kjo do të përbëjë, edhe kulmin e skandalit dhe zhgënjimit europian për politikën dhe papërgjegjshmërinë e Tiranës zyrtare.