Pas ikjes nga Shqipëria, Papa Francesku i futet bixhozit, hap lotari me 12 euro bileta

601
Sigal

Pas vizitës në Shqipëri, as Papa Francesku nuk ka mundur t’i shpëtojë dot “infektimit” prej veseve të realitetit shqiptar. Këto ditë, një njoftim zyrtar i dalë prej Selisë së Shenjtë në Vatikan, njoftonte se Papa Francesku ka hapur një lotari financiare ndërkombëtare, me fitim dhuratash të ndryshme, nëpërmjet blerjes së biletave me logon “Papa Francesku Lottery”. Çmimi i një bilete të lotarisë “Papa Francesku” është 12 euro. Ja njoftimi zyrtar i Vatikanit për hapjen e lotarisë me dhuratat e Papa Franceskut, publikuar prej Zyrës së Shtypit të Vatikanit: “….Për të gjithë ata që janë dashamirës të lotarive të fatit, tashmë mund të provojnë të fitojnë makinën “Fiat Panda” në Vatikan, sipas lotarisë ndërkombëtare, organizuar prej Papa Franceskut me shumë dhurata, kundrejt blerjes së një bilete lotarie 12 euro. Në lotari janë vënë dhurata për fituesit 1 makinë “Fiat Panda”, një kapele stil “Panama” dhe një ekspres kafeje. Të gjitha këto janë dhurata që Papa Francesku, i ka marrë nga njerëzit dhe tashmë po i dhuron si çmime lotarie, ndërsa të ardhurat, që do të mblidhen nga shitja e biletave, do të grumbullohen për të varfrit. Lotarinë është menduar ta hedhë Papa Francesku…”. Nuk dihet, nëse Papa ka vendosur t’i futet botës së bixhozit rastësisht, apo i këshilluar nga “lojtarë” brenda selisë së Vatikanit, por dihet fakti që 1 ditë përpara se Papa të vinte për vizitë në Shqipëri, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve të Shqipërisë Briseida Shehaj, kishte shpallur Lotarinë Kombëtare me kuponët tatimorë të tregut, sipas kriterit: kush dorëzon kuponë tatimorë, fiton një dhuratë, por që kjo lojë bixhozi dështoi pa u hapur dhe nuk po flitet më as për lotarinë “Briseida & Kupon-Lottery”, as për kontrollet mbi tregun për zbatimin e Ligjit Tatimor për dhënie-marrjen e kuponëve të shitje-blerjes së mallrave. Ndoshta, ka qenë ky “model” bixhozi alla-shqiptar, i shpikur prej Tatimeve Shqiptare, që ka nxitur edhe Papën e Vatikanit t’i futet botës së bixhozit, duke hapur lotarinë ndërkombëtare “Papa Francesku Lottery”. Ose ndoshta, nuk është kopjim i lojës së bixhozit alla-shqiptar “Birseida&Kupon-Lottery”, por me këtë lotari të hapur, Papa Francesku po i jep Kryeministrit Edi Rama mesazhin e tërthortë, por të qartë, për të mos mbyllur Lotarinë Kombëtare Shqiptare “Australian Lottery” siç ka deklaruar, as kazinotë, bastet dhe lojërat e tjera të bixhozit, duke i lënë të kuptojë, që bixhozi nuk është “mëkat”, por biznes i adhuruar, i lejuar e i bekuar edhe… prej Zotit!

Përparim HALILI