Njohja e integruar e legjislacionit dhe akteve rregulative

614
Sigal

Njohja e integruar e legjislacionit dhe akteve rregulative, kusht i domosdoshëm për një menaxhim të mirë dhe efektiv të fondeve publike, si dhe kusht për një auditim korrekt dhe funksional në përputhje me kërkesat e standardeve ndërkombëtare të auditimit .

Referuar rregullores së punës audituese të KLSH në fuqi dhe procedurave të miratuara për çdo hap të punës audituese, mbështetur këto në udhëzuesit dhe standardet ndërkombëtare të auditimit, proces shumë i rëndësishëm në çdo auditim është njohja e legjislacionit mbi bazën e të cilit funksionon subjekti i auditimit dhe legjislacionit specifik dhe standardeve sipas llojit të auditimit. Njohja e legjislacionit si dhe rregullave dhe procedurave të subjektit të audituar, përveç faktit të eksperiencave të auditimeve të mëparshme, i japin audituesit aftësitë të mjaftueshme për interpretimin e drejtë të të dhënave të grumbulluara dhe forcën e argumentimit ligjor të konstatimeve të auditimit. Në një auditim të gjitha gjetjet e auditimit, konkluzionet dhe rekomandimet duhet të bazohen në të dhëna dhe të dhënat janë të mjaftueshme nëse mjaftojnë për të mbështetur gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e audituesit.

Treguesit e mjaftueshmërisë ndër të tjera përfshijnë:

Njohjen e performancës së subjektit të audituar e cila matet në bazë të kritereve specifike (ligj, rregullore, politikat, procedurat, kontratat, rezultatet e planifikuara etj.). Gjithashtu ka të bëjë me grumbullimin e të dhënave në lidhje me shkeljen apo fenomenin e ndodhur dhe analizimin e shkakut dhe pasojës për to (të cilat mund të jenë pasojë e mosnjohjes së legjislacionit nga strukturat përkatëse të subjektit, mungesa e trajnimeve të tyre, interpretimi i gabuar apo abuziv i akteve ligjore, ose dhe pamjaftueshmëri të akteve ligjore ose hapësirave ligjore në mbulimin e çështjeve specifike).Në auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, është vërejtur fenomeni se administrata publike jo gjithnjë ka rezultuar njohëse dhe zbatuese korrekte e legjislacionit dhe akteve rregulative në fuqi, qofte të vetë institucionit apo në referencë të akteve ligjore, pasi në çdo auditim rezultojnë shkelje të tij me apo pa dëm ekonomik apo efekte financiare, në një kohë që referuar sistemit të kontrollit të brendshëm ekzistent, këto shkelje nuk duhet të ndodhnin si rezultat i funksionimit të tij dhe kontrollit në hierarki. Referuar konkluzioneve të auditimeve në vite, ku në mënyrë të vazhdueshme janë shoqëruar me rekomandime të shumta të masave organizative dhe përmirësimeve ligjore të lëna nga KLSH, rekomandime që nuk janë pakësuar nga viti në vit, por janë në të njëjtin nivel apo të shtuara, tregues ky jo cilësor për performancën e funksionimit të strukturave administrative të subjekteve publike, në drejtim të zbatimit të ligjit dhe menaxhimit të fondeve buxhetore. Referuar analizimit të shkaqeve të rezultuara, kryesisht spikasin punësimet jo cilësore të administratës, lëvizja e shpeshte e saj si rezultat i ristrukturimeve, mungesa e theksuar e trajnimeve, ose dhe papërgjegjshmëria në kryerje të detyrave funksionale. Për të dhënë një shembull te rezultateve të auditimeve të publikuara nga KLSH në buletinin e tij vjetor për vitin 2017, ka rezultuar se si pasojë e keq interpretimeve dhe shkeljeve ligjore janë konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare në shuma të konsiderueshme si:

  1. a) Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 11.5 miliard lekë ose 85.8 milionë euro.
  2. b) Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 99.05 miliard lekë, afërsisht 739.7 milionë euro nga e cila:

92.7 miliard lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 692.1 milionë euro dhe 6.3 miliard lekë

afërsisht 47.8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve.

Këto shifra të përkthyera në total me shkelje të konstatuara në shumën 110.5 miliard lekë ose afërsisht 825,6 milionë euro.

Gjithashtu gjatë periudhës janar – dhjetor 2017 janë rekomanduar 2082 masa organizative nga të cilat 1108 janë pranuar nga subjektet, 751 janë në proces zbatimi dhe 233 janë duke u shqyrtuar nga subjektet. Për periudhën janar – dhjetor 2017 KLSH ka depozituar në organet e Prokurorisë 47 kallëzime penale dhe 4 raste te tjera i janë përcjellë Prokurorisë për vlerësim ku numri i personave të kallëzuar arrin në 129 persona. Për të arritur rezultate në auditim Kontrolli i Lartë i shtetit nga ana e tij i ka konsideruar burimet njerëzore si një faktor të rëndësishëm në realizimin e objektivave kryesorë institucional. KLSH në kuadrin e reformimit dhe modernizimit institucional, në kuadër edhe të projektit IPA 2013, ka implementuar në vijimësi si një politikë të menaxhimit të burimeve njerëzore e cila është në një linjë më standardet ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit. Nga KLSH me Vendimin e Kryetarit nr.228 dt. 31.12.2017 është hartuar dokumenti i Politikave të Menaxhimit të burimeve njerëzore të institucionit ku është pasur si objektiv prioritar jo vetëm ngritja e kapaciteteve të brendshme por dhe ruajtja e një strukture organike që do ti mundësonte eficiencë në realizimin e misionit të saj kushtetues si një institucion që garanton cilësi në kryerjen e funksionit auditues të tij në drejtim të mirëmenaxhimit të financave publike. Analiza e veprimtarisë trajnuese për vitin 2017 dhe rezultateve të saj konfirmojnë se KLSH ka krijuar sistem efektiv trajnimi dhe zhvillimi profesional, i aftë të krijojë kapacitetet e nevojshme profesionale dhe të zotërojë aftësi të tilla që bëjnë të mundur zbatimin e standardeve të auditimit ISSAI, njohjen e legjislacionit dhe rregullave mbi bazën e të cilave përdoren fondet publike. Referuar programit Vjetor të Trajnimit për vitin 2017 janë realizuar 4 317 ditë njerëz trajnime duke mundësuar një numër mesatar prej 28.5 ditë trajnimesh për auditues. Përmbajtja dhe formati i trajnimeve ka konsideruar nevojën e audituesve për trajnime të një niveli të lartë, që të harmonizojnë më së miri dijet teorike me njohuritë praktike. Diversifikimi i procesit të trajnimit ka menaxhuar qasjen në disa komponentë të tematikës së trajnimit. Si objekt parësor është trajnimi i njëkohshëm në drejtim të zhvillimit metodologjik dhe të përditësimit të njohurive në fushën e ligjeve dhe kuadrit rregullator të subjekteve që auditohen. KLSH në zbatim dhe të rekomandimeve të SIGMA-s ka krijuar një sistem të konsoliduar të Trajnimit të Vijueshëm Profesional. Strategjia e Zhvillimit 2018 -2022 përfshin si një nga Qëllimet Strategjike “Optimizmin e kapaciteteve profesionale, aftësive audituese, procedurave të punës logjistikës dhe funksioneve të tjera mbështetëse në KLSH”. Referuar kësaj eksperience të KLSH në drejtim të rritjes së vazhdueshme të integritetit profesional të punonjësve të saj dhe arritjes së rezultateve, të përkthyera në raporte të qenësishme dhe cilësore të auditimit, në rekomandimet e lëna në subjektet e audituar, të miratuara me vendimet e Kryetarit të KLSH, vend të rëndësishëm kanë zënë edhe rekomandimet për trajnimin e vazhdueshëm të strukturave organizative kundrejt programeve të mirë përcaktuara në përputhje me nevojat e subjektit, si dhe për rritjen e përgjegjshmërisë menaxhuese të fondeve publike, njohjen e mirë dhe zbatimin në vazhdueshmëri të ligjit për menaxhimin financiar dhe kontrollin, element këto të rëndësishëm në një menaxhim efektiv të fondeve dhe performancë pozitive të subjekteve publike. Punësimi i punonjësve në njësitë publike me integritet të lartë profesional e moral, trajnimet e vazhdueshme sipas nevojave të vazhdueshme dhe të programuara dhe njohja dhe zbatimi në vazhdimësi i ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi, janë një sfidë e vazhdueshme për një qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme. 

Nikoleta Piranjani

Audituese e lartë