Një Turizëm i mbetur në letër

1555
Klejvis Kule
Auditues, KLSH
Shqipëria është një vend i vogël, por me potenciale turistike natyrore dhe një ekonomi në zhvillim, synimet e së cilës orientohen nga modele ekonomike të reja dhe bashkëkohore. Në sfidat afatmesme dhe afatgjata të ekonomisë shqiptare turizmi vlerësohet një sektor me potencial për të arritur një rritje ekonomike të lartë me efekte pozitive në rritjen e punësimit, rritjen e mirëqenies sociale, krijimin e një mjedisi mundësues për sipërmarrje të vogla dhe të mesme dhe nxitjen e interesit nga investitorët e huaj. Potencialet e këtij sektori qëndrojnë tek gjenerimi i të ardhurave nga një sërë aktivitetesh të tjera të lidhura me të si: transporti, strehimi, ushqimi, shërbimet (financiare, shëndetësore, energjinë, ujin, sigurinë) sporti, argëtimet kulturore, konferencat dhe panairet tregtare. Të gjitha këto aktivitete të gjera vijnë së bashku në prodhimin e produkteve turistike, si imputi kryesor për zhvillimin e turizmit, promovimin e potencialeve, të njësive akomoduese dhe finalizimin e zgjedhjes në konsumim e produkteve turistike. Pra zhvillimi i turizmit shqiptar duhet të jetë në sinergji të plotë edhe me strategjitë e sektorëve të tjerë që kushtëzojnë dhe ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në zhvillimin dhe cilësinë e shërbimeve turistike. Nëse i referohemi turizmit si koncept ekonomik, ai ndikon tek konsumatori në disa drejtime. Fillimisht në kostot e drejtpërdrejta që paguan në këmbim të shërbimit që merr, së dyti në kostot e tërthorta nga shpenzimet e buxhetit të shtetit për këtë sektor, si dhe në mënyrën e ofrimit të këtij shërbimi me sa më shumë cilësi dhe standarde. 

Në Janar të vitit 2017, KLSH zhvilloi një Auditim Performance me temë: “Efektiviteti i Politikave për Zhvillimin Strategjik të Turizmit”, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencinë Kombëtare të Turizmit, Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, Qarkun e Vlorës, Qarkun e Beratit dhe Qarkun e Kukësit. Në këtë auditim u përfshi periudha 2013-2017, por me qëllim krijimin e kronologjisë së plotë të ngjarjeve në këtë sektor, ky auditim u shtri edhe më gjerë në kohë. 

Gjatë 20 viteve të fundit, zhvillimi i turizmit nuk i është përgjigjur pritshmërive të popullit shqiptar për sa i takon përdorimit të potencialeve të vendit dhe, çka është më e rëndësishme, zhvillimit jo të qëndrueshëm të këtij sektori. Ndër vite, shumë probleme janë diskutuar me publikun e gjerë pa iu dhënë zgjidhja e duhur planifikimit të turizmit, mungesës së kapaciteteve, problemeve lidhur me shërbimet, mungesave në infrastrukturë, mungesës së bashkërendimit mes nivelit qendror dhe lokal, investimeve të pa bashkërenduara të subjekteve privatë, rolit të munguar të Ministrisë etj. 

Në vitin 2006, si produkt i vullnetit dhe dëshirës së mirë, u përgatit nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me PNUD Shqipëri, Strategjia për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Turizmit Kulturor. Strategjia kishte një plan masash konkrete për përmirësimin e destinacioneve të turizmit kulturor dhe rritjen e promocionit dhe marketingut të këtij segmenti turizmi. Për të shpjeguar strategjinë dhe nxitur sinergjinë për zbatimin e saj, u ndërmorën disa takime në 12 qarqet e vendit me njësitë e pushtetit vendor, shoqërinë civile rajonale dhe mediat. Strategjia gjeti mirëkuptim dhe përcolli shumë ide e sugjerime nga ana e veprimtarive turistike lokale dhe nga shoqëria civile, por u zbatua pjesërisht, për shkak të mos vazhdimit të implementimit të saj në vitet në vijim. Në vitin 2014, kur u hartua Draft-Strategjia për Zhvillimin e Turizmit, e cila mbeti vetëm draft, Shqipëria prezantonte një vend me potenciale, të cilat mund të përdoreshin në interes të zhvillimit. Draft-Strategjia u dizenjua për rritjen dhe forcimin e sektorit, me fokus të veçantë në parimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe identifikimin e sfidave për të maksimizuar kontributin në sektor. Draft-Strategjia Kombëtare për Turizmin 2014-2020 është një dokument i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në Shqipëri në vitet e ardhshme, si platforma kryesore e lidhur me politikat, reformat dhe masat në sektorin e turizmit jo vetëm për Qeverinë dhe Ministrinë përgjegjëse për turizmin, por dhe për palët e tjera të interesuara të përfshira, si: pushteti lokal dhe sektori privat. Hartimi i këtij drafti u mbështet nga Qeveria Gjermane nëpërmjet programeve të bashkëpunimit teknik të GIZ, Mbështetja e Zhvillimit Ekonomik dhe Punësimit (EDEP) dhe Mbrojtja e Agro Biodiversitetit në Zonat rurale të Shqipërisë (CABRA).

Gjatë këtij auditimi u evidentua se procesi i kategorizimit dhe i klasifikimit të njësive akomoduese i shënoi fillimet e tij me Ligjin Nr.9734, datë 14.05.2007 “Për Turizmin”, me daljen e VKM Nr.601 datë 12.09.2007, në të cilën përcaktoheshin kriteret për kategorizimin dhe klasifikimin e njësive akomoduese dhe rezultoi jo efektiv, pasi deri në momentin e daljes së Ligjit të ri të turizmit nuk u zbatua. Aktualisht me miratimin e Ligjit Nr.93, datë 27.07.2015 “Për Turizmin”, me objekt rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve publike dhe subjekteve private, që ushtrojnë veprimtari turistike dhe përcaktimin e të drejtave e detyrimeve të subjekteve pjesëmarrëse në këto veprimtari, në përputhje me standardet e përcaktuara në këtë Ligj, procesi i kategorizimit të njësive akomoduese nuk ka filluar akoma, gjithashtu aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë këtë proces të cilat dolën një vit me vonesë, rezultojnë të kenë mangësi në përmbajtjen e tyre dhe të krijojnë kushte të pa drejta për njësitë akomoduese që operojnë në sektorin e turizmit. Një çështje e rëndësishme në këtë auditim ishte edhe baza e të dhënave statistikore për gjenerimin e objektivave të duhur dhe të arritshëm, ku rezultoi se mungonte një procedure specifike dhe e miratuar për informacionin statistikor në sektorin e turizmit, e cila krijon pasaktësi, duke ndikuar negativisht në përcaktimin e objektivave për strategjinë e zhvillimit të turizmit. Gjithashtu u arrit në konkluzionin se sektori i turizmit nuk ka akoma një Strategji të Miratuar për zhvillimin e qëndrueshëm të tij, por vetëm një draft-strategji për vitet 2017-2022, me të dhëna statistikore që nuk pasqyrojnë saktësisht realitetin dhe objektiva që janë të vështirë për t’u arritur. Gjatë zhvillimit të auditimit në Qarkun e Beratit, Kukësit dhe Vlorës u evidentua se ky sektor ka një mungesë bashkëpunimi dhe komunikimi midis Institucioneve në nivel Kombëtar, Rajonal dhe Lokal. 

Për t’i dhënë përgjigje disa çështjeve kryesore të këtij auditimi, grupi i auditimit ngriti pyetjen: 
“A sigurojnë institucionet përgjegjëse publike kushtet paraprake për zhvillimin strategjik të turizmit në vendin tonë? 
dhe arriti në këtë konkluzion:
Masat e marra nga qeveria dhe institucionet përgjegjëse për turizmin, mund të sigurojnë kushtet paraprake për zhvillimin e sektorit të turizmit në situatën në të cilën ndodhet, por nga ana tjetër ato janë të pamjaftueshme për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të tij në periudhën afat-gjatë. Sektori i turizmit, së bashku me institucionet përgjegjëse për turizmin, vuajnë nga një mungesë efiçense dhe efektiviteti. Mungesa e strategjive të bazuara në studime dhe plane veprimi, mungesa e nxjerrjes së akteve ligjore dhe nënligjore në kohë si dhe mungesa e krijimit të disa institucioneve të rëndësishme që parashikohen në Ligj, jo vetëm që e zvogëlojnë efektivitetin e institucioneve, por vënë në dyshim funksionimin e tyre të plotë si dhe ndikojnë negativisht në zhvillimin e turizmit. “Turizmi prioritet”, do të ishte më frytdhënës me legjislacion të kompletuar, punë konkrete, komunikim dhe bashkëpunim të ngushtë me sektorin publik dhe privat, me qëllim zhvillimin e këtij komponenti të rëndësishëm të ekonomisë sonë.
Me qëllim përmirësimin e situatës së krijuar në sektorin e turizmit, grupi i auditimit rekomandoi:
1. Zhvillimin e qëndrueshëm të produktit turistik dhe zbatimin e parimit të qëndrueshmërisë në të gjitha nivelet;
2. Forcimin e strukturave institucionale në nivel qendror dhe lokal, të cilat garantojnë zbatimin e planeve dhe objektivave strategjikë;
3. Hartimin dhe rishikimin e planeve urbanistike të zonave me prioritet turizmin mbështetur në analiza të plota ekonomike, sociale-kulturore, mjedisore;
4. Kategorizimin dhe standardizimin e strukturave akomoduese;
5. Krijimi i një sistemi sipas standardeve ndërkombëtare për grumbullimin dhe shpërndarjen e të dhënave statistikore mbi zhvillimin e kërkesës dhe ofertës;
6. Zhvillimi i elementëve infrastrukturorë;
7. Arsimimi dhe trajnimi i burimeve njerëzore në shërbim të turizmit;
8. Rritjen e financimeve;
9. Angazhimin dhe bashkëpunimin të sektorit publik me sektorin privat;
10. Promovimin e praktikave më të mira rajonale dhe ndërkombëtare.
Sigal