Një linjë e re me ujë të pijshëm për Alliasin

506
Sigal

Banorët e zonës
Allias-Bregu i Lumit do të kenë një furnizim normal me ujë të pijshëm, falë
nisjes së ndërtimit të rrjetit të ri të ujësjellësit. Kryebashkiaku Erion
Veliaj, bashkë me drejtorin e UKT-së, Redi Molla ka inspektuar punimet.

“Po bëjmë një investim në zonën e Bregut të Lumit për t’u siguruar që nuk
investojmë vetëm në sheshin “Skënderbej” apo në qendrat e fshatrave e blloqeve
të Tiranës, por në çdo cep të kryeqytetit”, theksoi Veliaj. 

Nisur nga temperaturat e ulëta që po kalon kryeqyteti këto ditë, ai falenderoi
punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve për menaxhimin e situatës, ndërsa garantoi
qytetarët që të gjithë matësit e ujit të dëmtuar nga ngricat do të zëvendësohen
nga vetë UKT, pa asnjë kosto për qytetarët.

“I falenderoj me gjithë zemër kolegët e Ujësjellësit sepse kjo ka qenë një
situatë e jashtëzakonshme për Tiranën, për shkak të ngricave. Tirana nuk ka
pasur kohë të tillë të ftohtë që nga viti 1985, çka do të thotë se ngrirja e
tubacioneve dhe shpërthimet që kemi pasur në sahate është një situatë e
paprecedentë. Kam lënë porosi si aksioner kryesor i UKT, që ndërmarrja të
përballojë me shpenzimet e saj zëvendësimin e të gjithë sahatëve në qytetin e
Tiranës, që asnjë prej banorëve të mos impaktohet në xhepin e vet dhe financat
e familjes për kushte të natyrës. Kjo do të jetë diçka që do të kompensohet nga
xhirot dhe të ardhurat e ndërmarrjes, çdo qytetar duhet të jetë i qetë për këtë
çështje”, tha Veliaj. 

Kryetari i Bashkisë u shpreh se me përmirësimin e situatës klimaterike, do të
fillojë dhe zgjidhja e problemeve të trashëguara në Tiranë në 25 vitet e
fundit.