Në Rinas “komandon” krimi, mbasi 80% e punonjësve janë me lidhje politike familjare, 40% të penalizuar

885
Sigal

Grabitja në Rinas, po trajtohet si ngjarje e rëndë, për vetë faktin se ka lidhje me cënimin e sigurisë kombëtare. Nuk është fjala tek thesi “1 milionësh” që u zhduk, por tek “bërja rrugë” e kësaj historie me grabitje në sy e në prezencë të institucioneve dhe shërbimeve policore-ushtarake shtetërore, të cilët nuk kanë vepruar. Kështu ka ndodhur disa herë! U grabitën 7.3 milionë dollarë në Bankën e Shtetit dhe gjithçka përfundoi me pafajësi të shefit të bankës e të zyrtarëve të sigurisë së bankës. U grabitën 6 milionë euro në qendër të Tiranës në një makinë policie private dhe çështja u mbyll vetëm me 2 “arreste shtëpie” policësh privatë. U grabitën 3 milionë euro në hyrje të Aeroportit të Rinasit dhe çështja u mbyll përsëri me 2-3 “detyrim paraqitje” policësh privatë në prokurori! Tani vidhet 1 milionë euro tek dera e avionit brenda në pistën e aeroportit dhe bëhen 5 arrestime “jeniçerësh” me akuzën “për pakujdesi në shërbim”, ndërkohë që Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe kreu i policisë së Rinasit ku u bë grabitja, dalin e bëjnë deklarata mediatike justifikuese, sikur është vjedhur një kapele polici e sikur nuk kanë asnjë detyrim ligjor për sigurinë e një qendre strategjike shërbimesh të sigurisë kombëtare aeroportuale, që sipas ligjit është “pikë e vijë kufitare shtetërore”, që duhet mbrojtur së pari nga policia dhe ushtria e shtetit!

Prokuroria e nis hetimin me “biografinë” penale të punonjësve të Rinasit 

Pas sekuestrimit të provave shkresore e ligjore, pas dëshmive dhe disa arresteve të punonjësve “shërbëtorë” e të asnjë shefi privat e shtetëror, dje prokuroria e ka vazhduar hetimin për këtë ngjarje të rëndë, nga një “pistë” tjetër e cila sipas ekspertëve do të çoj hetimin në gjurmët e grupit të organizuar që bëri grabitjen e tretë me milionat që nisen për transport nga Rinasi. Sipas gjykimit paraprak të prokurorisë, nisur prej indiceve konkrete që ka marrë në vijimësi qysh prej grabitjes 3 milionëshe në dhjetor 2015, dyshohet se këto grabitje të suksesshme në mes të ditës që bëhen si shaka në “piknik” e kanë komandën e organizimit brenda “gardhit” dhe zyrave të Aeroportit të Rinasit. Grupi hetimor i grabitjes, mendon se shefat e urdhërimit, informacionit, krijimit të kushteve, veprimit të grabitësve dhe finalizimit të këtyre grabitjeve e kanë “pultin” brenda në kupolën drejtuese të disa sektorëve përgjegjës ose ndihmës të Aeroportit të Rinasit! për të shkuar deri tek gjurmët e këtyre drejtuesve të bandës grabitëse, prokuroria i ka kërkuar ka sekuestruar dhe ka futur në dosjen hetimore edhe listat me emrat e gjithë punonjësve shtetëror e të punonjësve të firmës koncesionare. Hetimi prokurorisë ka nisur nga lista e punonjësve shtetërore civilë, policë e ushtarakë, për të zbuluar “biografinë” e secilit prej tyre. Pas zbardhjes së të dhënave që kanë institucionet e drejtësisë e të policisë së shtetit, prokuroria do të verifikoj vetë-deklarimet që kanë bërë punonjësit e Aeroportit të Rinasit, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Këtë pistë hetimi për të shkuar tek gjurmët e krerëve dhe autorëve të banës grabitëse të milionave që nisen drejt Rinasit, prokuroria e ka nisur mbasi disponon informacione të mëparshme të serviruara edhe prej SHISH, për individë të lidhur me botën e krimit, për personat penalizuar dhe në proces hetimi për përfshirje ose mbështetje të krimit. 
SHISH-Prokuroi kanë informacion: 40% e të punësuarve në Rinas, me dosje penale
Siç e tashmë më lartë, prokuroria po ndjek pistën e hetimit nga “biografitë” e punonjësve shtetëror të Rinasit, nisur prej informacioneve të shpeshta e të konfirmuara që i ka servirur SHISH, në lidhje me persona që kanë lidhje me botën e krimit, ose kanë qenë kontingjente të dënuar e të hetuar për krime penale. Sipas të dhënave, rezulton se në zyrat dhe shërbimet shtetërore të Aeroportit të Rinasit, 40% e të punësuar në sektorët e shërbimit civil, policor e ushtarakë janë me damka penale, minimalisht 1 herë të hetuar, të arrestuar, të shoqëruar, apo të dënuar për vepra penale, mes tyre edhe për grabitje, armëmbajtje pa leje, kultivim e trafik lëndësh narkotike, makinash e madje edhe trafik prostitucioni. këta janë punësuar pasi kanë pastruar “biografinë” me dëshmi penaliteti false dhe me ndryshim identitetesh! Këto kontingjente gjenden të punësuar edhe në Rinas, ndaj dhe prej verifikimit të tyre është ndërtuar pista e parë kryesore e zbardhjes së grabitjes e pse jo të zbulimit të grupet të strukturuar, apo kokës drejtuese të krimeve që ndodhin, që hyrjen e dalin në “portën” e Rinasit. tashmë listat e të punësuarve në Rinas janë në “skanerin” e prokurorisë dhe kanë nisur të hetohen. bashkëngjitur këtyre listave administrative, do të ballafaqohen edhe vetë-deklarimet që janë bërë prej tyre si dhe burime të tjera që kanë lidhje me veprimtarinë e shumë viteve më parë brenda e jashtë Shqipërisë, deri edhe në bashkëpunim me drejtësinë dhe shërbimet speciale të shteteve të tjera. 
Rinasi, 80% e të punësuarve me lidhje nepotike e klanore
Ka një fakt tjetër, që ka lidhje ndoshta me realitetin e njohur e të denoncuar edhe nga gazeta “Telegraf”, që në Rinas “sundon”, vepron dhe nuk zbulohet krimi për shkaqe të lidhjeve nepotike e interesash që kanë drejtuesit dhe punonjësit. Konkretisht, shumica e të punësuarve shtetëror në Aeroportin e Rinasit, janë familjarë të drejtuesve të lartë politikë e shtetëror të pushtetit aktual dhe disa “mbetje” familjare e klanore të ish-pushtetit të PD. Drejtues, shefa sektorësh, inspektorë, specialistë e madje deri punonjës sportelesh e bagazhesh në shërbimin civil e policor në Rinas, rezulton të jenë familjarë, bashkëshortë, djem, vajza, dhëndurë, kunetër, baxhanakë, krushq, bashkë-fshatarë, ortakë biznesesh e shokë të ministrave, deputetëve, drejtorëve të lartë të ministrive, të policive, të tatimeve, doganave e të politikanëve të lartë, të punësuar me këtë “status”.