Muhamet Aliu: Vendi i Shqipërisë është në Lidhjen e Kombeve

701
Sigal

Bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare, si “mbretëreshë”, ka qenë e mbetet sundimtare

Muhamet Aliu, delegat i Indisë, me rastin e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, ka thënë: ”Shqipëria meriton të jetë një anëtare e saj, sepse është i vetmi vend në botë ku myslimanët, katolikët dhe kristianët ortodoksë bashkëpunojnë vëllazërisht, pavarësisht nga ndryshimet e tyre fetare”.

Kaluan vite e dekada dhe erdhi një ditë: ”Jo feja, por krimi e korrupsioni po ju lënë jashtë BE. Them që korrupsioni e krimi i organizuar është problem shumë më i madh. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe këmbëngulën aq shumë për pavarësinë e Kosovës për faktin që ishin myslimanë”. Misha Glenny “Shqip” me Rudina Xhunga Dt.7.9.09. Në kuadrin e një seri problemesh, nga më kryesoret, paskan qenë besimet fetare! E çuditshme! Kosova nuk është, s’ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë Kuvaiti, Palestina, Libani ose ndonjë vend tjetër i Lindjes së Mesme. Vendlindja e Pjetër Bogdanit dhe e Ibraim Rogovës i përket vetëm Evropës. Shqiptarët janë vëllezër të një gjaku, gjuhë, zakone, tradita e karakteristika të tjera të përbashkëta, të ngulitura thellë në rrënjët e qytetërimit të lashtë Perëndimor. Është non -sens referenca ndaj treguesve shumicë e pakicë në adresë të këtij ose atij besimi. Populli Shqiptar, në thellësitë e shpirtit të tij, është një dhe i pandarë. Këto thellësi kalojnë përtej çdo thellësie! “Çoji, o bij të Skanderbegut Turq e t’Kshtënë mos t’u dajë feja! /Çoji e bini n’fushë t’bejlekut/ tuj gjimue ju porsi rrfeja. Bini! Toskë, ju n’pikë të vrapit./ Mos t’u nalin mal as zall:/Naim Frashri i ra Qitapit/ Mos m’e lshue Shqypnin per t’gjall”. “Lahuta e Malcis”At Gjergj Fishta. Duke përshkruar tiparet fisnike të Padër Gjonit të Kelmendit, i cili me urtësi e guxim, ballë për ballë Mark Milanit, komandantit suprem të forcave ushtarake pushtuese të Malit të Zi, demonstroi vetitë e shkëlqyera të shqiptarëve dhe parashtroi me këmbëngulje kërkesat e tyre legjitime për të jetuar të lirë e të pavarur. ”Edhe unë Frati tham t’vërtetën/ Bashkë me turq baj fli veten,/ Varem n’krabë, lidhem n’vargoj/ E Shqipnin unë nuk e lshoj”. Muslimanë e të krishterë vijmë nga një“trung”i përbashkët iliro-arbëresh mijëravjeçar. Shkrimet e shenjta i mësojnë njerëzit të jetojnë me nder e dinjitet dhe të kryejnë vepra të dobishme, duke u udhëhequr në çdo situatë nga virtyti, humanizmi, mirësia, mirëkuptimi e sakrifica etj., për të cilat ka e do të ketë nevojë kurdoherë njerëzimi. Toleranca e trashëguar në shekuj në mes kristianëve e muhamedanëve i habiste udhëtarët e huaj duke i çuar shpesh herë në vlerësime kategorike. Si turqit, ashtu edhe grekët nuk mund të kuptonin respektin e ndërsjellë dhe lidhjet e gjithanshme në mes shqiptarëve, të cilat kalonin përtej çdo imagjinate. Shkrimtari turk S. Kulce Osmanli në librin e tij Tarihinde Arnavutluk, Izmir 1944 f. 32-33 shkruante se: “Këtu muhamedanët s’janë muhamedanë të vërtetë dhe kristianët nuk janë kristianë të vërtetë”. Shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë fanatikë. Sigurisht, sipas atij, askush s’mund të ishte besimtar i vërtetë pa qenë konservator, militant dhe sektar i bindjeve të veta religjioze. Deviza Imperiale Romane “Përçaj dhe sundo”ishte arma më e fuqishme e Perandorisë Osmane. Në Elbasan harmonia fetare është një pasuri e vyer kombëtare. “Muslimanë e të krishterë shkojnë dhe vijnë si vëllezër dhe asgjë s’mund t’i ndajë. Karakteristë dalluese janë vizitat reciproke te njeri- tjetri, sidomos me rastin e festave, të cilët priteshin e nderoheshin me respekt e dashuri të madhe”. Po kështu në Korçë, Vlorë, Durrës, Tiranë si edhe në fshatrat e qytetet e tjera të Shqipërisë. Xhevdet Pasha, kronist i Portës së Lartë, në një sërë informatash mbi sanxhakun e Shkodrës të gjysmës së dytë të shekullit XIX, në themel të vëllazërimit ndërfetar, vendos lidhjet e gjakut .”Meqenëse lidhjet e tyre (myslimanëve) me fise të cilave u kanë takuar, janë edhe sot të forta. Kurdoherë që malësorët katolikë vijnë në qytet, ata nuk shkojnë mysafirë te bashkëbesimtarët e tyre, por në raste të këtilla zbresin në shtëpi të ndonjë myslimani dhe pa kurrfarë hezitimi e formaliteti bisedojnë në mënyrë të këndshme njëri me tjetrin si anëtarë të një familje. Megjithëse këtu është përhapur njëherë krishterimi e më vonë feja islame, përsëri diferenca fetare nuk e ka shkatërruar farefisninë e gjakut dhe bashkësinë fisnore. Katolikë hyjnë nën urdhrin e bajraktarëve myslimanë dhe myslimanët nën urdhrin e bajraktarëve katolikë.” Përtej thellësive të shpirtit e ka “folenë” shqiptaria. Ë. Arnold në “The Preaching of Islam”, London 1913, f. 95 shkruante se: ”Rreth vitit 1700, banorët e një fshati në krahinën e Matit, për një periudhë të gjatë kishin mbetur pa prift. Ata u ankuan te një misionar që kaloi në fshatin e tyre. Misionari u kujdes pranë arqipeshkopit të Durrësit, i cili mori përsipër që të dërgoheshin priftërinj dy herë në vit. Por, megjithatë, fshatarët nuk ishin të kënaqur dhe kërcënuan se do të thërrisnin një hoxhë, në qoftë se ata nuk do të kishin një prift të rregullt”. Edhe sot, pas 454 vjetësh, janë interesante dhe inkurajuese mendimet teologjike të autorit të librit të parë në gjuhën shqipe Gjon Buzuku, i cili në vitin 1555 botoi “Mesharin”, ku në mes tjerave shkruante se:”Zoti nuk e dëgjonte atë që lutej në një gjuhë të huaj dhe përsëriste fjalët që ai nuk i kuptonte”. “Tomor, o mal i bekuar ku rri Zoti; pas fesë së vjetër që kishin shqiptarët qëmoti”, N.F. Nëse nuk e besoni te mali i Tomorit shkoni dhe me shqiponjat, në shoqërinë e engjëjve të Perëndisë, një ditë të bukur kaloni. Mish i pjekur, raki e verë mirë se ardhët o vëllezër myslimanë e të krishterë! Kur të largoheni prej andej, nga veriu i Shqipërisë drejtohuni dhe, te Kisha e Shna Ndout Laç ndaloni. Me mijëra njerëz nga të katër anët e Shqipërisë, pa dallim, janë duke u lutur me përkushtim. Babë Dudë Karbunara, duke predikuar vëllazërimin midis të krishterëve e myslimanëve, theksonte: ”Vështroni këtë dru mani, o djelmt e mi. Ka dy trupa dhe një rrënjë. Kështu dhe ne si popull jemi një pjesë myslimanë, një pjesë të krishterë, por kemi një rrënjë të përbashkët, jemi shqiptarë, jemi vëllezër. Frat Kurebini i ankohej Propagandës Fide për të krishterët, të cilët bënin kumbari me myslimanët duke i mbajtur në pagëzim fëmijët e tyre ( kur priftërinjtë i pagëzojnë), megjithëse midis tyre nuk mund të kishte kumbari. Gjithashtu J. Barnes thotë: “Një tolerancë për t’u pasur zili karakterizon në të gjitha drejtimet e tjera, marrëdhëniet ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve në Shqipëri. Dëshmi është zakoni sipas të cilit babai zgjedh mik një kristian, në qoftë se ai vetë është mysliman dhe anasjelltas për të kryer ceremoninë e prerjes së flokëve të fëmijës së tij në moshën 1 vjeç. Tufa e flokëve vendoset në një kuti të florinjtë ose të argjendtë dhe ruhet si një kujtim. Ky veprim synonte të krijonte marrëdhënie shpirtërore ndërmjet familjes së fëmijës e mikut dhe nga kjo ata lidhin detyrime kundrejt njeri- tjetrit të një ndihme të dyanshme, sidomos  në raste rreziku e fatkeqësish “.Bota shpirtërore e shqiptarëve është mijëravjeçare. Dita e pranverës dhe, jo larg saj, e diela e Pashkëve, simbolizojnë ringjalljen e Natyrës dhe të Jezusit, festa më e madhe e kristianizmit. Besa dhe betimet e përditshme: “Për qiell e për dhe”, “Pasha dritën”, “Për këtë diell”, “Për këtë peshë”etj. janë “monumente” të lashtësisë, ujëvara të thellësive të shpirtit. Atje në gjirin e tyre plot shkëlqim “banon”përjetësisht Ibraim Kodra, piktor modernist i përmasave botërore, Nderi i Kombit, i cili deklaronte “Unë jam muhamedan. Por kam një mendim timin për fenë. Besoj tek infiniti. Atë e konsideroj Zot. Feja ndihmon në krijimin e mundësive të njeriut për t’u ngjitur tek Zoti. Në këtë ngjitje njeriu kërkon afrim me të tjerët. Feja sërish ndihmon në këtë afrim. Këtu qëndron roli pozitiv i saj. Në cilën rrugë unë shkoj tek Zoti im? Nëpërmjet vetes? Edhe artin e kam rrugë për të shkuar tek ai”. Nga Libri “Kodra një Univers”. ”…Dikund thellë në shpirt, jam sigurisht, por nuk jam fanatik. Besoj, besoj, besoj në të mirën, besoj në lindjen e Diellit, ose besoj më shumë në perëndimin e Diellit. Nuk ka gjë më të bukur se perëndimi i Diellit. A e keni parë? Provoni të ndjeni edhe ju këtë, kur perëndon Dielli, kur futet poshtë në det, ai është zoti më i madh. Unë atë besoj”. Piro Mani “Artist i Popullit” Shekulli Dt.14.2.09.Bashkëjetesa dhe harmonia ndërfetare, si “mbretëreshë”, ka qenë e mbetet sundimtare. Shumë familje qytetare shkodrane kujtojnë me respekt e mirënjohje stërgjyshërit e tyre të ardhur nga Dukagjini, Malësia e Madhe, Mirdita etj. Gëzimet e jetës nuk kanë kufi. Martesat në mes të rinjve të religjioneve të ndryshme janë me mijëra duke i treguar botës kjo është Shqipëria.

 Luigj Temali