Luan Dervishi: “Bizneset që janë mbyllur, detyrimet e mbetura do t’i paguajnë edhe me forcë”

837
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, drejtori i Tatim-Taksave në Bashkinë e Elbasanit, Luan Dervishi

Në një intervistë për gazetën “Telegraf” drejtori i Tatim – Taksave në Bashkinë e Elbasanit, Luan Dervishi flet mbi problemet që ka kjo drejtori, duke vendosur theksin tek mos koordinimi me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve, pasi sipas Dervishit atyre ju mungon dëshira për të bashkëpunuar. Ndërsa për subjektet që nuk kanë shlyer detyrimet Dervishi tha se, “kush nuk paguan, ligji do të veproj ashpër duke u bllokuar llogaritë bankare dhe duke i çuar në ndjekej penale”. Të ashpra do të jenë masat edhe për ato biznese që janë vetëmbyllur e që nuk kanë shlyer detyrimet në bashki. Për këtë Dervishi deklaroi se: “Taksa do t’ju merret edhe atyre bizneseve që janë mbyllur, madje po qe nevoja edhe me forcë”.

Z. Dervishi a kanë filluar procedurat për vjeljen e taksave në Bashkinë e Elbasanit?

Po ka filluar procedura për vjeljen e detyrimeve për biznesin e madh dhe të vogël. Procedurë, e cila do të vazhdojë deri në mbledhjen e taksës së fundit. Deri tani janë evidentuar të gjitha subjektet e pa regjistruar në QKR-në e qytetit të Elbasanit dhe për këto ka filluar mbledhja e detyrimeve me forcë. Për të gjitha subjektet që nuk kanë derdhur detyrimet sipas afatit ligjorë i janë bllokuar llogaritë bankare sipas ligjit 9632 dhe 9920.

Cilët biznese shfaqin më shumë probleme në shlyerjen e detyrimeve?

Si për çudi janë rreth 100 subjekte dhe kryesisht është biznesi i madh siç janë firmat ndërtuese. Problem kemi edhe me 193 subjekte që në fakt janë vetëmbyllur. Gjithashtu, në këtë vijë, jemi duke identifikuar se ka edhe biznese që kanë deklaruar mbylljen, por në fakt vazhdojnë aktivitetin. Për të gjitha ato subjekte që kanë deklaruar vetëmbylljen nuk do të falim asnjë. Ligji do të zbatohet për të gjithë njëlloj.

Sa subjekte janë të regjistruara dhe çfarë do të bëhet me ato që nuk do t’i paguajnë detyrimet bashkisë?

Janë afër 3 000 mijë biznese të regjistruara. Për të gjitha ato biznese që nuk do t’i paguajnë do të veprojë ligji, duke bllokuar llogaritë bankare dhe duke i çuar në ndjekje penale.

Çfarë problemesh ka Drejtoria e Tatim-Takave në Bashkinë e Elbasanit?

Problemi i vetëm që kemi është se mungon bashkëpunimi me Drejtorinë Rajonale të Tatim-Taksave të Qarkut të Elbasanit. I kemi kërkuar disa herë informacion për subjektet pasive, por akoma nuk na ka ardhur asnjë e dhënë nga kjo drejtori, çka për ne përbën dhe problemin kryesorë.