Kozma Gjini: Shqipëria vetëpërjashtohet nga Olimpiada e Fizikës

1459
Sigal

Fizikanit numër 1 të Republikës, Entiol Liko, i mbyllet dera e konkurrimit

 

Pse Shqipëria nuk merr pjesë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Fizikës?

 

Nga Kozma GJINI

 

Në faqen e dikasterit të arsimit mësohet një lajm inkurajues. Shpallet lista e nxënësve fitues të Olimpiadës Kombëtare të Fizikës për vitin shkollor 2018-2019 për shkollat e mesme. Fituesi i çmimit të parë ishte një djalë nga qyteti i Lushnjës. Quhet Entiol Xhoxhi Liko. U bëra kurioz të njihja, se cili ishte ky nxënës që kishte dalë fituesi i çmimit të parë të Olimpiadës së Fizikës në shkallë Republike. Babai i tij është polic, kurse mamaja psikologe. Është një djalë i edukuar dhe i zellshëm me të gjitha notat dhjeta. Mora disa mbresa të djalit dhe sërish, nisur nga fakti se, ai, i trishtuar, më tha që deri këtu mbyllet (STOP!) qarku i konkurrimit, hyra sërish të kërkoja faqen e Ministrisë për të shikuar se çfarë informacioni ndodhej në faqen e dikasterit për këtë problem. Asgjë nuk zbulova. Mbetet të besoja atë që më tha djali, se: “Shqipëria sivjet nuk është në listën e vendeve pjesëmarrëse në Olimpiadën Ndërkombëtare të Fizikës”. Si ka mundësi? Si mësues dhe si prind më erdhi keq. Si është e mundur që të mos jemi pjesë e këtij konkurrimi vlerash të shkencëtarëve të rinj, kur këta i kemi me shumicë dhe janë të gatshëm të matin forcat shkencore të njohurive me moshatarët e botës?

Atëherë, për analogji, mendja më shkoi (pak vite më parë) tek djali i emigrantit shqiptar në Greqi … i cili diskutohej të ngrinte flamurin helen në shkollë, sepse kishte dalë i pari në vlerësimin e mësuesve, por që kishte edhe një tjetër rival autokton grek. Dolën edhe në një studio televizive të dy për ballafaqim e transparencë. Përfundimisht, djali shqiptar i hapi rrugë shokut të tij helen (që ta ngrinte greku flamurin). “Jo për modesti, por për kulturë”, ishte shprehur ai, duke menduar se ngritja e flamurit ishte vetëm një akt simbolik. Pedagogu në studio ngulte këmbë që flamuri të ngrihej nga djali shqiptar. “Ky djalë i duhet Greqisë”, u shpreh profesori. Ndërkohë, në një televizion, në Selanik, transmetohej një kronikë ku një fermer i revoltuar, shprehimisht tha: “Si mund ta ngrejë flamurin grek djali i një emigranti shqiptar, babai i të cilit punon argat në tokat e mia?” Një paradoks i ekstremit ky. Dhe ç’ndodhi më tej? Nuk vonoi dhe këtë emision e kishte parë live edhe “dikush” që “gjuan” dhe e blen trurin e inteligjencës. Pas disa ditësh djali shqiptar fluturoi për në….. E mori “NASA”, miqtë e mi. Ai do të bëhej njeriu i famshëm që do t’i shërbente shkencës.

E, pra, po kthehemi tek e ardhmja e Entiolit, këtij talenti të fizikës dhe sa e sa Entiolëve të tjerë që ka vendi ynë. A do të bëhet ky fizikan i ri, një shkencëtar i i madh i vendit apo do të na e marrin edhe atë të huajt?

Pyetjes sime, se a do të paraqiteni në Olimpiadën Ndërkombëtare për 2019? Entioli iu përgjigj me skepticizëm: “Olimpiada Ndërkombëtare e Fizikës do të zhvillohet në Izrael, më 24 korrik, me nga 5 veta përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse. Por nuk kam asnjë sinjal, nëse do të marrim pjesë apo jo. Fatkeqësisht, kam informacion se Shqipëria nuk është pjesë e listës së shteteve pjesëmarrëse në Olimpiadën Ndërkombëtare të Fizikës dhe pasioni ynë këtu ndalon”.

Atëherë, drejtoria përkatëse e ministrisë së Arsmit duhet të na përgjigjet: Pse Shqipëria nuk është pjesë e listës në Olimpiadën Ndërkombëtare të Fizikës?

Entiol Liko mes mësuesve