Kozeta Mamaqi: Më mungon Koli, që tek ajo puthja në ballë që më jepte në mëngjes, para se të dilte nga shtëpia…

597
Sot është 2 – vjetori i Ikjes nga jeta të Sokol Olldashit. Duhet të kesh jetuar një dhimbje të tillë, të të ikë nga Jeta njeriu më i dashur, në mënyrën më tragjike, me aksident, që të kuptosh peshën e dhimbjes. Nëna e Sokol Olldashit, Kozeta Mamaqi rrëfeu dje, për gazetën “Telegraf” dhimbjen e shpirtit të saj, por edhe monologun e përditshëm që bën me Kolin e saj, pengun që i ka mbetur, por edhe ndjenjën përse Koli i saj e bën të ndihet krenare. Zonja Kozeta Mamaqi shpreson se një ditë, do ta takojë shpirtin e Kolit të saj, “Një ditë do çmallem me të! Sepse kam një mall të pafund”. 
-Zonja Mamaqi, në mallin tuaj, si e përjetoni kujtimin e Kolit ( kështu e ka thërritur e vijon ta quaje edhe sot djalin e saj, Sokolin)?
– Malli për Kolin është…(zëri i nënës mallëngjehet, deri në shuarje… e lotët nuk i fsheh) i pafund…Më mungon…Vetëm më mungon, mungon, mungon…Kudo më mungon. Më mungon që në mëngjes (sërish zëri i nënës fiket në ngashërimin e dhimbjes…), kur duhet t’i përgatisja për të ngrënë, kur duhet t’i beja gati veshjen …Më mungon qe tek ajo puthja që më jepte në ballë, para se te dilte nga shtëpia për punë. Më mungon dashuria e tij, më mungon fjala e tij, bashkëbisedimi me të. Për të gjitha problemet unë i drejtohesha atij. Për çdo gjë kërkoja ndihmën e tij, si për fëmijët, si për vete, për familjen në përgjithësi. Dhe më duket e pabesueshme që ai ka ikur e nuk do vijë. Më bëhet sikur do trokasë te dera, me atë trokitjen e tij të veçantë, me gishta…Sikur befas do me shfaqet parasysh. Koli është i pranishëm në gjithë kohën që unë marr frymë. Malli është i pafund, i pafund…Si ka mundësi të ikë fëmija, para prindërit? Është e padrejtë. Humbja e fëmijës është një dhimbje e llahtarshme, një dhimbje e thellë, një dhimbje pa fund, një dhimbje që s’ka për të mbaruar kurrë…Malli për Kolin është edhe te një libër që më pëlqente dhe ia sugjeroja, te një film që shikoja, te një dramë apo teatër që ndiqja. Për çdo gjë ai ishte fëmija im, ishte miku im, ishte shoku im, kështu që, ai më mungon mua në tërë dimensionin e asaj që mund të thuhet JETË! Çfarë t’u them për mallin për Kolin! Unë jetoj me kujtimet për të. Shkoj në retrospektivë dhe sjell jetën, që nga fëmijëria e gjer atë ditë që unë e përcolla….mbasdite… (ngashërimi i nënës mbyt edhe fjalën e gojës…). E filloj ditën, duke përkëdhelur një fotografi të tij, që është aty, te muri i dhomës. Pastaj, flas me të, te piktura që kam përballë. Flas …i tregoj për fëmijët…i tregoj për veten…i tregoj për miqtë. Flas përditë, flas përditë, flas përditë…me Kolin tim!
– Cili është monologu që ju bëni më shpesh me Kolin?
– Monologu që bëj me Kolin është pyetja pa përgjigje: Pse, more bir? Pse? Pse, nuk e ruajte veten? Pse nuk u kujdese për veten më shumë? Pse të ndodhte ajo, që do të më trembte edhe në ëndërr? Sepse të them të drejtën, kur ndodhte të hipja në makinën e tij, ai mbante në krah gjithmonë djalin e madh, Glaukun, përpara dhe unë rrija nga mbrapa, gjëja e parë që i thoshte të birit ishte: Glauk, vër rripin! Dhe djali i bindej. Në të njëjtin moment, unë i thosha: Koli, vëre rripin edhe ti. Jemi në të njëjtat raporte. “Do më lësh rehat?- më kthehej”. Nuk e vinte kurrë atë të shkretë rrip. E kam peng dhe them: Ndofta, ndofta, mund të ishte aksidentuar, por do kishte shpëtuar. Nuk e di. Të them të drejtën, ky është monologu, që bëj më shumë me të. Pse? Pse? Pse? Nuk e di…
– Për t’u çmallur me Kolin, në kujtesën tuaj, cilat janë ato momente të jetës së tij, që vijnë dhe ulen në sy dhe ju i rikujtoni?
– Unë përkujtoj shumë, shumë momente nga jeta me Kolin. E kujtoj që fëmijë, kur e kam çuar në çerdhe për herë të parë e nuk i pëlqente fare… Disa kujtime janë të lidhura edhe me internimin, me ndarjen. Nuk di, nuk numërohen dot. Për shembull, kam një kujtim, kur Koli bëri operacion bajamet. Ishte 3 vjeç. Unë isha e internuar në Selenicë të Vlorë dhe dikush më lajmëroi. Isha larg, duhej të merrja leje nga Sigurimi i Shtetit, që të shkoja ta shikoja djalin e operuar. Shkova drejt e në spitalin e Durrësit. I ndenja te koka gjithë natën. Djali, para se të flinte, pasi kishte bërë operacionin, ngaqë ndjente mungesën time, (në këtë ndërkohë të intervistës, bie telefoni. Ishte Glauku, djali i madh i Sokolit. Nipi do të dëgjojë gjyshen… E merr shpeshherë, çdo ditë. Gjyshja, pas çdo fjalie, përsërit “Hë, zemra e nënës. Shpirti i nënës…. Nëna i thotë djalit të Sokolit që jep intervistë për babin te gazeta “Telegraf”….) Djali, Koli, para se ta zinte gjumi, atë darkë pas operacionit, më tha: Mami, mos ik në Selenicë. Të jesh në mëngjes këtu. Ishte dëshira e tij, por në fakt, unë ika, se isha e detyruar…Ajo brenga e madhe, kur fëmija më kërkonte dhe unë nuk munda t’i qëndroja pranë edhe pse kishte bërë operacion, më hante përbrenda. Një tjetër ngjarje, që nuk mund ta harroj, kur ai ishte 8 vjeç dhe unë shkoja të takoja babanë në burg. Duhet të shkoja nga Selenica në Ballsh dhe shkonim në këmbë. Duhet të kalonim Vjosën, pastaj, duhet të kalonim nja 3-4 kodra të vogla, për të zbritur në kodrën e Ballshit. Dhe, Koli ka ardhur dhe e ka bërë atë rrugë me këmbë dhe me violinën në dorë, kur ishin pushimet e verës. Shkuam në kamp dhe u takuam me babanë dhe ai i luajti një pjesë në violinë, “4 stinët e Vivaldit”. Babai, në atë gjendje që ishte, aq shumë u kënaq, saqë i tha: “Eh, mor bir, ma ke shtuar ymrin 10 vjet!”. Si sot, i mbaj mënd këto fjalë. Pastaj, kam kujtime të tjera, nga ajo kohë e hidhur, përcjelljet te treni. Atë forcën shpirtërore që mbillte ai në vetvete, për të përballuar situatën e vështirë që pati në rritjen e rininë e tij. Por, ndërsa nga një anë, ai forcohej, burrërohej para kohe, nga rrethanat që i erdhën, nga ana tjetër, ajo lidhja shumë e fortë shpirtërore në familjen tonë, ushqimi i tij me letërsi, me poezi, bëri, që në të njëjtën kohë, ai të kultivonte edhe një shpirt shumë delikat. Shumë, shumë delikat. Është domethënëse, që ta shikoje pikërisht, verën e fundit që kemi qenë së bashku, në një film, që ndoqëm në TV, “Koncert”, quhet, dëgjova dikë që po qante. Kur kthej kokën, ishte pikërisht Sokoli burrë tani, që qante. Domethënë, si ta them, atë shpirtin delikat e ruajti që nga fëmije e deri sa …iku. I donte njerëzit shumë, i respektonte, dëgjonte fjalën e tyre.
– Kë ditë më të lumtur të jetës së Sokolit, kujtoni ju?
– Besoj që dita më e lumtur e jetës së tij ka qenë dita kur unë jam kthyer nga internimi, përsëri si nënë pranë tij, për të më ndjerë më afër, për të më parë çdo ditë, për të qenë për të edhe një shoqe e mirë.
– Po ju, kë ditë nuk mund ta harroni te Koli?
– Unë do të mbaja, kjo është përsëri qenia përsëri nënë, sepse të të mohojnë që je nënë, duke të të marrë fëmijët është një gjë shumë e dhimbshme. Po të kthehem pas në vite dhe të kujtoj pikërisht atë ditë, që i morën me xhipsa, me forcë, me dhunë nga unë, tregon gjithë Selenica për atë ditë, thonë, se unë s’kam dalë nga shtëpia atë ditë, tregojnë, jo atëherë vetëm, por edhe më pas, bile edhe para dy-tre vjetësh më kanë thënë, që dikush e kishte përmendur si ditën që Selenica ka qarë e gjitha.
– Kë ditë më të lumtur të jetës së Kolit, patë ju?
– Dita e ribashkimit në një familje dhe natyrisht, kur u bë baba, ishte padyshim një ditë e madhe për atë. I donte aq shumë djemtë. Vetë ua ka vënë emrin të dy fëmijëve, edhe Glaukut, edhe Kleitit. U gëzua shumë që u bë baba me dy djem.
– Juve çfarë ju pyeste, qoftë edhe për t’iu marrë mendime për të vendosur, paskëtaj për gjera të rëndësishme?
– Kur ishte gazetar, kam dhe ruaj disa kujtime nga kjo marrëdhënie. Më kujtohet njëherë, që ka bërë një intervistë, kur ishte te “Albania” me dikë nga Vlora, sepse ishte dhënë një pavërtetësi rreth tij në gazetën, ku punonte. Ai person ishte takuar dhe kishte biseduar me Kolin, i cili pasi ishte bindur që e vërteta nuk ishte si ai shkrimi që ishte botuar, ka bërë një shkrim tjetër për të vënë në vend dinjitetin e atij personi. Në fillimet e para të tij në politikë, më kujtohet, që ka pasur emocione. Unë ndiqja çdo gjë të tij. Mbaj mend, që në parlament u atakua me një person, që ishte i krahut tjetër politik. Ai është njeri i letrave, i letërsisë dhe i gazetarisë. I bëra një mesazh: “Pse, kaq i ashpër me të? Dhe më mbrapa, Koli, sa kaloi gjysmë ore, më ka çuar një mesazh: “Mama, po pi kafe me këtë personin”. Unë, duke qenë e rrahur, me të mira dhe të këqija, nuk doja që të bësh armik kundërshtarin politik. Unë jam kundër asaj që të fyhet kundërshtari politik në një sallë, siç shikojmë në parlament. Ai nuk fyejti, por ishte pak i ashpër, ndaj unë i bëra një vërejtje dhe ai më ktheu atë përgjigje, që pi kafe me kundërshtarin. Këtë pjesë të tolerancës, që ai kishte me njerëzit, mendoj që kam ndikim edhe unë, dashurinë që kishte për njerëzit e tjerë. Kur ai hyri thellë në politikë, ai nuk i sillte problemet e punës në shtëpi, në familje. Sepse kishte shumë pak kohë në dispozicion të rrinte në familje dhe atë pak kohë që kishte, donte ta kishte për fëmijët e tij.
– Fëmijët e Kolit për çfarë ju pyesin më shumë juve, që të mësojnë për babain e tyre?
– Janë dy djemtë. Ai i mbante shumë shumë afër, por nuk u dha kohë të mjaftueshme aq sa duhet. Ndofta, politika e krijon këtë difekt, sepse i jepte më shumë kohë atyre gjërave. Por djali i madh i ka thënë motrës time, në moment: “Sa pak ndenja me babanë tim. Iku shumë shpejt”. Dhe ky është fëmija që e ka adhuruar të atin, vijon ta adhurojë të atin, dhe kërkon që për çdo gjë t’i ngjajë atij, dhe, domethënë përpiqet, deri-deri edhe gjestikulacionet ia ka marrë babait. Djali i madh e ka udhërrëfyes të atin në jetën e tij. Në shkollë, në mësime, në dashurinë për njerëzit, ai i do shumë njerëzit, është shumë social dhe i hapur. Ndërsa ndryshe është me djalin e vogël, i cili është krejt i mbyllur, dhe ende nuk do ta pranojë që ka pësuar dhe në asnjë mënyrë nuk do të zihet emri i të atit në gojë. Nëse ne do të flasim për Kolin në familje, në ambientin e kuzhinës, djali i vogël, Kleiti, largohet. Nuk duron dot, nuk është gati. Ai e ka akumuluar përbrenda dhe është e pamundur ta zbërthesh. Është një fëmijë që e vuan dhimbjen, pa e treguar dhe ndofta me pak inat, me pak arrogancë, që ne e mirëkuptojmë.
– Sot, pas 2 vjetësh, sa miq i kanë mbetur Kolit? (Në mes të kësaj interviste që zhvillova dje në drekë me nënën e Sokolit në shtëpinë e saj, erdhën edhe Astrit Patozi dhe Igli Cara, për ta takuar).
– Miqtë e vërtetë të Kolit, ata që ne i patëm njohur si miq që vinin në familje, rrinin me Kolin, t’ju them të vërtetën, tani vijnë më shumë. Se ndofta atëherë takoheshin me Kolin edhe përjashta, dhe nuk kishte e nevojshme të vinin edhe në familje. Kurse tani janë të pranishëm me kujdesin për ne, me dashurinë që shfaqin, me preokupimin për problemet me fëmijët e tij, ndërsa shumë të tjerë, që ne nuk i patëm njohur, që nuk i dinim që ishin miq e simpatizantë të Kolit, ne i njohëm në këto rrethana. Dhe ata janë me qindra nga e gjithë vendi. Para 3 ditësh më ka ardhur dikush nga Fieri, burrë e grua, nuk kishin guxuar të vinin më para, kështu më thanë. Janë njerëz që vijnë për të pirë një kafe e të shprehin dashurinë dhe respektin që kanë pasur për Kolin.
– Kini ndjerë braktisjen e ndonjë miku të Kolit?
– Natyrisht, çdo kush nuk mund të duhet nga të gjithë. Secili nga ne ka njerëz që i duam dhe na duan, ka edhe njerëz që, për rrethana të ndryshme, nuk kemi respekt. Dua të them, që ata që kanë qenë miq të vërtetë, vijojnë të vijnë. Ata që kanë qenë miq interesash, natyrisht, që ata nuk vijnë. Madje, kanë treguar veten e tyre. Është një Zot që gjykon për të gjithë ne dhe për ata.
– Cili është pengu juaj?
– Pengu im është që pse të ikte djali para nënës. Ky është pengu. Dhe një peng tjetër, t’ju them të drejtën, këtë nuk e kam shprehur herë tjetër, po tani që ma bëtë këtë pyetje, më erdhi, që do të ishte shumë mirë, që Koli të mos merrej me politikë.
– Ia kishte shprehur ndonjëherë Kolit këtë gjë?
– Po, unë ia kisha shprehur këtë gjë Kolit, madje që në fillimet e veta, por ai me atë entuziazmin e ndryshimeve, e idealizmave, që demokracia do të sjellë drejtësi, do të sjellë mirëqenie, do të sjellë vlerësimin vlerave të njeriut, etj, ishte në hapat që guxoi dhe vendosi vetë. Pavarësisht, mosdashjes time për t’u marrë me politikë.
– Koli ishte edhe një shpirt artisti, ishte edhe një krijues. Sot te cila poezi e tij, ju vete më shpesh mendja dhe përse?
– Koli ka shkruar që i vogël fare. Unë i kam të mbledhura të gjitha, edhe poezitë që ka shkruar nëpër pusulla. Por poezia që mua më ka tronditur shumë është poezia që ai e ka shkruar kohët e fundit, pra poezia që ai ka qenë më se i pjekur. Ka qenë politikan dhe unë kam parë një shpirt shumë të trishtuar, një shpirt që dhëmb, një shpirt që nuk është i qetë dhe më e rëndësishmja, është se kam përjetuar ndjesinë që ai ishte krejt vetëm.
– Jua kishte shprehur ndonjëherë, pikërisht këtë, që ai ishte krejt vetëm?
– Vetëm në një moment.
– Kur?
– Nuk mundem ta them. E kam krejtësisht për vete.
– Pa fotografuar njerëz dhe ngjarje, ku ishte ajo dhimbja e Kolit, që u ndje i vetëm?
– Ju thashë që kjo politika këtu te ne, nuk e di sesi është matanë nesh, por është një politikë shumë e egër. Unë nuk arrij dot të konceptoj dot sesi shqiptari të mund të bëjë luftë kundër shqiptarit. Për mua, politika është njësoj sikurse feja. Dikush është mysliman, dikush është katolik, dikush është ortodoks, secili duhet respektuar për dëshirat që ka, për të përqafuar qoftë një fe, qoftë një parti, qoftë një ideal. Por, politikanët nuk mund ta çojnë kurrë, për mendimin tim, Shqipërinë përpara, nuk mund ta çojnë kurrë popullin përpara, nëse nuk kanë mirëkuptim me njëri-tjetrin, nëse nuk luftojnë të dyja palët për ta çuar përpara vendin. Dhe kjo nuk mund të bëhet me luftë, nuk mund të bëhet duke mohuar çdo gjë të tjetrit. Por, kjo bëhet duke gjetur mirëkuptimin dhe duke thënë që edhe atje ku është qoftë edhe një gjë pozitive e këtij krahu, apo e atij krahu. Nëse duan vërtet ta çojnë këta politikanë Shqipërinë përpara, duhet të mirëkuptohen mes tyre. Aq më keq, që është, kur brenda llojit ato hahen me njëri-tjetrin. Dhe kjo është për mua, është një egërsi e pafajshme. Nuk është politikë. Kjo nuk mund të jetë, asgjë tjetër, veçse…nuk gjej emër ta përcaktoj…
– Në vetvete ju, për Kolin mund të pohoni për çfarë ju bën krenare?
– Koli më bën krenare, sepse ishte një djalë me shumë karakter. Një djalë që e donte shumë Shqipërinë. Që e donte shumë Kosovën, që e donte shumë popullin e vet. Që i dridhej shpirti për këdo që vuante. Dashuria që kishte ai për njerëzit dhe kur do njerëzit, do popullin, do Shqipërinë, po ashtu edhe Kosovën që e ndjente pjesë të tij, për mua, përpjekjet që bënte ai, për të arritur që Shqipëria të ecte drejt kahjes pozitive, dhe fakti, që kaq miq këtë ma demonstrojnë dashurinë dhe respektin që kanë pasur për të, do të thotë, që vërtetojnë këtë që them unë. Ata e duan dhe e respektojnë ende Kolin, sepse ai i ka dashur dhe respektuar.
– Duke i hedhur për çdo çast sytë te portreti i Sokolit, që e keni përballë, çfarë do t’i thoshit, nëse keni ndjesinë që ai ju dëgjon?
– Unë do t’i thosha: Bir, mua më ke bërë hatanë, por sa të kem frymë do të jem në këmbë, e gatshme, për të ndihmuar, për të shërbyer, për t’u dhënë një këshillë të vlefshme fëmijëve të tu! Për këtë të jesh i sigurt.
– Ju besoni se shpirti i të dashurit që ikën, rend midis nesh, është midis nesh?
– T’ju them të drejtën, ne jemi rritur në një kohë, i përkasim atij brezi, kur na edukuan me ateizëm. Por, në momentin kur unë, pësova një ndryshim me internimin, me befasitë që më afroi jeta më pastaj, unë fillova të kapem diku dhe e gjeta Zotin dhe i besoj Zotit. Kam lexuar shumë libra kohët e fundit, pikërisht për këtë, shpirtin. Dua ta besoj që shpirti jeton. Do të jetojë. Dhe unë pres që shpirtin e tim biri, ta takoj një ditë. Shpirti i tij është kudo me mua. Është kudo, në çdo moment, përderisa më bëhet, sikur Koli do të më vijë, sikur ai, ka shkuar diku dhe do të kthehet. Unë pres me shpresë, që një ditë do ta takoj! Një ditë do çmallem me të! Sepse kam një mall të pafund. 
Ardian Olldashi: Koli, vëllai im
Një vëlla special nuk i qëllon kujtdo, përkundrazi. Por unë të pata. Rritëm njëri tjetrin, por nuk të plaka dot. Momente të bukura, të trishtuara, emocione patëm plot dhe gjithmonë i ndamë. I grabitëm kësaj bote balsam për plagët, qeshëm dhe festuam gëzimin e jetës. Dhamë dhe ridhamë ndër nesh buzëqeshjen e jetës. Ndërsa unë çapitem në konstanten horizontale të baltës material, Ti vëlla, zgjodhe vertikalen e shpirtit, sepse je special! Faleminderit për gjithçka!
Sigal