Korani, peshku endemik shqiptar i Liqenit të Ohrit, një peshk antik me vlera të mëdha për turizmin shqiptar

11114
Nga Hysen S. DIZDARI
Pjesë nga libri i ri: “Flora dhe fauna detare në pullën shqiptare”
5 maj 1913 – 5 maj 2017
Pulla me vlerë 10 Lekë, e cila paraqet peshkun Koran, u emetua nga Posta Shqiptare me datën, 26 Shkurt 1964, me emërtimin “Peshqit”. Kjo seri ka 6 pulla dhe u shtyp në 60.000 seri .
PULLA ME VLERË 10 lekë – PESHKU KORAN
Pulla me vlerë 10 Lekë paraqet peshkun e llojit Korani. Emërtime shkencore të peshkut të llojit Korani në gjuhët Shqip, Anglisht dhe Latinisht janë si më poshtë vijon:
 Shqip- Korani, (mashkulli), lenica (femra), trofta e Ohrit.
 Anglisht – Ohrid brown trout
 Latinisht – Salmo letnica
GJEOGRAFIA
Peshku Korani jeton në Liqenin e Ohrit, Pogradec, dhe në rrjedhat e tij; është një peshk endemik që rritet vetëm në ujrat e liqenit të Ohrit, prandaj kërkon një kujdes të veçantë gjatë peshkimit për ruajtjen dhe shumimin e tij. 

BIOLOGJIA
Peshku Korani ka trup të gjatë dhe ngjyrë te argjendtë të mbyllur në shpinë, kurse në bark ka ngjyrë të bardhë të argjendtë, pendët kurrizore e ka ngjyrë të kuqerreme, ndersa të tjerat ngjyrë të argjendët, në dy anët e kurrizit ka pika të kuqe.

Gjatë fazës se shumimit rreth moshës 4-vjecare futet në përrenjtë malorë dhe ka periudhën e shumimit gjatë muajve janar – shkurt; rritet në gjatësi nga 30- 60 cm; peshon nga 1- 3 kg; ushqehet me barishte ujore, krimba dhe peshq të vegjël.

RËNDËSIA EKONOMIKE DHE TURISTIKE
Peshku koranit sipas studimeve te arkeologjise eshte një lloj peshku Antik nga më të vjetër në botë, që i ka mbijetuar Shekujve dhe jeton e rritet vetëm në ujërat e Liqenit Pogradecit, pra është peshk endemik shqiptar, prandaj ka vlera të larta ekonomike e turistike, sepse çmimi i tij është i lartë dhe është shumë i kërkuar nga turistët, vendas dhe huaj. Korani ka mish ngjyrë të bardhë në trandafil; mishi i tij është shumë i shijshëm me përmbajtjetë lartë të vitaminave e mineraleve; vlerat e tij rriten kur gatuhet i freskët. Shume turistë vendas dhe të huaj janë të interesuar ta shikojnë, studiojnë dhe fotografojnë.

PJESA E 2-të
Korani – peshku antik i mozaikut të Linit që i mbijetoi shekujve, sot i rrezikuar nga ndotja e liqenit të Ohrit dhe mbipeshkimi
Posta shqiptare në 10 Korrik të vitin 1970 emetoi një emision të veçantë kushtuar zbulimeve arkeologjike në fshatin Lin të rrethit të Pogradecit. Mozaikëve të zbuluar në fshatin Lin iu kushtua një emision special i pullës shqiptare duke e titulluar “Mozaikët e Linit”, ka në përbërje gjashtë pulla me pamje të mozaikëve të Linit. Një nga pullat me vlerë të madhe arkeologjike të këtij emisioni është pulla me vlerë 65 lekë, e cila paraqet një mozaik me pamjen e një peshku që i përket shekullit V-IV të erës sonë. Ky mozaik paraqet tek pulla me një figurë të qartë peshku, që tregon se lundrimi dhe peshkimi janë tradita të lashta të popullit shqiptar që në kohet e ilirëve dhe i përcjellë brez pas brezi deri në ditët tona.

RËNDËSIA KULTURORE DHE HISTORIKE
Mozaikët e Linit sipas studimeve arkeologjike i përkasin shek.V-IV të erës sonë; kanë vlera të mëdha artistike dhe turistike, sepse janë një dëshmi e gjallë që flet qartë se Lini ka qënë një qendër e lashtë e banuar nga parardhësit e shqiptarëve, fiset Ilire; popullsia ilire ka njohur mire mjeshtërinë e lundrimit dhe të peshkimit; shumë turistë vendas dhe të huaj janë të interesuar ta shikojnë, studiojnë dhe fotografojnë, prandaj duhet të ruhet dhe të mbrohet nga dëmtuesit.

Por datimin e saktë të mozaikëve të Linit na e jep arkeologu i madh shqiptar Skënder ANAMALI, i cili në vitin 1968 mori pjesë në studimin e hollësishëm të mozikëve të Linit .
Në studimin e tij për mozaikët e Linit thekson:
“Duke folur për analogjinë e mozaikëve të bazilikës së Linit ne përmendëm se ato i gjejmë shumë të qarta në bazilikat paleokristiane të trevës së lindjes së vendit tonë. Si të tilla bazilikat dhe mozaikët e e tyre janë datuar pak a shumë në fillim të shek. V-IV- ose në periudhën e sundimit të Justinianit dhe të pasardhësve të tij më të afërt.”
Revista e studimeve arkeologjike Vellimi-III- Tirane 1974.faqe 336

MASAT MBROJTËSE
Korani sot është i rrezikuar: Nga ndotja e ujrave të liqenit të Ohrit dhe nga mbipeshkimi i tij. Korani është një peshk i ujrave të pastra, i cili rritet në Liqenin e Ohrit dhe kërkon disa kushte specifike për shumimin dhe rritjen e tij. Kushti themelor i mbijetesës dhe rritjes së tij është ruajtja e pastër e ujërave të liqenit sidomos nga ndotja urbane, nga banorët që jetojnë për rreth këtij liqeni dhe nga mbipeshkimi i tij. Gjuetia e koranit është ndaluar gjatë periudhës së shumimit tij, në muajt janar-shkurt. Korani është një peshk i mbrojtur me ligj nga shteti shqiptar dhe i regjistruar në Librin e Kuq të faunës shqiptare me Statusin-VU. 


Sigal