Koncesione mjekësore miliona euro, që bëhen pasuri klanesh, ortakësh e familjarësh të “Rilindjes”

726
Koncesionet në shëndetësinë shqiptare që kanë vulën e ministrit Ilir Beqja, po vazhdojnë në forma të reja, por përherë në miliona euro që përfundojnë në xhepat klientëve që përzgjedh kupola e Rilindjes”, nën menaxhimin e ministrit të Shëndetësisë. këto koncesione miliona në miliona euro që jepen në çdo sektorë shërbimi mjekësor shtetëror, janë skenar për të bërë pasuri një grup individësh që kanë futur ën kthetra “rilindjen” dhe nën emrin e saj gjoja “moderne”, po zhvatin pasuritë e financat kombëtare, duke ia dhënë shërbimet klientëve të tyre privat në formë monopoli 10, 20 e 30 vjeçar! Ky krim me logon “koncesione” ka nisur si një qëllim i paracaktuar për të bërë pasuri. Dhe është bekuar e bekohet përditë prej kreut të “Rilindjes” nën justifikimin dhe maskën e “partneritetit me privatin”. përse duhet bërë ky gjoja partneritet në formë monopoli, madje edhe për firma që nuk kanë asnjë lidhje me shëndetësinë, por me biznese të tjera, madje edhe vrasëse të shëndetit të popullatës?! Përse këto koncesione privatësh, kryhen në qendrat shëndetësore shtetërore dhe punonjës shëndetësie të shtetit? Sa taksa paguajnë? Sa realisht i kryejnë shërbimet? Ku përfundojnë milionat e sigurimeve shëndetësore që kalojnë në duart e privatëve? Sot po rikujtojmë 3 skandale koncesionesh në shëndetësi…
Koncesioni monopol “Check–up” me vlerë 120 milionë euro për 10 vite
Një kliente e kupolës së “Rilindjes” e quajtur Vilma Nushi, ka kapur dhe po vjel me qetësi e pa asnjë kontroll monopolin e shërbimit të kontrollit (depistimit) mjekësor me emrin “Check–up” me vlerë 120 milionë euro në 10 vite. Prej shtetarëve që kanë firmosur këtë monopol të sajuar enkas për “mike-ortaken” e tyre, po vazhdon të bëhet propagandë e gënjeshtër, se gjoja ky shërbim është falas për shqiptarët. Në fakt, 120 milionë euro për10 vite që kushton ky monopol mjekësor (analiza-depistimi), janë taksa shqiptarësh e jo financim dhuratë, të bëra prej shtetarëve firmosës. Kontrolli shëndetësor falas për shqiptarët nga 40 në 65 vjeç është një super-fitim për llogari të kompanisë që shërbimin “Check-up” që ka kapur për “fyti” zonja Nushi. Po si “vilen” milionat nga ky shërbim, që nuk ka as tregues, as fakte që e provojnë se është bërë? Në një vit, sipas detyrimit kontraktor, duhet të kontrollohen (depistohen) 475 mijë shqiptarë. Referuar të dhënave të nxjerra prej spitaleve rajonale, spitaleve të rretheve dhe qendrave shëndetësore (ish-spitale) në qytete, por edhe prej analizave të kryera në të vetmin laborator që thuhet se kompania ka në Tiranë, qysh prej 2 prillit 2014 kur ka nisur kontrata e kontrollit mjekësor për moshën 40-65 vjeç, nga 475 mijë persona të përcaktuar si detyrim në kontratë për kontroll vjetor, deri tani janë depistuar vetëm 19% e tyre, por 15 milionë eurot e 19 muajve janë arkëtuar prej shtetit në llogarinë e firmës, madje 50% e tyre paradhënie, gjoja për infrastrukturën! Kompania e shpallur fituese, u shpall fituese pa pasur eksperiencë në këtë fushë, deri ditën që nisi aktivitetin koncesionar. Dhe çuditërisht, askush nuk i kërkon llogari firmës për mos zbatim kontrate. Kush e lejon dhe e mbron? Kujtojmë që koncesionari monopolist e ka nisur këtë koncesion qysh në muajin prill 2014 me VKM Nr. 185, date 02.04.2014 me objekt: “Për përcaktimin e mënyrës së realizimit të kontrollit mjekësor bazë për shtetasit e moshës 40 – 65 vjeç”! Kujtojmë sërish akuzën e bërë prej opozitës, me denoncimin për faktin që kompania “Marketing&Distribution” me pronare Vilma Nushin, sipas opozitës, përveç koncesionit të shërbimit mjekësor (analiza-depistim) të quajtur “Check-up” gjoja “falas”, ka nën kontroll edhe procesin e “procedurave të thjeshtuara të deklarimit në dogana”. 
Koncesioni monpol i laboratorëve të analizave mjekësore
Ka dalë në skenë çështja e koncesionit monopol të dhënies së laboratorëve të mjekësisë shqiptare në të gjithë territorin e Shqipërisë, me objekt bërjen dhe njohjen e analizave mjekësore vetëm tek firma koncesionare monopol që ka përzgjedhur ministri Beqja me “bekimin” e kupolës së “Rilindjes”. Projekti (ultimatum) i ri korruptiv me koncesionin e laboratorëve mjekësor, do të realizohet brenda muajit maj 2016. Sipas skenarit, shteti nuk do të jetë më pronar i laboratorëve mjekësor dhe shqiptarët që vazhdojnë e “flenë me ëndrrën e shëndetësisë falas”, jo vetëm nuk do të bëjnë analiza falas, por çdo analizë do të paguajnë çmime 2-3 herë më ta lartë se sa paguajnë aktualisht, duke mbushur thesin e monopolistëve greko-serb. Kujtojmë, që ky koncesion mafioz për të zhvatur edhe shërbimin e analizave laboratorike mjekësore publike në Shqipëri, ka nisur si skenar hajdutëror qysh prej datës 28 janar 2015, “damkosur” me VKM Nr. 80, datë 28 janar 2015 dhe sipas tij që prej datës 1 shtator 2015, analizat mjekësore do të ishin aktivitet privat edhe brenda spitaleve shtetërorë, madje edh me një specifikim-detyrim, që në shërbimin mjekësor shqiptar do të njihen vetëm analizat e bëra nga monopolisti serbo-grek që do të licencoj ministri Beqja! Më qartë, çdo qytetar i siguruar e i pasiguruar që do të shkojë për analiza mjekësore në laboratorët e koncesionit “Beqja”, do të paguajnë tarifa që i vendosin privatët, paçka se pacienti do të jetë ose jo me sigurim shëndetësor. Por sa janë aktualisht çmimet e analizave për shqiptarët e pa siguruar, pra për të papunët? Sa do të jenë pas kalimit të shërbimit laboratorik me koncesion
Koncesioni monopol 13 miliardë lekë për larjen e çarçafëve të QSUT
Gazeta “Telegraf”, ka zbuluar koncesionin e dhënë në shëndetësi prej Ministrisë së Brendshme, për larjen e çarçafëve, pizhameve e këllëfëve të pacientëve të QSUT. Po e konkretizojmë. Në Buletinin e Prokurimit Publik Nr.20, datë 25 Maj 2015 është shpallur një tender absurd., që mbanë siglën “Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara”, me objekt tenderimi “Për shërbimin e lavanterisë dhe hotelerisë në pavijonet e QSUT”. Vlera e këtij tenderi është 1.106.416.176,7050 (1 miliardë, 160 milionë e 460 mijë e 705 lekë të reja, pa llogaritur taksën 20% TVSH, bashkë me të cilën vlera e larjes së çarçafëve e këllëfëve të QSUT, shkon në 1.32 miliardë lekë të reja, që janë fonde nga buxheti i shtetit për shërbime në QSUT, por që i menaxhon ministria që ka funksion ruajtjen e rendit! Ky fakt përbën rastin e vetëm edhe në vendet e BE, që ministria e cila duhet të luftoj krimin lan batanijet, këllëfët dhe çarçafët e të sëmurëve të spitaleve civile!
Foto skandal nga falsiteti i higjienës mjedisore në QSUT: Aksion se vjen kryeministri
Lajmi i përhapur, se në QSUT do të shkoj për “takim pune” kryeministri, ka ngritur në këmbë drejtuesit e QSUT, të cilët me një urdhër të prerë, kanë hedhur punonjësit e qendrës spitalore në aksionin e pastrimit, gjelbërimit, zbukurimit të mjediseve të qelbura të kësaj qendre. Pa bërë asnjë koment, po publikojmë një nga fotografitë e bëra në një nga qoshet e qelbura të kësaj qendre spitalore, e cila po pastrohet me urgjencë mbasi atje do të shkojë kryeministri! 
Sigal