Kisha katolike në urimin e Krishtlindjes i bën thirrje politikës: Angazhim kundër korrupsionit dhe drogës

544
Sigal

Bashkë me urimin për
Krishlindjen, Kisha Katolike ka përcjellë edhe një mesazh për politikanët, që
ashtu siç treguan pjekuri për dakortësinë e arritur me reformën në drejtësi,
ashtu të punojnë për të mirën e përbashkët, për një shoqëri më të drejtë. Mesazhin
e përcolli, Arqipeshkvi u Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo, i cili
kërkoi më shumë angazhim nga politika për të luftuar korrupsionin dhe drogën.

Kisha Katolike i ka përcjellë një mesazh të fortë
politikës shqiptare, që të angazhohet për të luftuar korrupsionin dhe drogën.

Kjo thirrje e Arqipeshkvit të Tiranës dhe Durrësit Imzot
George Frendo, erdhi bashkë me vlerësimin për arritjen e dakortësisë për
reformën në drejtësi.

 “Ne u gëzuam kur partitë politike ranë dakord për reformen
në drejtësi – ishte shenjë pjekurie politike, sepse politikanët duhet të
kërkojnë të mirën e përbashkët më shumë sesa të mirën e partisë. I nxisim të
angazhohen edhe më shumë për të kontrolluar plagën e korrupsionit dhe të
drogës, dhe të tregojnë më shumë kujdes për të varfrit, që janë gjithmonë në
zemrën e Krishtit”.

Në urimin e tij të Krishlindjes, Imzot Frendo, tha se kjo
ditë na angazhon të krijojmë një shoqëri më të drejtë dhe më vëllazërore,
ndërsa lartësoi sakrificën e Jezusit, i cili erdhi në botë për të mbrojtur ata
që janë pre e padrejtësisë.

 “Që në vogëli ai qëndron në mes të varfërve dhe është pre e
Herodit. Mbi padrejtësinë fitohet, duke parë tek Krishti shpalljen e barazisë
themelore të të gjithë njerëzve. Në një shoqëri padrejtësie e dhune edhe sot,
Ai predikon dinjitetin e personit, që kërkon t’i respektohet sidomos e drejta
për jetën e jo vetëm kaq, por ajo për një jetë dinjitoze, e drejta për edukim
dhe e drejta për formuar familje”.

Imzot Frendo tha se ndryshimi për një shoqëri më të
drejtë, duhet të vijë nga zemra e njeriut, sepse vetëm kështu garantohet
përparimi dhe liria e vërtetë.