Jim Mattis riafirmoi angazhimin e SHBA-së ndaj sistemit të mbrojtjes kolektive të NATO-s

88
Një fjalim historik që riafirmon vazhdimësinë e strategjisë 70 vjeçare te SHBA, mbështetjen ndaj NATO-s dhe aleatëve evropianë. Ndërkohë hedh poshtë parashikimet dhe skepticizmin e mjaft analistëve e “strategjistëve” në Shqipëri e diasporë për qëndrimin politik, ushtarak e diplomatik të SHBA në Ballkan, Evropë e më gjerë. 

Jim Garamone, Zyra e shtypit e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA
UASHINGTON, 28 qershor 2017 – Gjatë fjalimit të mbajtur në George C. Marshall, Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani, Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis tha se, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndërtojnë trashëgiminë e George C. Marshall dhe riafirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sistemit të mbrojtjes kolektive të NATO-s. “Angazhimi i SHBA-ve ndaj garantimit të sigurisë së Nenit 5 të NATO-s, është i palëkundur,” tha Mattis gjatë fjalës së tij, me rastin e 70 vjetorin të Planit Marshall, një plan që shpëtoi miliona evropianë nga uria dhe sundimi sovjetik. Sipas nenit 5, një sulm ndaj një vendi partner të NATO-s, konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve. Nisma e Planit Marshall, nga ish-sekretari George C. Marshall, nën mbështetjen e popullit amerikan, siguroi më shumë se 13 bilionë dollarë mbështetje ekonomike, që bëri të mundur rindërtimin e ekonomive të Evropës Perëndimore pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ushtaraku George C. Marshall, Shtetet e Bashkuara
G. Marshall u lind më 31 dhjetor 1880 dhe vdiq më 16 tetor 1959. Ai shërbeu si oficer nga Instituti Ushtarak i Virxhinias dhe mori pjesë në Luftën e Parë Botërore. Shërbeu në Ushtrinë amerikane gjatë viteve 1920 dhe pa efektet e Depresionit të Madh për bashkatdhetarët e tij.

Kur Gjermania naziste pushtoi Poloninë më 1 shtator 1939, duke filluar Luftën e Dytë Botërore në pjesën evropiane, Marshall u bë Shefi i Shtabit të Ushtrisë amerikane në po këtë ditë. Ai ishte një nga arkitektët e fitores të kësaj lufte, duke ngritur dhe vendosur ne frontet e luftës një ushtri prej 10 milionësh, që në bashkëpunim me aleatët mposhtën diktaturat, që sollën vuajtje të pallogaritura në botë. Pasi Marshall u largua nga detyra aktive, ai shërbeu si Sekretar i Shtetit, dhe në atë cilësi ai propozoi Planin e tij Marshall, të cilin e paraqiti gjatë një fjalimi në Universitetin e Harvardit në Kembrixh të Masaçusetsit, në vitin 1947. 

Sipas planit, Shtetet e Bashkuara shpenzuan 13 bilionë dollarë për të ushqyer kontinentin dhe për të investuar në ndërtimin e ekonomive të këtyre vendeve të shkatërruara, në mënyrë që ata të mund të siguronin qytetarët e tyre. Vizioni i Marshall ishte për një Evropë të tillë: “një kontinent paqësor, i zellshëm dhe i begatë, i lirë nga tirania, që zotëronte forcën ushtarake për t’u mbrojtur nga çdo agresion”, tha Mattis. 

Siguria në Evropë.
Por plani Marshall ishte më shumë se kaq. Ishte koncepti amerikan se siguria në Evropë – në të vërtetë në të gjithë botën – ishte në interesin më të mirë të vendit. “Dëshira për një të ardhme më të sigurt, një gjeneratë që e shihte të lidhur sigurinë e saj me sigurinë e të tjerëve, tha sekretari Mattis. “Ata patën guximin të pranonin të gjitha përpjekjet kolektive që duhej të ndërmerreshin për të shmangur përsëritjen e gabimeve që çuan në Luftën e II-B”. Duke vijuar: “Dhe, nëse liria kërcënohet dhe lufta është e pashmangshme, atëherë duhet të ndërmerren të gjitha përpjekjet për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt që të jetë e mundur”. Brezat pas Luftës së Dytë Botërore kuptuan nevojën e mbrojtjes kolektive; Ata e panë të nevojshme bashkëpunimin me aleatët dhe ndërthurjen e diplomacisë, ekonomisë dhe fuqisë ushtarake për të formësuar botën, theksoi Mattis. “Marshall e dinte kursin historik dhe kushtet nga të cilat varej ecuria e tij”, tha Sekretari i mbrojtjes. Kështu “Plani Marshall lejoi qindra miliona njerëz të mbijetojnë nga paslufta, të jenë të sigurt për nevojat bazë: ushqimin, sigurinë, sundimin e ligjit dhe liritë thelbësore politike”. Deri në vitin 1967, produkti i brendshëm bruto për kokë, i një banori të Britanisë, Francës, Italisë dhe Gjermanisë ishte dyfishuar, vuri në dukje ai. Lufta kishte shkatërruar Evropën. Mbi 14 për qind e popullsisë së para luftës vdiq ose u zhvendos, vuri në dukje Mattis. “Njerëzit tanë përjetuan tmerret që mund të ndodhin kur liria është e rrezikuar, kur paqja dhe civilizimi ndalohen, kur dialogu dështon dhe shoqëritë tona përfshihen në luftë totale”, tha sekretari.
Partneriteti Evropian, Udhëheqja
Plani kërkoi partneritet dhe udhëheqje evropiane – ajo nuk mund të imponohej nga Shtetet e Bashkuara apo organizatat ndërkombëtare, tha Mattis.

Vlerat Perëndimore ja vlejtën të mbrohen. Dhe kjo u bë, duke u bazuar në Planin Marshall për të krijuar institucionet që kanë siguruar stabilitetin dhe paqen në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, tha sekretari i mbrojtjes.

“Evropa u shndërrua nga një konsumator i sigurisë në një ofrues të sigurisë, diçka që Marshall dëshironte me zjarr, sepse kurrë nuk e kishte parashikuar se Amerika do ta mbante këtë barrë vetëm”, tha Mattis. “Ai e dinte nga përvoja e tij se kjo duhej bërë nga të dy palët, se të dy kishin përfitimet dhe barrën e saj.”

Në 72 vitet që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, aleatët evropianë të Amerikës kanë kontribuar në operacione globale të udhëhequra nga SHBA në shkallë të gjerë, tha ai. “Ndër kontributet kryesore përmendim 39,000 pjesëtarë aleatë që luftuan e po vazhdojnë luftën me Shtetet e Bashkuara në Afganistan dhe 59,000 aleatë që luftuan me ne në Irak”, tha Mattis. ” Ne nuk duhet të lejojmë që vitet e kaluara që nga viti 1947, të na verbojnë për të parë realitetin e tanishëm. Siç siguruam liri për ata njerëz që u rritën me frikë e jo të lirë, të uritur dhe nga tmerret e luftës botërore, ne nuk mund ti largohemi përgjegjësisë për të siguruar të njëjtat liri brezave të ardhshëm “. 
Iniciativa evropiane e Risigurimit.
Në fjalim Sekretari Mattis përmendi angazhimin e SHBA-së për Iniciativën Evropiane të Risigurimit, e cila u rrit në 4.8 miliardë dollarë në kërkesën buxhetore të viti 2018 dhe vazhdimin e pjesëmarrjes së SHBA-së në operacionet e ardhshme të NATO-s deri në vitin 2020. “Përtej ndonjë fjale në gazeta, ju mund ta gjykoni Amerikën me vepra të tilla”, tha ai. “Kjo është ajo që ne jemi. Ne – Amerikë, Gjermani, Evropë, Perëndim – rrezikojmë jetën që një fëmijë në Berlin të mund të hajë i qetë; Ne luftojmë terroristët në errësirë, kështu që ata nuk mund të vrasin njerëz të pafajshëm në koncerte. Kombet tona qëndrojnë së bashku si ishuj demokratikë të stabilitetit, në një botë të mbushur me ndryshime. ” Fakulteti i Qendrës Marshall, stafi, studentët dhe të diplomuarit mbajnë trashëgiminë e emrave të kësaj qendre, tha Mattis. “Për ju studentët, kur të ktheheni në shtëpi, keni një mundësi të artë për të mbyllur derën e luftës, duke ushtruar autoritetin tuaj moral dhe përgjegjësinë e brezit tuaj për të mbrojtur lirinë”, tha ai. “Vlerat janë vlerat perëndimore – respektimi i një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe i sovranitetit kombëtar, liria e fjalës, liria e fesë dhe dinjiteti i njeriut. Këto vlera janë nën rrezik në kontinent. Rusia po përpiqet të mbrojë veten për të minuar synimin e një kontinenti të tërë, për të qenë i lirë dhe në paqe, tha sekretari Mattis.
Marrëdhëniet me Rusinë
“Shtetet e Bashkuara kërkojnë bashkëpunim me Rusinë. Ashtu siç bën aleanca e NATO-s, “tha ai. “Por Rusia duhet ta dijë atë për të cilën ne qëndrojmë dhe atë që nuk do të tolerojmë: ne qëndrojmë për liri dhe kurrë nuk do të dorëzojmë lirinë e popullit tonë apo vlerat e aleancës sonë që ne i kemi të shenjta”. Duhet të respektojë parimin e barazisë. Sekretari tha se ka miliona njerëz të dekurajuar në Rusi, të cilët kanë nevojë për frymëzim. “Udhëheqësi i tyre që bën shkatërrime përtej kufijve rusë, nuk do të rivendosë fatin apo të zgjojë shpresën e tyre,” tha ai.

Ndërkohë që aleatët e NATO-s do të parandalojë e përballojnë çdo agresion me vendosmëri. Aleanca do të lërë derën hapur për një Rusi që ndryshon nga vija e saj dhe “respekton sa duhet njerëzit e saj për t’ju përmbajtur ligjit ndërkombëtar dhe kështu të fitojë paqen që ne të gjithë i ofrojmë”, tha Mattis.
Përktheu Shefqet&Herion Kërcelli