Historia e Cërrikut në 60 vjet

3603
Sigal

Si lindi qyteti i vogël i naftëtarëve, origjina e emrit dhe ndërtimi i si qendër e banuar. Flet Kryebashkiaku Servet Duzha

Qyteti i Cërrikut ndodhet në qendër të Shqipërisë së Mesme. I vendosur mes dy lumenjve, Devoll dhe Shkumbin, ai ka një klimë pothuajse mesdhetare. Do të niste ndërtimi afro 60 vjet më parë. Fillimisht nga rusët. Qyteti do të përjetonte spektrin industrial, falë Uzinës së Përpunimit të Naftës. 20 vitet e tranzicionit demokratik do ta shndërronin atë në një qytet agro-bujqësor, pse jo dhe me resurse agro-kulturore. Rrethuar me kodra të buta, mes një fushe relativisht të madhe, Cërriku numëron sot mbi 15 mijë banorë. Një popullsi relativisht e re, me resurse natyrore dhe njerëzore, ky qytet ofron mundësi të mëdha për investime në të gjitha sektorët. Funksionon rrjeti shëndetësor, farmaceutik, spitalor, social, kulturor si dhe  mjediset sportive e një fushe futbolli relativisht e madhe. 80% e popullsisë është me arsim të mesëm, 40% e saj me arsim të lartë, ku masivisht nga rinia komunikohet në gjuhën italiane, pa lënë mënjanë gjuhët anglisht e frëngjisht. Në qytet ekziston pronësia dhe aktiviteti privat, por sektorët jetikë drejtohen instancat shtetërore. Ka tri shkolla nëntëvjeçare, një shkollë të mesme e profilit të përgjithshëm, një e profilit bujqësor si dhe një kolegj turk, pa njohuri fetare të detyrueshme. Qyteti ka një popullsi të përzier myslimano-ortodokse, mes të cilëve mbizotëron harmonia e plotë. Mbizotëron aktiviteti bujqësor, ku shquhet për drithërat e bukës. Qyteti eksporton të gjitha llojet e frutave dhe perimeve në të gjitha stinët e vitit. Në qytet, veç sipërfaqeve të tokës private, ka sipërfaqe të lira shtetërore, ku mund të investohet në çdo drejtim. Jo më shumë se 60 km nga deti dhe 20 km nga relievi malor, Cërriku prezanton një klimë të favorshme në bujqësi, agrume, blegtori e resurse të tjera natyrore.

Nga vjen emri  “Cërrik”  

Emri Cërrik, (sipas një rrëfenje më të besueshme, sepse ka disa hipoteza), vjen nga emërtimi i një fushe po me këtë emër të artikuluar para shumë dekadash, që ndodhej në një largësi të barabartë midis lumit Shkumbin dhe Devoll. Pas vitit 1912, banorët e fushës se Cërrikut, përmenden se kanë luftuar kundër pushtuesve serbë dhe italianë. Në shenjë hakmarrjeje serbët masakruan shumë fshatra në Allabeg e Xherije. Në atë periudhë në Fushën e Cërrikut kishte afërsisht 111 familje. Ky emër i kësaj fushe, natyrshëm u bë emri i Qytetit të Ri që do formohej mbas çlirimit të vendit, pas vitit 1944.

Instituti  i duhanit

Instituti i duhanit, Institucion kërkimor shkencor për bimën e duhanit me qendër në Cërrik dhe me shtrirje të veprimtarisë në të gjithë Shqipërinë. Puna shkencore me këtë bimë ka nisur në stacionin e kërkimeve Bujqësore të Tiranës më 1952. Më vonë më 1956 është ngritur në Yrshek të Tiranës si qendër e specializuar, stacioni eksperimental i Duhanit. Në varësi të tij ka qenë dhe baza eksperimentale e duhanit në Cërrik. Në vitin 1962 stacioni u transferua në Tiranë dhe u vendos në Cërrik duke vazhduar si i tillë deri në vitin 1984. Në varësi të institutit kanë funksionuar tri baza eksperimentale në Shkodër, Korçë dhe Gjirokastër. Aty punuan 13 bashkëpunëtorë shkencorë dhe mbi 100 punëtorë në një sipërfaqe prej 45 ha. Më vonë sektori i kimi – teknologjisë u hoq…. Stacioni i duhani bën punë kërkimore shkencorë në seleksionimin e përdorimin e farërave elite e hibride si dhe probleme te agro-tekinkës. Aktualisht aktiviteti i këtyre ndërmarrjeve ka rënë ndjeshëm.

Radiostacioni i Cërrikut

Ka filluar punë më 1 tetor 1967. Është qendër transmetimi radioje, me valë të shkurtra. Ky radiostacion ka qenë konceptuar si i ndarë në dy zona: zona A dhe zona B. Zona A ka të instaluar 8 transmetues nga 50 kvv fuqi të rrezatuar, të cilët mund të punojnë dhe të bashkuar nga dy, duke realizuar një fuqi prej 100 kvv, që për vitet 60-70 ishte një fuqi e konsiderueshme. Nëpërmjet një sistemi antenash, nga zona A janë transmetuar në drejtim të vendeve të ndryshme të botës, programe në shqip si dhe në gjuhë të huaj. Nga zona A deri në  vitin 1989 transmetoheshin programe në 28 gjuhë të huaja. Në vitet e fundit të shek. XX transmetohen në 16 gjuhë, si dhe programe shqip për shqiptarët jashtë atdheut. Zona B ka të instaluar 8 transmetues, nga të cilët 2 me fuqi 50 kë secili, si dhe 6 të tjerë me fuqi 15-25 kvv. Nga kjo zonë në dy transmetuesit 50 kvv është dhënë dhe vazhdon të jepet program difuzioni. Të gjashtë transmetuesit e tjerë kanë punuar kryesisht në telegraf për agjencinë kineze “Hsinhua”,  ATSH, ambasadat dhe Postë-Telegraf-Telefonin, PTT.

Uzina e Përpunimit të Naftës

Ndërtimi i saj filloi në vitin 1952 dhe u përurua më 8 nëntor të vitit 1956. UPN ishte caktuar për përpunimin e naftës bruto, të furnizuar nga vendburimet e vendit me sistem tubacionesh. UPN u projektua fillimisht me aftësi 500 t përpunimi nafte bruto në 24 orë. Në vitin 1957 pas një përpunimi konstruktiv, u rrit aftësia përpunuese e naftës bruto në 800 t në 24 orë. Më 1961 u krye rikonstruksioni i uzinës duke rritur aftësinë përpunuese në 1500 t në 24 orë. UPN gjatë kohës që funksiononte jepte këto prodhime: benzinë, gazoil, vajguri për ndriçim, bitume të tipave 3, 4, 5, solar, mazut. Në vitin 1962 filloi prodhimi i vajrave lubrifikuese për automjete Avtol 18 dhe DP 14, si dhe vajguri  tip TS1 për aeroplanët. Në vitin 1965 filloi prodhimi i sapunit naftanik dhe acideve naftanike. Furnizimi me naftë bruto bëhej me ndihmën e linjës së tubacioneve nga Kuçova. Sot UPN nuk është më në gjendje pune.

Ndërmarrja e bonifikimit

Në fund të vitit 1969 u krijua kantieri i Bonifikimit me qendër në Cërrik, e cila varej nga Ndërmarrja e Bonifikimit në Durrës. Detyra kryesore e kësaj platforme të ngritur, ka qenë ujitja e tokave të Dumresë.

Serat

Sipas burimit të nxehtësisë janë krijuar sera me ngrohje me qarkullimin e ujit të nxehtë. Kjo metodë e prodhimit bujqësor është përdorur në Cërrik që ne vitin 1958. Në Ndërmarrjen Bujqësore Cërrik është  përdorur për herë të parë, silozhimi i farogjereve, në fund të vitit 1950. Kjo metodë konsiston në ruajtjen e farogjereve të ngrira në kushte anerobike, e cila tharmohet duke i kthyer sheqernat në acide organike. Sot një përvojë e tillë është përhapur dhe profeksionuar në fermerë të ndryshëm në këtë qytet e zonave rreth tij me drejtim bujqësor.

Heronjtë e Uzinës

Uzina e përpunimit të naftës, krahas rritjes së prodhimit, përparimi i njerëzve në profesion duke e vlerësuar punën si një betejë të vërtetë, pati dhe martirët e saj në fronte të ndryshme. Dhanë jetën gjatë kryerjes së detyrës shumë prej tyre si; Pranvera Shuku, Bejaze Shkëmbi, u dogj në zjarrin e flakëve Beqo Beshiri, Anife Kabila, në gaz u mbyt Vangjel Nasto dhe Abedin Mahmuti. Krahas këtyre që përmendëm, kanë rënë në krye të detyrës dhe shumë punonjës të tjerë duke qenë të obliguar për punën që ia kishin besuar.

Kryebashkiaku, Servet Duzha

Në një prononcim për “Telegraf”, kryetari i Bashkisë së Cërrikut, z.Servet Duzha është shprehur: “Kombi shqiptar ka një histori të madhe shumëplanëshe dhe shumë dimensionale. Brenda kësaj historie është edhe Cërriku, një qytet 60-vjeçar që nga rafineria e përpunimit të naftës, vënia e tullës së parë në ndërtimin e qytetit, ndërtimi i pallateve të shumta e deri në lulëzimin e jetës qytetare, të cilën e jetojmë sot. Cërriku ka historinë e tij që e kanë shkruar banorët e këtij qyteti, punëtorët dhe intelektualët, inxhinierët dhe mësuesit, studentët dhe nxënësit, pleqtë dhe të rinjtë të gjithë bashkë janë pjesë e historisë së këtij qyteti 60-vjeçar. Të flasësh për historinë e Cërrikut, nuk duhet vetëm të jesh historian. E rëndësishme është të jesh edhe banor i këtij qyteti, të kesh jetuar me brengat dhe hallet e tij, të kesh përjetuar momentet e një jete 60-vjeçare që nga krijimi i fermës së parë ushtarake e më pas ferma shtetërore me SMT e më pas ndërtimin e Rafinerisë së naftës që do të ishte edhe bërthama e krijimit të këtij qyteti. Krijimi i Cërrikut si qytet i konceptuar sipas parimeve të ekonomisë së centralizuar të shtetit komunist, pati etapat e tij të lulëzimit dhe të ecurisë së tij. Por njëherazi ky qytet pati edhe dritë hijet e tij, ashtu si edhe rënien e tij në një situatë të tillë që e gjeti demokracia me të gjitha problemet që përjetuan qytetet shqiptare, pjesë e të cilës është edhe qyteti ynë. Në të gjithë këtë jetë 60-vjeçare banorët e këtij qyteti janë njerëzit më të njohur për punën dhe sakrificat e bëra, për shpirtin e bashkëjetesës në mirëkuptim… Cërriku ka ditur të nxjerrë artistë dhe sportistë të respektuar që duhen respektuar e për kontributin që ata kanë dhënë”, -tha Duzha.