Gjykata e shpall të pafajshme, Dallëndyshe Bici: Triumf i drejtësisë mbi zaptuesit e pronës publike

188

Gjykata e Apelit Korçë ka shpallur sot “të pafajshëm” kryeinspektoren e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici, nga akuza “shpërdorim detyre” ngritur nga prokuroria Pogradec pas kallëzimit të Mitat Cake, pronar i një objekti me funksion lokal, Ble-Alb. Ky objekt ka qenë i ngritur në rrugën kombëtare Lin-Pogradec dhe është prishur nga IKMT përgjatë operacioneve të saj në vitin 2014, në kuadër të rehabilitimit dhe kthimit në funksionalitet të territoreve publike. Në prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, kjo çështje është regjistruar që në 03.10.2014. Gjykata ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë dhe e ka shpallur znj. Bici të pafajshme nga akuza e shpërdorimit të detyrës. Çështja është apeluar dhe pas një beteje të gjatë ligjore, sot është dhënë vendimi nga Gjykata e Apelit Korçë, që ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Pogradecit. E pyetur për këtë vendim, krye/inspektorja e IKMT Dallëndyshe Bici u shpreh se: “Kjo nuk është vetëm fitore e ligjshmërisë. Është forca e drejtësisë që triumfon mbi forcën e zaptuesve të pronës publike dhe përkrahësve të tyre, në dhe pas skene. Gjithsesi puna ime dhe e institucionit që unë drejtoj do të vazhdojë vetëm në shërbim të ligjit dhe publikut.”