Fushata elektorale, element kriminal dhe droga në shërbim të kandidatëve të së majtës në Berat

508
Jemi pothuaj në gjysmën e fushatës elektorale. Motorët janë ndezur dhe forcat kryesore politike, kanë lëshuar “klithmën” për të fituar me çdo kusht. Madje këtë kusht e përdorin duke shfrytëzuar çdo element, përfshi këtu edhe kriminal. Deri para fillimit të fushatës, me zë të lartë kryeministri Edi Rama, një nga përgjegjësit kryesor të vendosjes së rregullit me anë të institucioneve ligjvënëse dhe ligjzbatuese, deklaronte se nuk do lejonte me asnjë çmim përfshirjen e elementëve kriminal gjatë fushatës elektorale. Por në terren dhe në perceptimin e opinionit publik gjithçka duket ndryshe. Ka të dhëna se nën hije, një vit i mbrapshtë si ai i ’97-ës, po instalohet në terren. Element kriminal janë duke punuar për kandidat të shumtë për deputet. E, kryesisht kjo përforcohet më shumë kur nga po këta kandidat, që sipas të dhënave nga organet kompetente janë të së majtës, dilet dhe thuhet me zë të lartë se janë duke bërë fushatë të pastër, por nga ana tjetër, gjejnë mënyrën për të bashkëpunuar me element të dyshuar, të cilët në qendër të aktivitetit të tyre kanë trafikun e drogës. Droga dhe krimi janë duke u përdorur kryesisht në zona të nxehta. Një nga këto zona ku Partia Socialiste e ndjen më shumë rrezikun është ajo e Qarkut të Beratit. Prej ditësh në këtë qark, zgjedhësit janë nën presion nga kandidat të Partisë Socialiste. U kërkohet me çdo kusht marrja e votës. Dhe kjo jo duke iu vënë përpara një program bindës, por me forcë. Frika se forca të tjera politike do të dalin fituese në këtë qark, kanë bërë që kryesuesit e listës së Partisë Socialiste të mbështesin fushatën e tyre tek “forca” e elementëve kriminal dhe trafiku i drogës. Në terren për të zbuluar këtë fenomen kanë zbritur jo vetëm hetues të Prokurorisë së Përgjithshme, por të përfshirë janë edhe oficerë të Shërbimit Informativ Shtetëror. E gjithë lokomotiva e shtetit e drejtuar nga Edi Rama, janë duke përdorur çdo mënyrë për të eliminuar kundërshtarët e tyre politik me qëllim marrjen e drejtimit të shtetit të vetëm. Kjo tablo nuk është e panjohur për Shqipërinë. Gjatë 26 viteve të demokracisë shqiptare, shteti, ligji dhe politika jo vetëm që nuk e kanë luftuar atë, por kanë qenë dhe janë bashkëpunëtorë dhe përfitues të shërbimeve të tyre. Për ta vërtetuar këtë nuk është aspak e vështirë. Janë me qindra raste të përdorimit së kriminelëve dhe grupeve kriminale në shërbime politike të caktuara, kryesisht në fushata zgjedhore, duke i përdorur për dhunë verbale dhe fizike ndaj kundërshtarëve politikë, duke frikësuar votuesit, duke i përdorur për grabitje të pastra vote. Këto kanë ndodhur rëndom nga dy forcat kryesore politike dhe ne këtë fushatë ka të dhëna se është duke u përdorur nga të majtët në Qarkun e Beratit dhe me gjerë. Akuzat e ndërsjella të dy partive kryesore për përdorimin e botës së krimit në shërbim të vjedhjes dhe deformimit të rezultatit zgjedhor janë të pafundme. Megjithatë, në asnjë rast të vetëm nuk është hetuar ose akuzuar ndonjë politikan që ka përdorur këta kriminel për të fituar zgjedhjet politike ose lokale. Thua se mafia dhe grupet mafioze këto shërbime ia kanë ofruar falas klasës politike, thjesht sepse kriminelet kanë bindje të thekura politike të majta ose të djathta! Mësohet se për të gjitha të dhënat e marra në rrugë operative, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një hetim . Ka dyshime të bazuara mbi fakte se elementët kriminal janë duke u bërë shantazh votuesve dhe kjo gjë nuk është pritur mirë nga një pjesë e qytetarëve. Për këtë qëllim bëhet me dije se ka ardhur dhe reagimi i menjëhershëm i Prokurorisë së Përgjithshme. Burime të sigurta pranë organit qendror të akuzës bëjnë me dije se hetimi ka nisur kryesisht. Kanë qenë disa telefonata në drejtim të prokurorisë ato që kanë shqetësuar drejtuesit kryesor. Po kështu po hetohen edhe rastet kur qytetarëve u ofrohen para ose ushqime në këmbim të marrjes së një vote. Për akuzën një pjesë e këtyre provave janë dërguar përmes fotove. Por ka edhe video që janë dorëzuar në prokurori. Megjithatë burimet konfidenciale thanë se aktualisht janë duke grumbulluar prova konkrete dhe menjëherë pas procesit te verifikimit do të dilet me të dhëna konkrete.
Sigal