Drejtorja Karlakar: Ka përparime, por kërkohen ndryshime madhore dhe urgjente!

480
Sigal

Liria e medias, Freedom House: “Shqipëria me media pjesërisht të lira”

Organizata Freedom House, nxori dje, indeksin për lirinë e shtypit në botë, ku Shqipëria dhe Kosova përsëri radhiten në kategorinë e vendeve me media pjesërisht të lirë. Sipas raportit, Shqipëria ka shënuar përparim, ndërsa Kosova ka shënuar një hap prapa. Rezultati i Shqipërisë është 49, dy pikë më lart nga 51 vitin e kaluar, në një shkallë ku 0 është rezultati më pozitiv dhe 100 më negativi. Përsa i takon renditjes së vendeve, Shqipëria është e 96-ta mes 197 vendesh, në krahasim me vendin e 107-të të vitit të kaluar. Rezultati për Kosovën është po 49, por në renditjen e vendeve është e 102-ta në krahasim me 98 vitin e kaluar. Drejtorja e Projektit për Lirinë e Shtypit në Freedom House, Karin Karlekar foli për gjetjet kryesore për Shqipërinë dhe Kosovën në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Cilat janë përfundimet kryesore për Shqipërinë në raportin e këtij viti?

Në renditjen e këtij viti pamë një përmirësim për Shqipërinë. Rezultati për Shqipërinë u rrit me dy pikë, pra është një prirje pozitive krahasuar me atë që kemi parë vitet e fundit. Një nga zhvillimet pozitive që kemi vënë re është eliminimi i dënimeve me burgim për rastet e shpifjes në sferën legale. Mendoj se kjo solli si rezultat përmirësim më të gjerë në mjedisin e medias.

Cilat mendoni se janë sfidat kryesore për median në Shqipëri?

Ka klauzola ligjore dhe rregullatore që ende nuk përputhen me standardet ndërkombëtare, megjithëse siç e thashë eliminimi i dënimit me burg për shpifje ishte një hap pozitiv, një lëvizje në drejtimin e duhur. Po ashtu, ka raste sulmesh dhe shqetësimesh ndaj gazetarëve, që mbulojnë ngjarje dhe ky është një shqetësim i vazhdueshëm. Po ashtu, ka shqetësime për anën ekonomike, përsa i takon pronësisë dhe përqendrimit të organeve të medias, si edhe njëanshmërisë së tyre. Por, në përgjithësi, rezultati numerik për Shqipërinë ka qenë i qëndrueshëm vitet e fundit dhe ky vit ishte pozitiv falë përmirësimit ligjor.

Cilat mendoni se duhet të jenë hapat për përmirësim në këtë drejtim?

Është vërtet një shqetësim që ka ekzistuar për një kohë të gjatë dhe është problem jo vetëm për Shqipërinë por edhe për shumë vende të tjera në rajon. Kjo është diçka relativisht më e vështirë për t’u ndrequr. Shpesh ligje si ai për lirinë e informimit, apo ai për shpifje janë më të lehta për t’u ndryshuar, ndërsa aspekti ekonomik është më i vështirë për t’u zgjidhur. Një aspekt i rëndësishëm është që të ketë një nivel transparence për pronësinë e medias që njerëzit të jenë në dijeni të këtyre lidhjeve.

Kur duhet të pritet që një vend të kalojë në kategorinë e vendeve me media të lirë?

Rezultati i Shqipërisë e vendos vendin pa mëdyshje mes vendeve me liri të pjesshme prandaj mendoj se do të duhej të bëheshin ndryshime madhore për të kaluar në kategorinë e vendeve me media të lirë. Do të duheshim më shumë reforma ligjore, më shumë liri informimi një ambient më i hapur rregullator, si edhe më pak ndërhyrje politike në përmbajtjen e medias dhe në ambientin ekonomik. Pra ka probleme në të gjitha aspektet, që po e frenojnë Shqipërinë. Ne shpresojmë që Shqipëria të vazhdojë në trajektoren pozitive që vihet re këtë vit.