Djegia e mandateve dhe djegia e plehrave

509
Sigal

Lavdosh Ferruni

Si djegia e mandateve të parlamentarëve ashtu dhe djegia e plehrave janë dy të këqija të mëdha që po na vinë rrotull. Djegia e mandateve mund të prodhoj një të keqe që nuk e kemi provuar vetëm e hamendësojmë. Djegia e plehrave është një tmerr që çdo Shqiptar e di mirë, e ka të provuar në një rast a në një tjetër. Duke qenë se tash do kemi infinit hamendësime e skenarë me djegie mandatesh këtu po paraqesim një provë për skenarin e djegies së plehrave në Shqipëri që buron nga errësira informative e djegësit të plehrave të Elbasanit që meriton zbërthim në detaje, pasi është përdorur si referencë suksesi, qysh në konceptim. Kështu konkretisht, kryebashkiaku i Fierit i thotë banorëve të Verrisë, ku do ngrihet djegësi i plehrave se nuk kam ç’të flas me ju, shkoni dhe shikoni inceneratorin e Elbasanit, duke e referuar atë si vepër të suksesshme. Në fakt inceneratori i Elbasanit është një dështim, madje spektakolar, i krahasuar me TEC-in e Vlorës, madje edhe më keq, pasi e keqja pritet të ketë efekt domino me inceneratorin e Fierit e të Tiranës.

Prova e dështimit është mosprodhimi i energjisë. Në vendim nr. 907, datë 17.12.2014 për miratimin e sigurimit të financimit të nevojshëm të kontratës së koncesionit për ndërtimin dhe administrimin e inceneratorit thuhet në pikën 6, se u shpall procedura PPP “për ndërtimin dhe menaxhimin e inceneratorit të përpunimit të mbetjeve urbane në Qarkun e Elbasanit për prodhimin e energjisë elektrike”. Pra qysh në fillim propaganda dhe koraca ligjore i mëshoi mendësisë se po vinte një vepër do prodhoj energji elektrike për nevojat e vendit e, përveç kësaj do bënte edhe çudinë që do pastronte Shqipërinë nga plehrat. Pas 2 vitesh në vendimin nr. 792, datë 9.11.2016 për dhënien e miratimit për ndërtimin dhe shfrytëzimin e inceneratorit, në pikën 5.2.1 Autoritetit Kontraktues i jep Koncesionarit të drejtat ekskluzive, për të gjithë afatin e koncesionit, germa d), të shesë dhe të furnizojë me prodhim neto të energjisë elektrike, rrjetin elektrik në Republikën e Shqipërisë… Nga OSHEE konfirmohet që nuk ka marrëveshje shitblerjeje me inceneratorin “Albtek Energy”, e cila duhet të hidhte në rrjet 17.200.000 kwh në treg, prej të të ardhurave të së cilës do merrte dhe 2% shteti. Pra, nga inceneratori i Elbasanit nuk ka prodhim energjie për shqiptarët. Po kompania vetë konsumon energji? A e merr këtë nga OSHEE edhe pse nuk ka marrëveshje shitblerjeje? Pra, mos jemi në situatën që prodhuesin e energjisë e ushqejmë edhe me energji elektrike? Për hir të së vërtetës është shumë mirë që djegësi nuk djeg plehra dhe, sigurisht plehrat në qytet, jo vetëm grumbullohen e hidhen buzë lumit, si më parë, tash edhe mbulohen me më kujdes, por problemi është ç’të bëjmë me inceneratorin, me milionat që duhen për të paguar koncesionarin dhe, më keq akoma, larg qoftë, me ndërtimin e inceneratorëve të Fierit e të Tiranës që së bashku kanë 10-fishin e kapacitetit të Elbasanit?!