Demokracia e hallakatur brenda “kapitalizmit” shqiptar!

Dr. Sulejman ABAZI (NESHAJ) 
Studiues politik

Shteti i vënë përballë “Nyjes Gordiane”, iu rikujtoj “burrave” të shtetit një histori të lashtë. Jo se ata nuk e dinë, por ka rëndësi si e dinë dhe çfarë kanë kuptuar deri më sot prej saj. Shekuj më parë Aleksandri i Madh eksploroi me forcën e ushtrisë Egjiptin. Një ditë u ndodh para një befasie. Nëse do të arrinte të shplekste një nyje shumë të koklavitur, do të merrte për grua bijën e mbretit. Burri i zgjuar e pa dhe qeshi. Në mendje kishte filozofinë, por shikonte dhe djallëzinë brenda kësaj gogle litarësh pa fund. Gjeti mënyrën për ta “merituar” bijën e mbretit. Nxorri shpatën dhe e preu. Kanë kaluar mijëvjeçarë dhe sot qyteti i “marrëzisë” së tij, mban po emrin e tij. Shqipëria sot është shndërruar në “nyje Gordiane”. Vështirë se mund të dalë një burrështetas që ta shpleks atë. Të gjithë besojnë me dhimbje këtë fatkeqësi të madhe, “që po lë bijën e mbretit të pa martuar”. Ku është fshehur dhëndëri?! Sot jemi të mashtruar me “kapitalizmin shqiptar” në demokraci. Mendësi të vjetra. Jemi përballë trekëndëshit evropiano - putinisto - neootomanist, të hedhur në veprim, duke i hapur probleme Shqipërisë. Një shtet i vogël, me probleme shumë të mëdha. “Shteti” brenda shtetit bën politikën, ligjin, Maliqin, sherrin, festat, mashtrimin, hedh miliona në ajër nëpër dasma, “vret e prêt” e gjak nuk nxjerr. Gjakosen shqiptarë nëpër rrugë nga aksidentet, kriminaliteti, gjakmarrja, hakmarrja, larja e hesapeve të trafiqeve, kontrabandës, shpërdorimit të pronës….Dhunë, gjak, vetëgjyqësi. Çfarë është ky “supershtet” i zi katran, brenda shtetit të shqiptarëve? Atëherë, pak gjëra më shkurt. Shqiptarëve nuk u bëhet shumë vonë që në Bankën e Shqipërisë vidhen 7 ml. dollar, por ata ndihen të fyer rëndë nga soji i sheikëve oligarkë, që fshijnë djersën e qejfit me kartëmonedha të shtrenjta dhe reklamojnë pasuri e koleksione marramendëse. Kthejeni një herë vështrimin nga vetja dhe krahasoni. Shqiptarët i zëmëron karrshillëku që i behet popullit të varfër, me dasma sheikësh, luks dhe pasuri të pamerituar, darka të shtrenjta, vila e salltanete, amoralitetin e rioshëve pehlivanë. Këto janë fyerje të rënda në dinjitet, për popullin në varfërinë, që llogarit bukën e gojës. Ata janë të fyer me qeverisjen 26 vjeçare të “dhjamit nga pleshti”, me taksat e ç’vlerësim të pensioneve. Por, korbat nuk ja nxjerrin kurrë sytë njeri tjetrit. Kryeministri e ka detyrim institucional të flasë hapur, drejt dhe të thotë të vërtetën, duke e nisur nga vetja e tij. Nëse vet është i zhytur në korrupsion, të gjejë vendin që i takon, përballë besimit të shqiptarëve. Nëse do ta bëjë si Aleksandri i Madh, shqiptarëve nuk do t’u hyjë në sy se edhe ai ka një vilë apo favore të tjera. Të tilla dhe makina të blinduara kanë plot në Shqipëri. Ai e di mirë se, në Shqipëri, nëse do të hapën dosjet që kanë fqinjët për politikanët tanë, do të qelbet Ballkani dhe tërë bota. Peng i kujt janë shqiptarët? Pronë e kujt është Shqipëria, e hajdutëve, kusarëve, e atyre që mohuan nënat dhe baballarët, apo e shqiptarëve? Po përbetohemi për “aleatin tonë strategjik”, por po ndjejmë shtrëngimin e morsës politike. Kaq e lehtë mund të jetë të shesësh miqësinë e Amerikës tek Evropa, Putini, Merkeli, Erdohani apo tek Pekini? Kush e merr koston për këto qëndrime në shumë karrige? Kush po na e bën këtë “nder” të madh, sa nuk kemi vend të vendosim medaljet dhe dhuratat e shtrenjta?! Është sajdisur Kushtetuta e Shqipërisë me njëmijë vrima, për t’i pasur duart të lira, të vidhet e të mos ndëshkohet, të grabitet pasuria kombëtare, të majmen oligarkët e rinj dhe të gjithë të inkriminuarit të shpëtojnë pa u lagur. Me kurajë, legjislativi këtu duhet ta fillojë punën, duke kërkuar mbështetjen plebishitare të shqiptarëve. Në të kundërt, kjo do të mbetet turpi i klasës politike shqiptare, një përgjegjësi e rëndë morale dhe penale, që do t’u ulë kokën përfundimisht para qytetarëve shqiptarë. Por ka akoma për të thënë. Ende nuk kemi një model ekonomik, kur kërkojmë borxhe jashtë me paratë mal brenda vendit. Batërdia që po bëhet sot në jetën shqiptare, veçanërisht me pronat dhe abuzimet financiare, nuk është rastësi. Një veprimtari kriminale, e stimuluar, ushqyer dhe mbështetur nga oligarkët e rinj shqiptarë. Ka plotë 26 vite që mashtrimi nuk njeh më kufij. Ligji 7501 e hapi këtë rrugë dhe tashmë abuzimi është bërë një “autostradë” pa limite. Denoncimet e shumta të KLSH, në të gjithë sektorët e veprimtarisë shtetërore, në marrëdhënie me privatët, mbi abuzimet financiare, kanë kaluar në heshtje. Në shtetin tonë nuk funksionon drejtësia. Në shtetin tonë nuk ka prokurori, nuk ka gjykata që të plotësojnë përgjegjësitë e tyre ligjore dhe kushtetuese në interes të qytetarëve. Nuk është rastësi që, qytetarët nuk kanë më besim tek shteti, dhe në shumë raste janë kthyer në “armiq” të tij. Ka kaq shumë probleme esenciale ligjore në këtë sistem, sa po krijohet bindja se, në Shqipëri nuk funksionon sistemi kapitalist. Kush thotë të kundërtën, mashtron vetveten dhe të tjerët. Kjo është një gënjeshtër e madhe. Kudo vidhet, abuzohet dhe fitohet në mënyrë të pakontrolluar. Norma e fitimit në Shqipëri është pa limit. Kush mund të abuzojë kështu në vendet e tjera të sistemit kapitalist dhe të mos vihet para drejtësisë? Ndërsa në shtetin tone, ku janë vënë në lojë abuzimi dhe grabitja me miliona dhe miliarda lekë, vjedhja dhe fitimi, janë dy element të pakontrolluar, pa limit, të kthyera në qëllim në vetvete për t’u pasuruar në kohë të shkurtër, në kurriz të standardit të jetesës dhe dobësimin gradual të fuqisë shtetërore e kombëtare. Hipokrizia institucionale dhe shoqërore është ulur këmbëkryq. Ajo po bën mashtrimin e madh në historinë tonë të vjetër dhe të re. Mendoni më tej pasojat e kësaj situate të rrezikshme të falimentimit shoqëror e shtetëror, pasojë në 26 vite të të ashtuquajturës, “demokraci në kapitalizëm”. Shkurt: këtu askush nuk ka frikë nga drejtësia. Krimineli dhe hajduti, dalin duke qeshur përpara trupit gjykues. Ata janë të sigurt në atë që bëjnë. Mafia financiare ka depërtuar në majën e politikës. Ky është tmerri dhe ferri shqiptar, kjo është fatkeqësia kombëtare e shtetërore. Sot kërkohet drejtësi dhe vetëm drejtësi. Sot kërkohet drejtësi dhe shtet ligjor të së drejtës. A mundemi ta kthejmë këtë thirrje në kauzë të jetës sonë social - politike dhe ekonomike? Jo pak përgjegjësi ka edhe trupi diplomatik i vendosur në Shqipëri. Funksionarë e ambasadorë, vazhdojnë t’u japin dorën dhe të pranojnë takime me njerëz të inkriminuar, përfaqësues të klaneve mafioze në Shqipëri, të veshur me pushtet, në majën e piramidës politike e shtetërore. “Embargua” morale dhe politike këtu shfaqet e pavlerë dhe nuk funksionon. Ka shumë për të thënë. Nga po shkon Shqipëria? Oligarkët, pa asnjë nxitje dhe pa asnjë pengesë, me makutërinë e tyre po e ushqejnë shumë këtë urrejtje ndoshta gjenetike dhe perverse. Nëse këta oligarkë sot mbulohen dhe stimulohen nga një sistem mediatik i blerë dhe i kapur, në shërbim të tyre, ne besojmë dhe shpresojmë se kjo nuk do të zgjasë pafundësisht. Ka ardhur koha, që të themi mjaft më. Opinion qytetar në dilemë të madhe po frymon rëndë nga Brenda, duke menduar se ka vetëm një shpresë. Nëse SHBA-të dhe BE kanë marrë përsipër të realizojnë vetingun në Shqipëri [nevoja për një veting gjithëpërfshirës, në rast dështimi, ata do të luajnë rëndë më autoritetin e tyre në opinionin e trazuar shqiptar. Urojmë të bëhet më e mira. Klasa politike shqiptare sot shfaqet pa moral. Ajo nuk e do vetingun. Asaj nuk i intereson një Shqipëri e fortë dhe e stabilizuar, duke preferuar mjegullën. Ata kanë frikë nga drejtësia dhe mbeten të diskretituar në opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Dikush duhet të kërkojë dhe të gjejë zgjidhjen. Fundit nuk i dihet. Sot populli ka filluar të flasë me gjuhën e Ali Asllanit dhe të Lame Kodrës. Vallë kjo duket pak? Mund të talleni, të bëni të paditurin dhe hokatarin, por një gjë është e sigurt; çdo gjë në këtë botë është e përkohshme dhe kalimtare.