“Cari” çam i AKU, të japë informacion për diplomën e tij, të vartësve dhe për “letra” të tjera

607
Sigal

Gazeta “Telegraf”, do të publikojë fakte tronditëse me emra konkretë e
subjekte konkrete, nga “moçali” i krimit të shfrenuar ushqimor

 

Përparim HALILI

 

Mund të tolerosh drejtorin çam të AKU, tornitorin Dritan Sejko edhe me
diplomë për marrëdhënie ndërkombëtare të marrë me shumë dyshime në Strugë, nëse
si tornitor ai të prodhon një bulon, apo rondele pa specifikimet e duhura dhe
jo më metalin e duhur. Por që ta tolerosh kur ai urdhëron (si për miellin e
skaduar grek i futur në Kakavijë), kur toleron, bëhet palë dhe fsheh krimin
ushqimor në treg, import e prodhim duke rrezikuar e dëmtuar jetën e
konsumatorit, ky është një krim i paramenduar, i bërë në bashkëpunim me
vartësit e tij dhe me subjektet private të sektorit ushqimor, i cili nuk duhet
falur, madje duhet ndëshkuar sipas ligjit. Nuk themi, që krimi ushqimor po tolerohet
e fshihet vetëm nga korrupsioni i disa batakçinjve me poste drejtuese e
dominuese të shumë sektorëve të kontrollit në kupolën e AKU qendrore dhe të
AKU-ve në qarqe, por edhe nga mungesa e profesionalizmit prej atyre që janë
emëruar e punësuar drejtorë, shefa, zv/shefa e kryeinspektorë me shkollë
fillore, por me diploma false, si dhe prej atyre zyrtarëve e inspektorëve,
profesioni i të cilëve nuk ka asnjë lidhje me ushqimet, përveçse si konsumatorë
të dhjamosur nga babëzia e drekave e darkave “bakshish” nëpër restorante, por që
plotësojnë akt-kontrolle fiktive… sa për të plotësuar “planin”, natyrisht
edhe për të marrë “ndonjë dorë lekë”! Duke e konsideruar përgjigjen e drejtorit
Sejko dërguar gazetës “Telegraf”, jo si komunikim serioz e konkret për objektin
që kërkonim informacion në zbatim të ligjit, por si “Esse” auto-lëvdate, lëvdatë
e si avokati komike për vartësit e tij, i kujtojmë edhe sot e për çdo ditë pa u
tërhequr, se duhet të japë informacionin lidhur me shkollimin e tij e të
vartësve të tij, si detyrim ndaj Ligjit Nr. 119/2014 datë 18. 09. 2014 “Për të
drejtën e informimit”, konkretisht sipas neneve 3 e 7 të këtij ligji ende në
fuqi, gjë të cilën patjetër e di mirë edhe “Cari” i ri çam i graduar 52 ditë më
parë në krye të AKU, i cili kujton se është “mbret” i këtij institucioni! ne
nuk i kërkojmë të na kompozoj e të na prodhojë etiketa ushqimesh, nuk i kërkojmë
as të na tregoj se çfarë menyje preferon, por i kërkojmë atë na i garanton
ligji dhe që atë e detyron ligji. Pra, me çfarë dokumentesh arsimore e “CV” janë
emëruar ai dhe vartësit e tij në ato detyra! 
 

 

Ne i kërkojmë shkollimin e punonjësve, drejtori
Sejko na flet për “ndershmërinë” e tyre

 

Si një “rafinato” i kualifikuar në vitet kur ishte
zv/drejtor i hipotekës së Tiranës, post të cilin, siç thuhet edhe nga
ish-shefat dhe ish-vartësit e tij në hipotekë e ka përdorur me “ca kleçka”,
drejtori Sejko tentoi të anashkalonte kërkesën e “telegraf”, duke tentuar të
fsheh të vërtetën e diplomave me të cilën është punuar ai dhe vartësit e tij, të
cilat siç thuhet nga informacionet që disponojmë, janë “kartonë universitar”,
siç mijëra të tjerë me të cilët janë mbushur zyrat e shtetit shqiptar! Drejtori
Sejko na kujton se AKU vepron në bazë të ligjit! Po përse, në bazë të kujt
duhet të veproj?! Në bazë të kujt “platforme” vepron faktikisht AKU, sepse
fakti që tregu, importi dhe prodhimi ushqimor në Shqipëri është në gjendje
“pushke” që vret shëndetin dhe jetën e njerëzve, për shkak se nuk funksionon në
bazë të ligjit, por ti zoti drejtor së bashku me vartësit e ty e përdorni
ligjin si “ambalazh” korrektësie! ne ju kërkojmë të dhëna për nivelin arsimor të
punonjësve, ju na flisni për ndershmëri e përkushtim të tyre! Aq e ke humbur
toruan pas kërkesës së “telegraf’, sa edhe përgjigjes tënde i ke vendosur si
numër protokolli, numrin e protokollit të shkresës që ju kemi dërguar ne,
konkretisht Nr. 4155…! Ne kërkojmë informacion se çfarë arsimi e profesioni
kanë vartësit e ty, ti na thua se qysh nga momenti i krijimit të këtij
institucioni, në postet drejtuese të
nivelit të parë dhe të dytë në AKU në qendër
e në qarqe
, qenkan emëruar punonjës që kanë dhënë kontribut të konsiderueshëm në
plotësimin e objektivave të këtij
institucioni! ne kërkojmë
të dimë se me çfarë letrash shkollore janë punësuar e emëruar, ti na thua
drejtuesit aktual të AKU janë cilësuar
si “Nëpunës
Civile”, përzgjedhur në mënyrën më korrekte sipas Ligjit 152/2013 “Për Nëpunësin Civil”, se kanë bërë trajnime, nga KE…! Shtrohet pyetja: A “ha pyka” për t’u bërë
specialistë e kontrollor profesionistë të sigurisë dhe cilësisë ushqimore psh.,
një muzikant, marangoz, mësues gjeografie, psikolog, stiliste, këngëtare, akrobat,
mekanik, apo edhe profesor marrëdhëniesh ndërkombëtare, siç je ti? Jo me kurse
1 mujore trajnime javore të BE, por edhe me leksione nga 10 orë në ditë, nuk bëhesh
dot kontrollues i saktë ushqimor, nëse nuk e ke profesion të mësuar në shkolla
ku bëhet mësim e jo nëpër (h)universitete kioska ku shumë prej vartësve të tu e
siç thuhet edhe ti, keni marrë diploma me “selfie” nga larg dhe me klering! Ju
na falënderoni për investigimet që kemi bërë e kemi publikuar, por nuk pranoni
provat që denoncojmë, siç është rasti i pulave kancerogjene greke, i filetove të
pulave që kaluan me analiza të bëra për 1 minutë mbi timonin e makinës së një
shefi! Siç është edhe rasti i miellit të skaduar grek, i cili në datën 20
shtator 2016 u bllokua në Kakavijë, por që në datën 27 shtator 2016 u fut në
tregun e prodhimin shqiptar, gjoja për biskota me 7% proteina dhe u pajis me
letra false për prodhim buke, sikur ishte me 12% proteina, miell për të cilin
sipas denoncimit të regjistruar, ju keni dhënë urdhër e madje keni bërë presion
për largime nga puna nëse nuk firmosej kalimi i tij, sikur gjoja ishte i
shefave të partisë çame dhe të shefave të tjerë të lartë të “Rilindjes”!
E sikur të mos mjaftonte fshehja e realitetit dhe
mosdhënia e informacionit për “ushtrinë” e analfabetëve që kanë pushtuar postet
drejtuese të sigurisë ushqimore në AKU në qendër e në qarqe, ju arrini deri tek
skandali zyrtar i kërcënimit të gazetës, duke na kërkuar të heshtim me këtë
parullë të dalë boje: “Autoriteti Kombëtar i ushqimit është i gatshëm që edhe
të ndjek të gjithë rrugët ligjore, në mënyrë që të mos ketë keqinformim të
konsumatorëve, panik të panevojshëm dhe të qëllimshëm për sigurinë ushqimore
dhe dëmtimin e bizneseve”. Të kujt biznesi? Mos vallë, të atyre që batakçinjtë
e AKU u fshehin, u lejojnë dhe u certifikojnë krimin ushqimor? Apo të atyre
biznese që të ka lënë me “listë” paraardhësi yt, përpara të cilit u betove se
do të vazhdoje “rrugën e arritjeve të tij”, duke  e lejuar që pikërisht ditën e ikjes të
firmoste disa emërime “jeniçerësh” që ti la amanet si shërbëtorë besnik? Cilët
biznese po dëmtojmë, mos vallë ato që për shkak të lidhjeve të pista me disa
horra të korruptuar, prodhojnë, importojnë e tregtojnë ushqime që “vrasin”
popullatën, sidomos fëmijët të cilëve u importohen ushqime me origjinë e të dhëna
false dhe vetëm në gjuhë të huaj, paçka se e ndalon ligji shqiptar, për të
cilin ju jeni diplomuar në Elbasan.

Ligji Nr. 119/2014 datë 18. 09. 2014 “Për të drejtën e informimit”

 

Neni 3

E drejta e informimit

 

1. Çdo person gëzon të drejtën e njohjes me informacionin publik, pa u
detyruar të shpjegojë motivet. 2. Autoriteti publik është i detyruar të
informojë kërkuesin nëse ka ose jo në zotërim informacionin e kërkuar.

 

Neni 7, pikat “a” dhe “d”

 

Kategoritë e
informacionit që bëhet publik pa kërkesë

Në përputhje me programin e transparencës së miratuar për çdo autoritet
publik, këto të fundit përgatitin paraprakisht, në formate lehtësisht të
kuptueshme dhe të aksesueshme, si dhe vënë në dispozicion të publikut në faqen
e tyre në internet kategoritë e mëposhtme të informacionit:

a) Një përshkrim të
strukturës organizative, funksioneve dhe detyrave të autoritetit publik.

d) Të dhëna për
arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve, të cilët kanë detyrimin për
deklarimin e pasurisë, sipas ligjit, strukturat e pagave për nëpunësit e tjerë,
si dhe një përshkrim të procedurave të zgjedhjes, kompetencave dhe detyrave të
funksionarëve të lartë të autoritetit publik dhe procedurën që ata ndjekin për
të marrë vendime.

Në vijim, në gazetën “Telegraf”:

 

1.      Do të bëhet publikimi i dosjeve të shkollimit të shefave
të AKU dhe “CV” me të cilat ata janë emëruar e punësuar në këtë institucion e
shërbim!

2.      Do të bëhet publikimi i “rrjetës së merimangës” të
lidhjeve nepotike e familjare bashkëshortë, vëllezër, motra, nipër, mbesa,
krushq e ortakë biznesesh ushqimore, restorantesh, pesticidesh, baze ushqimore
bagëtish, fermash, serash e deri biznese sifonesh e çimentosh mes drejtuesve,
vartësve, shefave, kontrollorëve, laborantëve e deri të punonjësve të AKU në
qendër dhe në qarqe!

3.      Do të publikojmë fakte, lidhur me bizneset e shefave të
AKU.

4.      Do të publikojmë fakte, se çfarë është bërë me gjobat e
vendosura ndaj subjekteve.

5.      Do të denoncojmë faktin, që për bizneset ushqimore të shefave
të AKU, plotësohen akt-kontrolle fiktive nga vartësit dhe shefat e tyre!

6.      Do të publikojmë faktin, se cilët kanë qenë pjesëtarë të
delegacioneve në takimet e shefave të AKU jashtë shtetit.

7.      Do të publikojmë fakte, nëse është gjobitur, apo jo
ndonjë biznes i shefave e punonjësve të AKU.

8.      Do të publikojmë të plotë, skandalin me filetot, me pulat
kancerogjene dhe me miellin e skaduar grek, të futur me urdhër në Kakavijë!

9.      Do të publikojmë fakte, nga procesverbalet e zhdukur të
kontrolleve nëpër subjekte ushqimore “VIP”.

10.  Do të publikojmë pasuritë e shefave dhe zyrtarëve kryesorë
të AKU!