BBC: Udhëtoni për në Shqipëri, vendin e famshëm për tolerancën fetare

108

“Udhëtoni
për në Shqipëri, vendin e famshëm për tolerancën”. Kështu shkruan gjiganti
mediatik BBC, në një shkrim kushtuar tolerancës fetare në Shqipëri.

BBC i referohet vizitës së Papa
Françeskut në Shqipëri në vitin 2014, i cili vlerësoi vendin ballkanik për
tolerancën e dukshme fetare, duke thënë se kjo duhet të shërbejë si një
shembull për botën. “Gjatë fjalës së tij në Tiranë, Papa Françesku vlerësoi bashkëjetesën
paqësore të feve në vend, duke shtuar se ky është rast për tu veçuar, në këto
kohë kur fryma autentike fetare është duke u shtrembëruar nga grupe
ekstremiste, dhe ku dallimet fetare janë duke u shtrembëruar”, shkruan BBC.

“Realiteti është se Shqipëria
konsiderohet prej kohësh vend i tolerancës dhe harmonisë fetare. Fetë
mbizotëruese janë Islami dhe Krishterimi, me myslimanët që përbëjnë më shumë se
gjysmën e popullsisë. Megjithatë, mbetet një unitet i përbashkët në mes të
njerëzve të vendit. Kishat dhe xhamitë shpesh janë në të njëjtën rrugë, dhe
martesat ndërfetare janë pranuar gjerësisht në kulturën vendase”, vijon shkrimi
i BBC.

Për të ilustruar bashkëjetesën
fetare në Shqipëri, BBC sjell shembullin e fshatit Malbardh, në veri të
Shqipërisë, ku popullsia lokale myslimane mblodhi fonde për të rindërtuar
kishën e vetme katolike të fshatit. Po ashtu, BBC shkruan se ka shumë ngjarje
fetare ku janë të pranishëm myslimanë dhe të krishterë, siç është Dita e Ujit
të Bekuar, një festë e krishterë që festohet nga pjesëmarrësit me zhytje në
lumë në kërkim të një kryqi, por që është e hapur për të gjithë dhe ka pasur
shumë fitues myslimanë gjatë viteve.

“Për shtetin e vogël ballkanik në
të cilën fëmijët rriten duke dëgjuar edhe thirrjen për namaz dhe kumbimin e
kambanave të kishave”, BBC shkruan se “për ta, bashkëjetesa dhe harmonia janë
aq natyrale sa frymëmarrja”/BW/