Arrestimi i Haradinaj – Bushati: Udhëheqja serbe po tenton të nxjerrë kredo politike me Kosovën

520
Sigal

Ministri i Jashtëm
Ditmir Bushati e ka cilësuar arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush
Haradinaj, një akt të padrejtë dhe të dënueshëm.

Sipas tij, lëshimi i
fletë arresteve nga Serbia dhe keqpërdorimi i Interpolit është një veprim i
qëllimshëm që synon të destabilizojë Kosovën,

Bushati: Akuzat
ndaj Ramushit e kanë zanafillën në 2004, kur asokohe kryeministër la detyrën
për të shkuar në Hagë për tu ballafaquar me drejtsinë ndërkombëtare. Dy dhomat
e Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi e çliruan nga çdo akuzë. Këto janë
fakte të njohura botërisht. Për rrjedhojë, lëshimi i fletë arresteve nga
Serbia, keqpërdorimi i Interpolit dhe shpërfillja e vendimeve të drejtësisë
ndërkombëtare, është një veprim i qëllimshëm që synon të destabilizojë Kosovën,
të denigrojë imazhin e një personaliteti dhe përmes tij të njollosë luftën
çlirimtare të Kosovës.

Duke komentuar
deklaratat e kryeministrit serb Vuçiç dhe të presidentit Nikoliç për ndalimin e
Haradinajt, Bushati thotë se ata pretendojnë të nxjerrin kapit politik me
Kosovën.

Bushati: Deklaratat
e tyre dëshmojnë se jetojnë në të kaluarën e errët, duke bërë pjesë për fat të
keq tek ata politikanë që ende mendjonë se mund të nxirret kapital politik me
Kosovën. Përdorimi i “viktimologjisë”, si metodë politike, kombinuar me
“teatralitetin” dhe “agresivitetin”, mund të prodhojë efekte befasuese në planin
afatshkurtër, por është tërësisht kundërproduktive në planin afatgjatë.

Kreu i diplomacisë
shqiptare është i mendimit se e gjithë kjo situatë do të ketë impakt në
dialogun Kosovë-Serbi.

Bushati: Unë nuk
mund të them se cilat do të jenë vendimet e Kosovës. Dialogu është një proces
të cilin Shqipëria e ka mbështetur që në krye të herës. Duke besuar se është në
të mirë të Kosovës dhe si pjesë e angazhimeve të saj me miqtë e partnerët, me
Bashkimin Europian. Ky proces nuk bëhet për të kënaqur Serbinë, por për të
normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy fqinjëve.

Pas gjashtë vite
dialog, mendoj se ka ardhur koha për një “rivlerësim të angazhimeve”. BE-ja
duhet të jetë së pari e zëshme dhe e angazhuar për të parandaluar qëndrime dhe
veprime që minojnë procesin e normalizimit. Duhet po ashtu të jetë më e
angazhuar jo vetëm në arritjen e marrëveshjeve, por edhe për të siguruar
zbatimin e tyre. Në të kundërt, marrëveshjet do të kthehen në letra pa vlerë.
Vini re paqartësinë që ekziston mbi murin që u ngrit në Mitrovicë. Një proces
që u nxit e ndërmjetësua nga BE si proces për ndërtimin e urave po rrezikon të
kthehet në ndërtim muresh. Siç ndodh në të tilla raste, një mur që kërkon veç
pak ditë për t’u ngritur, kërkon vite për t’u kthyer në urë përmes bisedimesh e
ndërmjetësimesh diplomatike.

Sa më shumë kalon koha
po kristalizohet pikëpamja se Serbia është i llastuari i perëndimit e që në të
njejtën kohë flirton me lindjen. Që procesin e dialogut me Kosovën po e
koncepton si një mundësi për t’u “rikthyer” në Kosovë, duke vënë në pikëpyetje
funksionalitetin e shtetit më të ri të Europës. Dialogu me Kosovën i ka hapur
Serbisë dyert e BE-së edhe pse Serbia vazhdon të refuzojë kokëfortësisht të
bashkohet me qendrimet e BE-së në politikën e përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.
Kontrasti nuk mund të jetë më i madh kur Kosovës i kërkohen gjykata speciale, i
refuzohet lëvizja e lirë me kritere sui generis, i sugjerohen modele
strukturash e rregullimesh të cilat, duke qenë të patestuara dhe duke pasur
parasysh implikimin agresiv, të vazhdueshëm e të toleruar të Serbisë nga ana e
BE-së, mund të rezultojnë të padobishme për funksionimin e saj në të ardhmen.

Rasti Haradinaj ka
prekur palcën e Kosovës. Ndaj, nuk do të çuditesha që kjo ngjarje të ndikonte
edhe në ecurinë e procesit të bisedimeve. Kush mund të mendojë se mund të
shkohet në Bruksel për të rënë dakord për çështje shpesh herë delikate, kur
ndërmerren veprime të tilla qëllimshëm destabilizuese? Normalizimi mes Kosovës
dhe Serbisë kërkon mëndjemprehtësi, durim dhe vullnet të vazhduar. Normalizimi
nuk do të ndodhë duke krijuar pengesa apo duke ngritur mure aty ku duhen
forcuar urat e kontaktet.

I pyetur nëse ky
qëndrim i Serbisë zyrtare vërteton deklaratat e politikanëve kosovarë që
çështjet mes Kosovës e Serbisë nuk zgjidhen nga takimet e kryeministrit Rama me
kryeministrin Vuçiç, ai shprehet:

Bushati: Jean
Jaures, udhëheqësi socialist i fillim shekullit XX sugjeronte të dallojmë
distancën mes “ideales” dhe “reales”. Ne nuk jemi angazhuar për të normalizuar
marrëdhëniet me Serbinë sepse ajo ka ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës, edhe pse
ne besojmë se procesi i dialogut do të duhet të çojë në normalizimin e
marrëdhënieve, pajtimin mes tyre dhe në njohjen e ndërsjellë.

Normalizimi i
marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, varet nga ecuria e normalizimit të
gjithanshëm të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe nga zbatimi i
angazhimeve të ndërmarra nga kjo e fundit në këtë proces. Në mbështetje të
dialogut midis Kosovës dhe Serbisë do të vijojmë të kërkojmë nga Serbia që të
respektojë marrëveshjet e arritura, të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në
organizatat rajonale dhe të inkurajojë komunitetin serb në Kosovë që të marrë
pjesë në institucionet legjitime të saj.

Nuk besoj se i ka
shpëtuar ndokujt fakti që kryeministri Rama ka thënë për Kosovën në Beograd
pikërisht ato që ka thënë në Tiranë, në Bruksel, në Berlin apo në Washington.
Natyrisht që frutet e kësaj qasje angazhuese duan kohë të materializohen.
Ndonëse kam dëgjuar e lexuar me vëmendje çdo kritikë në këtë drejtim, asnjë
prej kritikëve nuk ka paraqitur deri tani një platformë alternative për të
përfocuar bashkëpunimin rajonal dhe për të promovuar rrugëtimin europian të
Ballkanit Përendimor.

Ministri i Jashtëm ka
komentuar dhe zhvillimet në politikën e Maqedonisë.

Bushati: Partitë
parlamentare shqiptare kanë përgjegjësinë e madhe, por edhe shansin që t’i
japin Maqedonisë një shumicë të qëndrueshme dhe të ndikojnë që vendi të dalë
nga kriza, të rifutet në rrugën e reformave e procesit të integrimit
euro-atlantik. Me votën e tyre, zgjedhësit u kanë kërkuar aktorëve politike, të
të dy komponentëve shtetformues të Maqedonisë, një kontratë të re për vendin.

Pikërisht këtë u kemi
thënë aktorëve politikë shqiptarë: të tregohen në lartësinë e momentit, të
marrin përgjegjesitë që u takojnë, të respektojnë kërkesat e elektoratit të
tyre, të ngrihen mbi dasitë ideologjike dhe të bashkohen përmes një programi që
shkon në të mirë të zgjedhjesve të tyre dhe Maqedonisë.

Në këtë kontekst, ne
mbështesim marrëveshjen e partive parlamentare shqiptare, e cila përbën një
platformë të qartë e koherente në respekt të frymës se barazisë në Maqedoni. Ne
mbështesim gjithashtu krijimin e Tryezës Ndërpartiake si një mekanizëm
koordinimi e harmonizimin të aksionit politik dhe për komunikimin e brendshëm dhe
të jashtëm.

Platforma thekson
frymën e Marrëveshjes të Ohrit, një gur themeltar për stabilitetin dhe
zhvillimin e Maqedonisë, dhe nevojën e masave për të avancuar drejt forcimit të
Maqedonisë europiane, demokratike dhe shumëetnike.