Suplementi Pena Shqiptare/ Zija Çela: Një trëndafil me pika më vjen nga Amerika…

41
Zija Cela
Sigal

E kush ma dërgon? Po çfarë janë këto pika që zbresin nga petali në petal? Dhe përse mbart për mua një lidhje kaq të veçantë shpirtërore, sidomos sot në ditëlindjen e tim biri?

Anthony Perdoda, i shtrenjti mik!

Dhurata jote arriti në shtëpinë time. E magjishme, siç më ishte dukur qëkurse e kisha hasur së pari diku në Fb. Madje deri edhe në formatin që e kisha përfytyruar. Kaq për shpirt më kishte ndenjur sa, pa më shkuar kurrë nëpër mend se një ditë mund të bëhej imja, në çast i kisha vënë edhe diçiturën, të cilën do ta zbuloj në fund. Pra, gjithçka si e taksur prej Zotit. Megjithëse bashkë s’jemi takuar ndonjëherë fizikisht, ngjan sikur vetë Zoti të kishte thënë ta bëje këtë pikturë dhe ti, Mjeshtër, e bëre veprën si të kishe hijen time në studion tënde. Prandaj, ende pa e ditur thellësinë e lidhjes sime shpirtërore, me ta parë në faqen time si shoqëruese të një postimi, ti nënshkrove një koment të fortë, të fortë e shumë bujar, duke shpallur vendimin që, më parë se të përfundonte në çdo anë të botës, në çdo sallon a galeri, parapëlqeje t’ia dhuroje shkrimtarit Zija Çela.

Anthony, sa më ke prekur!…

Në këtë tablo vetëm aroma mungon, ndonëse më duket sikur e ndiej qysh nga çastet kur ka nisur shtrydhja e tubeteve. Pasi ke përcaktuar me delikatesë këndin e dritës, shoh si përforcohet i tërë përqëndrimi te figura në qendër të telajos. Dhe ke pikturuar duke e hequr të tepërten, kudo duke e hequr, madje ke shmangur edhe hollësirat në petalet e kreut, vetëm e vetëm që të theksohet sa më tepër drita e pastër e figurës. Dhe ke vazhduar që, po me kaq finesë e po me këtë synim, përgjatë kanavacës ta zbresësh penelin në mënyrë minimaliste, duke lënë thuajse në hije edhe gjethet në fund të tablosë. Kështu, dy janë elementet që spikasin, pikërisht ato që i ka vetë jeta, drita dhe uji. Duke ditur se drita nuk ka peshë, është elementi tjetër që prej peshës së vet merr përposhtë, deri në nivelin ku ndodh alkimia e artit, përmes së cilës pikat e ujit artisti magjistar i shndërron në pika loti.

Natyrisht, nxitova pastaj për trajtimin e merituar të veprës. Në pasportim u përjashtua oro, sepse e florinjta do t’i bënte njëfarë konkurrence figurës së kulluar, prandaj korniza e jashtme u mbajt në silver. Por ndoshta nuk kam qenë i aftë ta fotografoj siç duhet.

Tash po të tregoj edhe shtysën tjetër intime, atë që përveç vlerave të artit, ky Trëndafil më përqethi qysh në kontaktin e parë.

Ti nuk e ke ditur se im bir, Dritani, përkthyes i hatashëm i prozatorëve të mëdhenj italianë, ka mbyllur sytë në Parma në moshën 36 vjeçare. (Ka lindur si sot, me 11 janar 1970.) Një ditë, në spitalin e onkologjisë, teksa rrinim në korridor pranë dritares, atje poshtë kaloi dikush me një buqetë në dorë dhe Tanushi ynë tha: “Ah, sa të bukur qenkan ato trëndafila!” Që të nesërmen e derisa jetoi nuk i munguan asnjëherë trendafilat mbi komedinë. Dhe ai gjithnjë shfaqte pëlqim.

Pasi lexoi librin “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, librin që i kam kushtuar djalit, artisti i mirënjohur Saimir Strati (gjithashtu autor i portretit të Dritanit dhe i portretit tim në mozaik) pikturoi në kanavacë një trëndafil, duke e mbajtur sidomos në blu. Unë e quajta “Trëndafili i natës”.

Kam bindjen se do të pajtohesh me mua për diçiturën e veprës tënde, e kam quajtur “Trëndafili i lotit”. Është loti im; është loti i çdo prindi në këtë rruzull të njerëzimit që ka humbur para kohe birin a bijën e vet; është metafora jote, loti yt në çastet e përjetimit artistik kur ke qenë duke e krijuar veprën.

Bekime, Anthony, mirënjohje të thellë për dhuratën tënde kaq emocionuese e njëkohësisht të paharrueshme.