Suplementi Pena Shqiptare/ Zija ÇELA: Dymbëdhjetë herë në piceri. Asnjëherë në librari

274
Sigal

DYMBËDHJETË HERË NË PICERI

(Asnjëherë në librari. Dialog për leximin.)

Liliana Liliana: Përshendetjet e mia z. Çela! Në radhë të parë ju kërkoj ndjesë për shqetësimin. Më nxit t’ju shkruaj admirimi im për artin, atë art që penda juaj e përcjell me kaq emocione në çdo shpirt të lexuesit.

Jeni ju z. Çela që më keni mallëngjyer me fjalën tuaj letrare, prandaj përpiqem të mos e humbas sa herë mundem. Ju njoha vonë… Më vjen keq për veten që njoha artin tuaj kaq vonë. Jetoj prej 21 vitesh larg nga vendlindja. Dhe më vjen turp nga vetja që arrita të njoh shkrimtarin Zija Çela nga ky ekran telefoni, nga fb, nga rrjetet sociale, nga faqet e gazetave. Çudi!..

Por më vjen mirë që emrin tuaj dhe artin tuaj do të përpiqem t’ua lë fëmijëve të mi si trashëgim të bibliotekës sime. E pakët, por shumë e vlefshme për mua.

Sinqerisht, mundësia e parë është premtimi që i bëj vetes: librat tuaj të jenë pjesë e shoqërimit në vazhdimësinë e jetës sime.

Ju kërkoj përsëri ndjesë për shqetësimin. Me respekt ju falënderoj edhe njëherë.

 

PËRGJIGJE: Ah, zonjë, ju më kërkoni ndjesë?! Jam unë që përunjësisht ju falem me zemrën në dorë. Dhe ju them hapur, më ka prekur fjala juaj për bibliotekën dhe trashëgiminë. Shkurt, nga letra juaj po identifikoj një problem të mprehtë.

Nëse do të ishte e mundur që jeta të rikthehej nga e para dhe, sapo të lindja Zoti të më jepte gojë, ja cila do të ishte kërkesa e parë ndaj prindërve: “Dua të rritem me bibliotekë në shtëpi!”

Kush e ka patur dhe kujt i ka munguar, më kuptojnë fare mirë çfarë po them. Ndonëse pa certifikim në hipotekë, është thesar i vërtetë një bibliotekë. Qumësht për fëmijët, mjaltë për të rinjtë, universitet për të gjitha moshat.

Liliana Liliana, sa qashtër më ke shkruar! Dhe po aq besueshëm. Është shpirti, shpirti yt që flet. Dhe brenda teje, natyrisht, ai që e kam quajtur Engjëlli i Leximit.

E di, fort mirë e di, kush brenda muajit shkon dymbëdhjetë herë në piceri, pa shkelur qoftë dhe një herë në librari, as që ka dëgjuar për këtë Engjëll. Le pastaj të kujtohet për një telefonatë botuesve, një klik në panair shopping, një kërkim… Por ja që ne, si miliona në botë, Engjëlli i Leximit na bashkoi. Dhe sa mirë, sepse edhe në distancë, me librat në mes, do të jemi bashkë përherë.

Zonjë e nderuar, mike e përzemërt, prisni prej meje përqafime. Për familjen tuaj vetë Zoti dhashtë bekime!