Zaho Vasili
Valltari Osman Taka
Nën shigjetën e vetëtimës
e nis vallen pa fre, s’ndalet,
Nën klithmën e suferinës
si shqiponjë e hiqte vallen.
Pa kur kishin çelur lulet
nën violinën që sillte flladi,
Nga shigjetë, në hark përkulet
shpatën nuk e heq nga shtati.
Tek vraponte si murlani
porsi thikë të pret veriu,
në gushë i vunë jataganin
gjithë koshadhet e valiut.
Ç’bukuri kish atë ditë
bukurinë e gjithë prillit,
Qeshte si qeshin qershitë
me lule te cepi i syrit.
Fshehtas qante vajzëria
u këput një yll si zjarri,
Fshehin sytë gjithë graria,
bukurinë s’e qas litari.
Litarin në degë të lisit
me mundim e tundte era,
Valiu heshtjen e prishi:
Amanetin! Fjalë të prera.
Ç’i kish rënë një nur i rrallë!
Era fryn përtej në zalle,
E kish zënë mall i madh:
Më lini të heq një valle…
Digjeshin yjet në muzgje,
vallja sheshin e përpiu,
Heshti era nëpër lugje,
nyja e litarit ngriu…
mbi thua sipër tabanit
nisi vallja e Mëmëzonjës,
Sepse gishtat e Osmanit
qenë si kthetrat e shqiponjës.
Ç’dhembje do të ndjente toka,
në ajër merrte fuqinë,
Tek hëna i shkonte koka
balta ndjen dhimbje në brinjë.
Vajzat lanë lotët e qeshin
harruar, pas tyre laku,
Ylberi kish rënë te sheshi
dhe i thoshte zjarrit, hapu!
Bija e pashait feksi
tek shikonte arnautin,
Frymën brenda do ta pleksi
Me vallen që gurët zbuti.
Turfullon, pashai, u ngrys,
-Para meje do përkulesh
Litari që pret në lis
mos të duket gjerdan lulesh?
Hedh syrin nga bija pranë
Për valltarin digjen zjarre,
I ngjan vajzës si luan
sa njëqind sorkadh’ në valle.
Ju lut të atit me lot
se nuk varej bukuria,
-Mos e ço te lisi sot
vjen e shpëton Perëndia…!