-Për librin “250 poezi pikante” të poetit Vullnet Mato-
Ajo ka stinët e saj. Paralel me rrjedhjen e viteve ngjizet dhe pjekuria artistike te poeti. Pjekuria pranverore, ndoshta është më e bukura, por ajo që sjell kurorëzimin është vjeshta e pjekurisë së bashku me begatinë e saj. Kjo vlen më së miri edhe për poetin dhe librin e tij të fundit voluminoz me 250 poezi pikante. Pjekuria nuk vjen vetëm, ajo ka shoqërues të parë talentin dhe shoqërues të dytë vullnetin. Vendosja e emrit të çdo njeriu është si puna e etiketës së shishes së verës, por që nuk tregon se ç’verë ka brenda. Por ka dhe rastësi në jetë që bashkohen forma me përmbajtjen, si kambana me tingullin e saj. Ai që ja vuri emrin Vullnet Matos nuk kishte si ta dinte se do të kthehej në përmbajtje dhe ai do të bëhej një poet e shkrimtar me vullnet të fuqishëm , i palodhur rinor, jo vetëm me formën e jashtme por dhe brenda vargut poetik dhe prozës. Mbi “kalin” e viteve ku është ngjitur Vullneti kthen kokën pas dhe shikon që ka mbjellë,lëruar e korrur shumë, del nga dera e minierës së krijimtarisë së tij, pse jo edhe me disa shufra argjendi e ari. Dhe një nga këto shufra, e fundit është dhe libri i tij “250 poezi pikante”. Sa më ra në dorë ai libër, nuk m’u durua dhe e shfletova direkt në rrugë. E bukur poezia diku nga fillimi, më tej një tjetër e ndjeshme, kalova disa faqe dhe poezia e radhës më emocionoi. Rastësi ishte kjo? Pastaj u ula mbarë me shijen e mirë që më kishin lënë disa poezi gjatë shfletimit të librit dhe duke i lexuar ato dalëngadalë, sikur shijoja një gotë verë të vjetër, duke e pirë me gllënjka sa më të vogla, që gota të mos mbaronte. Faqe pas faqeje dhe poezi pas poezie ndjej kënaqësi dhe emocion të veçantë. Edhe një herë e nënvizova mendimin tim për këtë poet tashmë të pjekur por pa asnjë thinjë në shpirt.
Vullneti ka mbi pesë dekada që e tërheq me sukses plugun e artë të poezisë në shpirtin e tij, si një kalë i azdisur e rebel. I guximshëm, i ndjeshëm, i thellë, i kthjellët, konkret, i dukshëm mes kolegëve si lulëkuqja në arën me grurë, me gjetje të bukura e të papritura, i fshehur brenda zjarrit të tij poetik, sfidues e këmbëngulës drejt së bukurës në spiralen e cilësisë. Shtrydhe Vullnetin dhe do të kullojë poezi, si shufra që pikë pas pike ka vetëm flori. Prodhimtar i madh dhe çdo gjë që futet në hambarin e tij, për t’ia dhuruar lexuesit, i cili e ndjen dhe e shijon me kënaqësi Vullnetin në vargun e tij të gjatë homerik, energjik siç është dhe vet i tillë në jetë. Mendimi i thellë brenda poezive të tij, me valë e dallgë figurash të papritura e befasime, i përngjan një rrapi, që aq sa është poshtë me rrënjë, po aq dhe sipër me kurorën e gjerë. Poeti ndjen dhimbje për ditën që ikën, për kohën që rrjedh brenda së cilës rrinë problemet e mëdha të saj. Ai ecën për mes tyre jo kokëpërpjetë, përkundrazi jep shpirt në hallet e popullit dhe merr energji prej tij që t’i mbajë ato në majën e penës, se pena e Vullnetit nga një anë është penë, nga ana tjetër është daltë. Kur mbaron njëra e merr fjalën tjetra që poezia e tij të jetoi sa më gjatë. Në mes të vargjeve ai vendos termometrin e merakut për të ndjerë e fashuar hallet e ditës njerëzore. Tematika e tij në këtë libër me 250 poezi është shumë e gjerë dhe e larmishme, se ai qëmton dhe atje ku dikujt si vete mendja. Sfidon shumë poet qiellorë, sepse ai është tokësor, se hallet që janë prezent, si hallkat e një zinxhiri i lidhen penës së tij dhe i venë në fyt atyre që i shkaktojnë. Tek libri i tij e gjen veten çdo kush dhe çdo kushi është një pasqyrë ku Vullneti sheh veten e tij dhe kontrollon shënjestrën e penës për ta shpurë në palcën e mundimeve që rëndojnë këtë popull që spo e gjen ende rrugën në pyllin e pakrasitur të jetës njerëzore. Lexojeni dhe do ta gjeni revoltën e tij për hallet e shtetit, brengat e kombit, padrejtësitë e atyre që nuk bien kollaj nga kali i harbimit. Pena e hollë e poetit Vullnet Matos është si fshirësja e xhamit në makinën e kohës që ecën,fshin e fshin e palodhur horizontin e kohës për të parë të kthjellët të nesërmen e bukur, sepse zemra e tij është ndarë nga pak për të gjithë dhe pse është kaq e madhe, rri shumë bukur në trupin e vogël të Vullnetit. Ky libër është një pemë e lartë e madhe, kurorë gjerë me shumë degë që nuk ngjajnë me njëra tjetrën, sepse secila ka bukurinë e saj. Në këtë libër zë vend dega e bukur, e brishtë e lirizmit, siç duket mirë dhe që shungullon dega e fortë dhe e trashë e epizmit, apo dega me nyje filozofike. Nga një kreshendo epizmi zbret në lirishtën me bar të butë të lirizmit dhe zemra të zbutet brenda faqeve të këtij libri,kalon në shumë gjendje emocionale, halle, brenga, gëzim, lumturi, trishtim, por dhe revoltohesh. Dega e revoltës mbahet fort pas trungut shpirtëror të Vullnetit. E dukshme që përdridhet e çan brenda këtyre degëve është dhe dega me lule e dashurisë, e cila kërkon të zbuti e zbukuroi sado pak degët e tjera. Të befason Vullnet Matua, mjeshtri i punishtes së tij poetike. Të ndodh që nga një poezi që ka brenda zjarrin e revoltës, të qeshësh me të madhe nga një idil dashurie dhe të thuash, sa bukur që e ka thënë!Këto nuk janë pak në librin e tij voluminoz,ato na krijojnë një gjendje shpirtërore të bukur. Pra, duke udhëtuar në rrugët, rrugicat, shtigjet, monopatet e deri në autostradë brenda librit të tij, i gjen pothuajse të gjitha gjendjet shpirtërore. Lexuesi ndjen kënaqësi dhe them se librin do ta mbajë në nënkresë, ta lexojë çdo poezi si gllënjkën e verës për të parë ëndrra të bukura. Vullneti është një burim i pashtershëm uji të pastër, i cili i hyn shpirtit tonë për ta ujitur, duke mos e lënë atë në tokë të tharë, po një ugar të bleruar. Kjo është detyra parësore e çdo krijuesi dhe këtë Vullnet Matua e ka bërë shumë mirë e me mirësi gjatë pesë dekadave , duke e lehtësuar e fisnikëruar shpirtin njerëzor. I lulëzoftë shpirti atij që i vuri emrin Vullnet, se nga një vijë, rrëke e më pas lumë, ai tani derdhet në detin njerëzor i pastër, i kthjellët plot shije dhe i pjekur si burrë.