Metropoli zhurmon, si koshere gjigante,
me hoje lokalesh, mbushur plot e përplot,
ku gëlojnë të rinjtë, në mijëra klube nate,
mes dritash farfuritëse, si në tjetër botë.
Netëve të metropolit, në tryeza lokalesh,
mijëra çifte përkulur, mbi filxhana e gota,
luajnë role në drama e filma, nga jeta reale,
me metrazhe të shkurtër e seriale të plota.
Falen puthje ashiqare, dikur aq të shenjta,
sa në filma, bëheshin truke me nënkuptim.
Tani thithen, sikur shkulen buzët nga rrënja,
ose u jepen për bamirësi, personave qesim.
Por e keqja e puthjes së kotë, nuk ka fund,
ashtu si nuk ka fund edhe puthja e mirë.
U pyet vajza: “Pse puthe atë surrat majmun?”
Tha: “S’e pranon asnjëra, e putha për mëshirë!”
Të rinjtë kanë shkruar në mure: “Jeta osh qejf!”
kur është shtrembërim i kuptimit, që ka jeta.
Nuk mund të thuhet, ka erë të mirë një qenef,
kur dihet se aromë, kanë dashuritë e vërteta.
Puthjet e pakursyera, në dashuriçka klubeve,
shpesh janë pa ndjenja, me fshirje të shpejta.
ashtu si në gotat e qelqit, ku shenjat e buzëve,
zhduken nëpër lavamanët, ku rrjedhin çezmat.
Ndodh premtimet, nuk arrijnë funde gazmore,
ndonëse personazhet betohen, në altarin me gota.
Shumica marrin role të reja, në komedi jetësore,
duke fshirë puthjet, si të ishin dublime të kota.
Disa zhvlerësohen, pasi luajnë nëpër filma horror,
se regjisorët prindër, s’i pranojnë në seri familjare.
Seri të plota, luanë në filma me krushq e dasmorë,
ata që aksidentalisht, arrijnë shtatzëninë aktoriale…
Dhe s’kanë nga i bëjnë bisht lojës, në asnjë anë,
se kolopuçi në bark, klith për nënën e babanë!…






















