Suplementi Pena Shqiptare/ Vojsava Nelo: Kush thirri poshtë dritares sime?!

683
Sigal

Unë s’e kisha parë.

Por dita kishte çelë.

Një ditë e bardhë

E larë me diell.

Mbi trupin sorkadhe të hardhisë,

që nga gazi i kishte shkarë një pikë lot.

Mbi krahët e stërmunduar të zogjve shtegtarë

që lanë kilometrat e fundit

e hyn në kraharorin tim,

sot.

Dhe unë s’e kisha parë?!

Po ti më thirre vetë.

Zë bukur si një e njohur e vjetër.

Më thirre në emër.

Vrap u çova.

U zgjata në eter:

– Kush thirri poshtë dritares sime?!

Ajo afrohej.

Më kapte duart.

Më lëmonte flokët.

E pashë. Pastaj e ndjeva.

E tëra brenda qenies sime.

Si brenda rrënjëve.

Si brenda sythave.

Pëllëmbë për pëllëmbë të këtij dheu.

Unë e ndjeva…

Pranvera SHPËRTHEU

Çorovodë, 1988