Suplementi Pena Shqiptare/ Vepror Hasani: Mall për shoqen e shkollës

394
Sigal

Përshkrim

Nga Vepror Hasani

L,. mikja ime, para pak kohësh isha me shërbim në Lushnjë. Nuk e dija që do të vija. Më thanë vonë në mbrëmje do të shkosh me filan makinë. Doja të të pyesja mos rastësisht ishe në Lushnjë, por nuk të pyeta dot; ishte shumë vonë. Në mëngjes u nisëm herët. Në Lushnjë mbërritëm në mëngjes shpejt. Frynte erë dhe bënte ftohtë. Nuk ishin më ato shtëpitë e ulta, as sheshi që unë mbaja mend, as kallamat diku në periferi. Nuk ishe as ti L, mikja ime. E di që je në Tiranë, por mendova: “Mbase rastësisht ndodhet në Lushnjë”. Makinën e ndalëm aty te Posta e Vjetër. U ulëm për kafe në krah të djathtë të rrugës. Shumë njerëz kalonin rrugës kryesore, nuk ua ndava sytë për një kohe të gjatë; prisja të shfaqeshe ti, por nuk të pashë; u ndieva i trishtuar. Më paskësh marrë malli. Ishte ai malli i vërtetë për një mike të mirë. U nisa drejt Bashkisë, kalova para qendrës kulturore “Vaçe Zela”, shkruar në krye me gërma të mëdha në gjithë gjatësinë e fasadës, por perdet e mëdha mbi xhama nuk të linin të shikoje asgjë. Mbretëronte heshtja. Po ndihesha shumë i vetmuar. Shpresova shumë se diku do të më shfaqeshe ti papritur. Do të të thërrisja që së largu. Bashkia ishte në krah të djathtë të “Vaçe Zelës”. Hyra në zyrën e Informacionit, ishin disa vajza të reja, i vështrova të gjitha me radhë, prisja që njëra prej tyre të ishe ti, por ti nuk ishe aty. M’u duk vetja sikur isha në një vend të huaj. Një burrë, që dukej si përgjegjës i zyrës, më pyeti si mund të më ndihmonin. Kërkoja dikë që edhe mund ta njihnin. Më dhanë një numër telefoni. I telefonova personit, ndodhej në pjesën e prapme të “Vaçe Zelës”; në katin e parë ishin Tatimet, kurse në katin e tretë ishte një sallë ku bëhej një mbledhje. Flisnin për statusin e nëpunësit civil. Hapa derën dhe hyra. Të gjithë kthyen kokën nga dera. “Kush është ky i panjohur?” – pyesnin sytë e tyre. I pashë të gjithë më radhë, pjesa më e madhe ishin të moshës tonë. Kërkova me sy të të gjeja ty, madje pata një ndjesi sikur ti do të ishe aty, prisja të kthehje kokën dhe të më shihje e habitur,  por nuk të pashë. Ti nuk ishe as aty. Ata çast u ndjeva edhe më i zbrazët. Shpresoja mos rastësisht kishe ardhur në Lushnjë, shpresoja se do të të gjeja, kisha shpresë se kjo do të ndodhte, por nuk ndodhi. Dola nga mbledhja me njeriun që kërkoja. Me të ndenja shumë pak. Pastaj shkova te Policia, ishte pak më larg, mbi Postën e Vjetër. Edhe aty kisha pak punë.  Më kot të kërkoja gjithandej, ti nuk ishe aty, qoftë edhe për një kafe. Më lart policisë, ishte Gjykata dhe zyrat e avokatisë. Bisedova me një avokate, kishte sy bojë qielli, desha ta pyesja edhe për ty, por pata frikë se do të më quante të marrë. Ika. Dola te Posta e Re, aty ishte dhe Albtelekomi. Para tyre shtrihej një lulishte me stola dhe pemë. Vendi ishte i mbushur me gjethe të rëna. Nëpër stola kishte pak njerëz. Nuk lashë njeri pa vështruar, po ti mikja ime nuk ishe aty. Ajo ditë pati shumë trishtim për mua. Ikim,- i thashë shoferit, edhe pse nuk më ikej. Ikëm. Në të dalë të Lushnjës lexova një tabelë ku shkruhej: “Grabjan”, ishte një restorant. Qëndruam për pak aty. Nuk kishte shumë njerëz. Pashë disa të rinj, m’u duken si kinezë, flisnin një shqipe të çalë. Gjithë bota mund të ishte aty, por vetëm ti mikja ime nuk ishe. Ika.