Suplementi Pena Shqiptare/ Vepror Hasani: Dritëro Agolli frymëzoi një brez të tërë poetësh të suksesshëm

723
Sigal

Poeti Nexhat Nallbati: Politikanët tanë luajtën kumar me jetën tonë!

 

Nga Vepror Hasani

 

Poeti Nexhat Nallbati nisi të lexonte poezi të poetëve shqiptarë e të huaj që në rininë e tij të hershme. Lexonte gjithçka me ëndje, ndjente kënaqësi të veçantë, i mësonte përmendësh, i pëlqente t’i recitonte në klasë në orën e letërsisë dhe kudo që i jepej mundësia. Ishte dashuruar me poezinë. Gjithnjë e më shumë po bëhej interesant për shoqërinë e vet. Në shkollën e mesme u bë anëtar i grupit të letrarëve të rinj. Poezitë më të bukura të nxënësve krijues afishoheshin në një stendë të madhe, nuk mungonte as krijimtaria e Nexhat Nallbatit. Dëshira për të thurur vargje nuk iu shua kurrë, edhe sot vijon të lexojë, të shkruajë e të interpretojë sa herë mblidhen te klubi i shkrimtarëve, edhe në tavolina me shokët gjen gjithnjë diçka të bukur për ta treguar. Është gjithmonë interesant ashtu siç janë poetët. Sipas Nallbatit, “Njeriu duhet t’i qëndrojë larg pasivitetit, dembelizmit dhe mediokritetit, sepse ato ia plakin trurin, e largojnë nga jeta aktive, e sklerozojnë dhe e detyrojnë të merret me cingërima, gjëra të vogla e të pakuptueshme, shpesh të mërzitshme dhe të neveritshme për shoqërinë. S’ka më mirë sesa t’i bësh gjimnastikë trurit e të  “vrasësh” mendjen duke shkruar e lexuar diçka. Kjo është e domosdoshme për njeriun dhe shoqërinë”. Përveç poezive, Nallbati shkruante edhe publicistikë, shpesh te gazeta “Përpara” e rrethit të Korçës, por edhe te  “Zëri i Rinisë”, “Luftëtari”, “Dita”, “Devolli” etj.  Gjithnjë i rrinte në mendje një poezi e Dritëro Agollit, kur ishte vënë në kërkim të poezisë. Edhe Nallbati është me origjinë nga Devolli, banues në Korçë. Dritëroi shkruante:

Ç’po ndodh me mua kështu,

Ç’po ndodh me mua!

Jam mbushur plot mall e mërzi!

Diçka po kërkoj, diçka në jetë dua

Dhe i vrenjtur tërë ditën rri.

Politikanëve: Me popullin kumar keni luajtur!

E njëjta gjë po ndodhte edhe me poetin Nexhat Nallbati. “Ishin pikërisht këto vargje-mesazhe, të Dritëroit, – thotë ai, – që më nxitën dhe më shtuan dëshirën, vullnetin dhe kurajën për ta provuar edhe unë vetë të shkruaj diçka”, por jeta e Nallbatit rrodhi ndryshe, iu desh të punonte në sektorë të ndryshëm deri sa një ditë e pa veten ushtarak; punoi gjithë jetën me nder. Përmbledhjen e parë me poezi e titulloi “Përmendoret”. Solli aty vargje të shkruara në kohë të ndryshme, njeriun vëzhgues të dinamikës së jetës së përditshme, syrin kritik të poetit, reagimin e shpirtit të tij, jetën e trazuar të shqiptarëve të pasviteve 90’, probleme  pafund të shqiptarëve etj, ku Nallbati e ka edhe një denoncim për politikanët tanë: “Me popullin kumar kini luajtur”;- kështu e titullon një prej poezive të tij, ku ndër të tjera kërkon një përgjigje:

A do të vijë një ditë vallë

Të ndjeheni keq për çfarë keni bërë?

Kjo ndodh te njerëzit e rrallë,

Ju veç vetes i keni ngjarë.

Duket se poeti nuk ka asnjë shpresë se një ditë do ta shohë të vetë ndërgjegjësuar këtë soj politikanësh, ata do të mbeten përmendorja e këtij vendi, por jo përmendore e nderit… Prandaj këtë përmbledhje autori e quan“Përmendoret”, sepse dëshiron që e mira dhe e keqja të mbeten gjallë në kujtesën e njerëzve, sepse, ajo që harrohet, përsëritet. Në një poezi tjetër spikat ironia për deputetët tanë “të famshëm”:

Disa prej tyre janë ustallarë,

“Specialistë” për të sharë,

Për këtë janë vënë në garë,

Kush të zërë vendin e parë.

Ironia e tij nuk mungon as për të vetëshpallurit “specialistë”

Tranzicioni i zgjatur  shqiptar,

“Polli” analistë me nam.

Flasin shumë e nuk pushojnë,

Njëri-tjetrin s’e dëgjojnë.

Jetë e gdhendur në vargje

Vëllimin e dytë poetik e titulloi “Jetë e gdhendur në vargje”. “Edhe botimi i vëllimit të dytë, – thotë Nexhat Nallbati, – ka qenë ëndërr dhe dëshirë e kahershme; kjo më nxiti t’i sjell ato në formën e meditimeve, refleksioneve, përjetimeve, dedikimeve, homazheve, konstatimeve etj, të cilat mund të mbeten objekt debatesh e kujtimesh në rrethet e grupe të ndryshme për të parë cili ka qenë progresit dhe emancipimi i shoqërisë sonë dhe cila do të jetë e nesërmja e saj. Por poeti Nallbati di t’i këndojë me shumë ndjenjë edhe dashurisë:

Në një rrugicë të vogël, çdo ditë shkonte,

Një sorkadhe e bukur me shpejtësi kalonte,

Çdo mëngjes, kur dita sapo çelte,

Me bishtin e syrit shikonte dhe buzëqeshte.

Jeta e poetit Nexhat Nallbati ka qenë e larmishme. Për një kohë të gjatë kreu funksione në sektorë publik, veçanërisht puna me rininë, më pas mësues dhe përfundimisht ushtarak. “Gjithçka që shkruaja kur gjeja kohë, e ruajta deri në ditët e sotme. Tashmë kam filluar t’i përmbledh në vëllime poetike, së pari për t’i pasur për vete, për familjen dhe shoqërinë dhe për çdo lexues që e do poezinë”. Në poezitë e tij, gjithkush mund të gjejë diçka nga jeta e vet. Poeti nuk ka harruar të shkruaj as për veteranët:

Po ikin trimat një nga një,

Po ikin veteranët  dalëngadalë,

Për ta dhe deti qan me vale,

Siç qan dhe qielli pa zë.

Ajo që bie në sy në vëllimin e tij me poezi, është zhgënjimin e tij për tranzicionin e gjatë shqiptar që ende nuk po merr fund:

Në emër të popullit të gjithë flasin,

Për “të mirën e tij” çdo ditë bërtasin,

A thua se me gjithë mend e kanë,

Çdo ditë duke u grindur, çuditën dynjanë!

Ky është poeti Nexhat Nallbati, njeri i urtë, i kujdesshëm, me një shpirt të ndjeshëm që ndjen çdo dhimbje të shqiptarëve; gjithë jeta e tij i ngjason një filozofie të mençur që thotë: “Njeriu vjen në jetë të rrisë një fëmijë, të ndërtojë një shtëpi, të shkruajë një libër e të thotë një lutje”.

Por ti as qaje, as qeshje dot

Buzëdetit ecje, eh sa e lumtur,
Krah teje yt shoq, qeshte me lot,
Diç të tregonte ty moj flutur,
Dhe të qeshurën nuk e mbante dot.

 

Dhe ti ishe kaq e bukur,
Shkëlqeje siç shkëlqen një pikë lot,
Diç i tregoje dhe ti moj flutur,
Sa të qeshurën nuk e mbaje dot.

 

Ndaj u trishtova sa vetëm unë e di,
Besoja se e lumtur do ishe veç me mua,
Më iku fytyra, u bëra krejt i zi,
Çasti m’u bë lumë e përrua.

 

Vetëvrasjen atë çast mendova,
Ç’më duhej jeta, isha kot,
Veç helm dhe hidhërim provova,
Aq sa të qeshurën ju s’e mbanit dot.

 

Në atë çast drithërimë,
Kur desha jetës fund t’i jap,
Befas shkëlqeu një vetëtimë
Dhe në shpirtin tim ia bëri “fap!”

 

Ishte syri yt që më kishte parë,
Dhe ti ngrive në vend, syri të pati lot,
Ai vijonte të tregonte si më parë
Por ti as qaje, as qeshje dot.