Suplementi Pena Shqiptare/ Veli i zisë: Lela Dardha Kokona

60
Sigal

Moti ndryshoi. S’të besohej që gjer dje vera dukej fare e afërt. Bënte ftohtë; frynte një erë e marrë dhe shiu fshikullonte në xhamat e dritares. Kalldrëmi i rrugës ishte mbushur me ujë e baltë aq sa kur kaloje mbi të rrëshqisje. Dita tjetër dukej e zymtë. Shiu vazhdonte pa pushim. Ishte errësuar pus. Në atë rrebesh prilli, nëna e vogëlushit Ani, ishte nisur të shkonte në spital tek i shoqi. Ishte në pritje të përgjigjeve të analizave të tij. Pas një vizite të kujdesshme mjeku thirri nënën e Anit në telefon. Me një zë të mekur iu drejtua duke i thënë se gjendja e tij shëndetësore ishte shumë e rëndë. Fjalët e saj humbën në zhurmën e përgjithshme të shiut e makinave. Nuk arriti të dëgjonte gjithçka që i tha , por e ngrysur me vetulla të mbledhura filloi të dridhej e tëra. Shtrëngonte dorën duke mbajtur sytë poshtë.Ngriti kokën lart duke parë qiellin të mbuluar me një tis të dendur resh Mblodhi buzët, shiu po e pengonte të ecte më shpejtë. – Edhe ky shi që rrjedh si me grykë të shtëmës nuk ka ndërmend të pushojë. Përse më mori vallë mjeku, çdo të më dëgjojnë veshët vallë pas pak? Pasi u qullos e tëra, arriti te mjeku. – Zonjë, gjendja e burrit tuaj është shumë e rëndë. Bëmë të pamundurën, por kandili i tij sa vjen e po shuhet me nxitim. Do bëni mirë të mos e lini vetëm asnjë çast. U largua krejt e hutuar. Filloi të qante me ngashërim….. Më pas lau sytë, u fut në dhomën e tij .E gjeti të zbehtë dhe mbuluar të tërin në djersë teksa dridhej sikur e kishe shtënë në ndonjë rrymë elektrike.Vuri re sytë e saj të skuqur dhe faqet që i kuqëlonin aq shumë.

– Hë, erdhe zemër? – i foli me një zë të dridhur të shkëputur të gërmëzuar.- Pse vallë jeta më dha këtë çmim moj zemra ime? – lëshoi një ofshamë të pashpresë.Ajo nuk i mbajti dot lotët.- Dëgjomë me vëmendje dhe mbaji mënd çdo të them o grua ! Dhimbjen mbaje për vete dhe e di që do t’a mbash me vete kudo ku të jesh. E di që do të përballesh me atë dhimbje në kujtimet e tua, se je e vetme me katër djem ende të parritur.Të lutem të jesh e fortë përpara fëmijëve, mos qaj në prani të tyre, ndryshe do t’i bësh të mos vinë dot në shtëpi në atë atmosferë të trishtë. E di që në mbrëmje do të më kërkoni,do t’a ndjeni boshllëkun që do t’ju lë. Do të vi në ëndrrat tuaja me një mesazh mistik. Mundohu ta deshifrosh. Tregohu dinjitoze edhe kur dhimbja të kaplojë dhe loti të mos të bindet. Sa kështjella rëre kemi ngritur në ëndrrat tona, por dallgët e jetës i rrëzuan pa mëshirë. Fati na çoi në një tjetër dimension dhe ëndrrat fluturuan, avulluan. Lumturia jonë u kthye në mëshirë.- Ajo vetëm e dëgjonte dhe nuk nxirrte asnjë tingull. Mendonte padrejtësitë që jeta i kish ofruar. Po i rrëmbente shokun e jetës në një kohë që kishte aq shumë nevojë për të. Qante me lotët e dhimbjes. Pëshpëriste me shpirtin.Sa do donte t’i thoshte se e prishe fjalën e shenjtë që më dhe kur trokiti shenjtëria e dashurisë sonë. Kishte gjetur një oaz të pakrahasueshëm mirësie, paqeje, dashurie. Kudo e rrethonte prania e vemendjes tij. Ishte e shenjta dashuri ,e cila e formësojë si një amvisë, nënë, bashkëshorte. Ai e kishte bërë të lumtur me katër mrekullitë që i solli në jetë, katër djemtë e tij. Tashmë jeta e tyre pa atë do të jetë në udhëkryq. – Të është tharë goja zemra ime, çfarë do të të gatuaj në shtëpi? Ti e di që unë fluturoj, për pesë minuta jam këtu. – Më digjet shpirti, ndoshta ndonjë supë pule me limon do të më sjellë në vete. Doli nxitimthi jashtë. U ul në një stol. Mbështolli fytyrën me dy duart e saj duke nxjerrë një klithmë të pashpresë. U largua krejt e hutuar.Tentoi të kalonte nga një trotuar në tjetrën, duke i prerë rrugën një furgoni të madh, por me një lëvizje të papritur, karakteristike për njerëzit e hutuar, kalon në fund të makinës pa vënë re se më pas po vinte një tjetër makinë. Bëri një përpjekje të ngathët, por rrëshqiti në asfaltin e lagur të rrugës. Britmat e kalimtarëve u shkrinë me një klithmë të llahtarshme që lëshoi ajo vetë. U shtri përdhe e gjallë, por e dëmtuar.Nuk po arrinte të ngrihej nga vendi, dukej si e pajetë. Për fat, rrotat nuk arritën t’a preknin trupin e saj. Mbase ishte një mrekulli. Shoferi nguroi t’i afrohej , të merrte në makinë një kufomë e bërë e tëra në baltë e që nxirrte ende gjak. Britma të tërbuara i drejtoheshin shoferit.  – Jam një fajtor pa dashje bre në këtë dramë.- Turma vazhdonte t’i binte shoferit me grushta. Ajo mblodhi ato pak forca të shteruara, u ngrit me kujdes. .- O Zot çbëra! Duhet të shkoj shpejt në shtëpi, burri më pret…dhe nuk arriti të fliste më. U nis drejt shtëpisë. Zonjush, hajde të çoj unë një herë në ambulancë të kontrollohesh të mjekohesh , pastaj shtëpia aty është. Ai uli sytë, pa shiun që po lante pak nga pak njollat e gjakut. – O Zot,do të kishte vdekur! – fliste shoferi me një shprehje hidhërimi e trishtimi në fytyrën e tij.Gjatë rrugës e pyeste se çfarë ëndërronte ajo zonjushë , aq sa të humbte mendjen.

– Nxitoja zotëri se…,- filloi t’i tregonte arsyen e ngutjes.Pas një mjekimi të shpejtë u nis për në spital por tasi i supës nuk u pa se ku përfundoi. Në derën e dhomës së tij u përball me fytyrën e vranët dhe me zërin e doktorit që paralajmëronte një shenjë të keqe ogurzezë. Shtangu në vend. Rrinte e ngrirë, asgjë spo mirrte vesh, u bë një kufomë pa shpirt. Pas një heshtjeje të shkaktuar nga hutimi, buzët e saj më në fund filluan të lëviznin. Pyeti me një zë fare të ulët , me forca të shteruara. Shpresoi me shpresën e kotë se do të dëgjonte ndonjë përgënjeshtrim. Hodhi sytë nga shtrati i të shoqit, të cilin e kishin mbuluar të tërin me çarçaf.  – Si, vdiq?..V…diq fare ? Pësoi një turbullim të brendshëm, llahtari i papërshkruar i mendimeve bëri të humbiste logjikën. Që nga ai çast, fjala” vdiq ” hyri në vetëdijen e saj, një vel vetmie ra mbi supet e saj. Mbeti e shurdhër ndaj çdo gjëje, e heshtur duke pritur të pamundurën. Pas disa orësh, u dëgjua frenimi i rrotave të ambulancës përpara shtëpisë dhe persona të panjohur teksa zbrisnin me barelë trupin e tij të pajetë. Lajmi i tmerrshëm ra si rrufe. Një njeri i vetpërmbushur, i vlefshëm për vete e shoqërinë u shua shpejt. Mbeti një kujtim një simbol i intelektualit të vërtetë për atë dhe kohën, dhe mjaft modest. Nuk ishin parë lotë aq të sinqertë e aq prekës, sa ato që derdhën shoqëria për të, aq sa familja u shmangej vështrimeve të nderimeve. Kishte mbuluar veli i zisë në tërë atë qytet…….