Sinqerisht…
I nisëm përsëri bisedat e dhimbjes sonte
pranë njëri tjetrit. Ato do të kalojnë si retë.
Pas shiut, një rreze dielli do të na mjaftonte.
Dashuritë provohen, në të përpjetë e tatëpjetë…
Sinqerisht …
Thuam, kush e qetësoi për ty detin e vdekjes?
Kush tjetër ndezi hëna e yje nëpër net?…
Ishin gishtat që dridheshin nga magjia e prekjes.
E kjo s’do të kish të sosur, tërë një jetë…
Sinqerisht …
Përse, tërë kohës krahut tim s’m’u shqite,
kur betejave të humbura në kalendar u ktheja fletë?
Ishe ti, që me një puthje trishtimin ma fashite,
Ti, që më ktheve befas buzëqeshjen e vërtetë.
Ndaj, sinqerisht…
s’trembemi dhe nëse ters na shkon “një nesër”,
Do të marrim trastat në kurriz dhe do të shkojmë.
S’do të donim kurrë që fati ynë të varej nga një tesër.
Ç’të bëjmë?! Tangenteve fatale të botës do t’qëndrojmë.
Bilanc
( Vetes )
N’atë janar të largët të pasluftës,
me erën e barutit nëpër mure.
me shpresën: Për një botë “ të re”
Vjeshtë e dimër më mos të ketë.
Ngazëllimi i babait tënd,
kur i dhanë lajmin:
“Djalë!… Djalë!…Të të rrojë për jetë!…”
E koha shkoi.
Ç’bilance bëre? Ç’projekte, ditë e netë?…
Ti qe një llogari e hapur, pambarim
(Në një bllok pa fletë).
Një përpjekje dhe një mundim,
por mbi të gjitha lumturi, gëzim.
Se duart të mbetën të pastra,
pa e patur të lehtë.
Djersitën e u dërmuan
në dy shekuj jetë.